Gaz lotsjellës për mendimin kritik

Alba Brojka 26 Tetor 2026, 13:49

Gaz lotsjellës për mendimin kritik

Në sheshin tonë të Shqipërisë së vogël, pas vitesh tranzicion dhe përpjekje për demokraci, situata është paradoksale. Pasi u lodhëm duke promovuar mendimin kritik, kur ai më në fund ngriti krye, vendosëm ta heshtim me gaz lotsjellës.

Prej shumë vitesh organizata ndërkombëtare, rajonale, institucione kombëtare e donatorë, financojnë pa pushim projekte e aktivitete për të nxitur pjesëmarrjen aktive qytetare dhe mendimin kritik. Mijëra euro ndër vite që kanë shkuar për takime, letra, konferenca e raporte, leksione nëpër auditore, dhe promovim të praktikave të mira.

Përtej të gjithë mbështetjes, situate ishte apatike. Rrallë herë kishte zë kundërshtues në propozimet e bashkive, akoma më rrallë transparencë dhe pjesëmarrje qytetare në konsultime, apo ndjekje të punimeve të parlamentit. Pjesëmarrja në zgjedhje ulej pas cdo cikli zgjedhur, dhe qytetarët vazhdonin të ndiheshin të largët, të padëgjuar ndërkohë që institucionet kopsitnin letrat sipas procedurave.

Shqipëria dukej se kishte hyrë dhe ajo në fazën e një demokracie proceduriale, ku proceset zhdërvjelltësoheshin, ama qytetari sa vinte dhe largohej nga vendim-marrja.

Versioni ynë lokal i këtij fenomeni ishte që në letër ligjet e procedurat i kishim për mrekulli, ama zbatimi ishte tjetër gjë. Këtë realitet të trishtë e konfirmonin edhe raportet e përvitshme të Komisionit Evropian.

Për ta adresuar këtë problematikë, zgjidhja sërish shihej te financimi i projekteve për nxitjen e pjesëmarrjes aktive qytetare dhe mendimit kritik.

Në një ditë kur askush nuk e priti, fryti i këtyre trajnimeve, takimeve, punëtorive erdhi. Më në fund mendimi kritik ngriti krye dhe mori rrugët e mbushi sheshet e Shqipërisë sonë të vogël.

Ndryshe nga sa pritej, organizatat ndërkombëtare, ato rajonale, kombëtare dhe institucione lokale i bënë barrikadë mendimit kritik.

Ai ishte zgjuar dhe kishte dalë nga letrat dhe konferencat në shesh, madje ishte bërë i pakontrollueshëm. Kjo, atyre dhe neve, na e kishte prishur pak ate rendin dhe përgjumjen e përditshmërisë, ku pas kafes së mëngjesit i ktheheshim për inerci tavolinave të punës për të rishkruar e konfirmuar të njëjtat gjëra.

Aq shumë na e prishën terezinë këta qytetarë që protestonin, e studentë të zellshëm me mendim kritik, sa i shpallëm armiq të popullit.

Nuk i dëgjuam për gati 150 ditë me radhë. I përbuzëm si të pashkolluar dhe kryeneçë kur vetë i trajnuam për qytetari aktive, e I etiketuam të dhunshëm kur mendimi i tyre kritik doli prej letrave tona. I quajtëm sorra dhe agjentë të huaj se në botën digjitale është trendi gjuha epiteteve dhe lufta hibride e së vërtetës dhe informacionit.

E kur e pamë që nuk po ia dilnim dot me këto masa, vendosëm ta shtonim dozën me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Paradoksale se si fondet për mendimin kritik, tani u bënë municione kundër tij.

Paradoksale edhe më shumë se si trajnuesit më të zjarrtë dhe më të famshëm të trajnimeve të mendimit kritik për të rinjtë zgjodhën me heshtje rehatinë e kolltukut në vend të sheshit ku i prisnin të rinjtë që ata kishin trajnuar.

Të dashur kolegë që keni udhëtuar nëpër Shqipëri dhe keni punuar me të rinjtë dhe në emër të tyre. Po në emër të tyre, sot na takon të përkrahim mendimin e tyre kritik kur ai luftohet me gaz lotsjellës dhe arrogancë politike.

Nëse ne do të vendosim rehatinë tonë dhe gjuhën e një politike asnjanëse përpara një rinie të zgjuar që kërkon llogari, kemi tradhëtuar vlerat e parimet tona dhe frytet e një pune ndër vite.

Nëse ne dështojmë ta përkrahim mendimin kritik të sheshit, do të jemi hipokritët më të mëdhenj të historisë, kur për paga e rehati kolltuku do ta rikthejmë kritikën sërish në një cope letër.

 

 

Shpërndaje te miqtë