
Aktivistë të “Revolucionit të Flamingove” folën të martën në Bruksel për mjedisin, korrupsionin dhe dhunën policore të muajit të fundit, gjatë një diskutimi të mbajtur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian.
Paneli u organizua nën kujdesin e tre eurodeputetëve: Tineke Strik, Cristina Guarda dhe Andreas Schieder.
Po atë ditë, kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Forumin e Paqes në Paris, i përshkroi protestat në Tiranë si një tenxhere ku zien gjithçka. Në këtë narrativë ai përfshiu shqetësimet për mjedisin dhe koston e jetesës, Iranin, opozitën, “Antifa-n” dhe individë të implikuar në krimin e organizuar.
Ndërsa qeveria vazhdon t’i paraqesë protestat si të nxitura nga jashtë, që për shkak të dhunës përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, në Bruksel eurodeputetët i dëgjuan zërat e shoqërisë civile si shqetësime legjitime qytetare për demokracinë, mjedisin dhe të drejtat e njeriut.
Çfarë u tha në Bruksel?
Mjedisi, lejet dhe shkelja e ligjeve: Joni Vorpsi nga organizata PPNEA deklaroi se projekti i fundit në Zvërnec parashikon ndërtimin e rreth 6 mijë njësive, nga të cilat vetëm 800 janë dhoma hoteli. Pjesa tjetër, shpjegoi ai, përbëhet nga banesa private për shitje, duke e konsideruar retorikën e qeverisë për “zhvillim të qëndrueshëm” si një greenwashing të pastër. Sipas tij, ligji i vitit 2024 për zonat e mbrojtura shkel direktivat e BE-së për Shpendët dhe Habitatet, të cilat janë pjesë e kritereve të Kapitullit 27 për integrimin.
Në lidhje me punimet në terren në zonën e Zvërnecit, Vorpsi denoncoi se buldozerët kanë rrafshuar duna rëre dhe kanë tharë ligatina brenda pyllit.
Ndonëse mjetet që ndodheshin aty në mënyrë të paligjshme u larguan pas shpërthimit të skandalit, deri tani asnjë institucion nuk është mbajtur përgjegjës si për dëmin mjedisor, ashtu edhe për punimet e paligjshme.
Vorpsi hodhi poshtë edhe pretendimin e kryeministrit se po punohet për vlerësimin e ndikimit në mjedis, duke saktësuar se punimet vijojnë pa transparencë dhe se nuk ka pasur asnjë aplikim zyrtar për një vlerësim të tillë.
Toka publike dhe “investitorët strategjikë”: Redi Muçi, deputet i Lëvizjes Bashkë, e cilësoi “Paketën e Maleve” si një mekanizëm për transferimin në pronësi private të mbi 660 mijë hektarëve tokë publike — rreth një e katërta e territorit të vendit — për një euro simbolike. Sipas tij, 22% e kësaj sipërfaqeje ndodhet brenda zonave të mbrojtura, ku ligji i ri lejon edhe aktivitet industrial, dhe jo vetëm turizëm.
Muçi theksoi se raporti i Komisionit Evropian i përmend këto ndryshime si ligje me “pasoja negative”. Ai e përshkroi situatën si një grabitje të tokës dhe përvetësim të pronës nga investitorë strategjikë, të cilët sipas dosjeve të SPAK, akuzohen për pastrim parash të përfituara nga trafiku i drogës.
“Për çfarë qëndron BE-ja?” pyeti Muçi, duke paralajmëruar se, sipas tij, Edi Rama përfaqëson antivlerën e asaj që mbron Bashkimi Evropian.
Korrupsioni: Gazetari Gjergj Erebara kategorizoi katër lloje korrupsioni që gjejnë shtrirje në vend: atë të zakonshëm, korrupsionin politik, korrupsionin sistemik (kleptokracinë) dhe zhvatjen.
Për korrupsionin e nivelit të lartë, ai solli shembullin e një ish-zyrtari të Ministrisë së Brendshme, i cili dyshohet nga prokurorët se ka marrë 10 milionë euro ryshfet nga një kompani që shiste kompjuterë për Policinë e Shtetit.
Në momentin e arrestimit, ky zyrtar rezultonte pronar i një jahti, një avioni privat dhe një kështjelle pranë Parisit.
Për fenomenin e zhvatjes, Erebara përmendi një person të arrestuar për shantazh ndaj punonjësve të Postës Shqiptare, të cilët detyroheshin t'i jepnin 250 euro në muaj nga paga e tyre, duke e cilësuar këtë si një situatë ku njerëzit paguajnë gjoba thjesht sepse ekzistojnë.
Ai argumentoi se, ndryshe nga Rama që i konsideron rastet përgjegjësi individuale, udhëheqësit mbajnë përgjegjësi direkte politike për korrupsionin sistemik në vend.
Në diskutimin mbi korrupsionin, deputeti Redi Muçi shtoi se Shqipëria numëron sot dy ish-zëvendëskryeministra nën akuzë — njëri në arrati e tjetri i mbrojtur nga imuniteti — ndërsa ekonomia po lihet në duart e trafikantëve që përdorin ndërtimin për pastrim parash.
Dhuna policore: Avokatja Dea Nini paraqiti gjetjet paraprake të dokumentuara nga një grup prej 40 avokatësh, të cilët identifikuan rreth 90 raste kur efektivët e policisë kanë goditur protestuesit pasi i kishin shtrirë në tokë, prangosur apo neutralizuar brenda automjeteve të policisë.
Sipas të dhënave zyrtare, janë arrestuar 319 persona, përfshirë 38 fëmijë, nga të cilët 62 arrestime u konsideruan të paligjshme nga gjykata.
Nini solli në vëmendje rastin e një të riu me sëmundje neurologjike, i cili u godit me shkop në furgonin e policisë dhe u la i gjakosur në rrugë.
Ajo vuri në dukje se qeveria veproi me shpejtësi për to krijuar një skemë kompensimi për pronat e dëmtuara, duke pyetur nëse do të veprojë po aq shpejt për kockat e thyera, kafkat e frakturuara dhe sytë e dëmtuar të protestuesve.
Pasi theksoi se në shumë raste efektivët e dhunshëm ishin të maskuar dhe pa numra identifikimi, ajo kërkoi një hetim të pavarur, përgjegjësi për urdhëruesit e dhunës dhe shfuqizimin e akteve normative të 28 tetorit që kufizojnë tubimet.
Gjatë seancës dëgjimore në Komision, eurodeputetët shprehën shqetësime ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
Michael Gahler (EPP) ngriti alarmin për ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë. “Kur shoh se për arsye politike kryeministri ndërhyn për të siguruar që zëvendëskryeministres të mos i hiqet imuniteti, atëherë kjo gjë ngre shqetësime serioze. Si mund të konsiderohet Shqipëria një vend pararojë kur ekziston një listë kaq e gjatë problemesh?!”
Ai shtoi se një qeveri kujdestare ose teknike mund të ishte zgjidhja për të qetësuar shoqërinë civile dhe për t'u dhënë qytetarëve shpresë për zgjedhje të lira e të ndershme.
Tineke Strik (Të Gjelbrit/ALE) u fokusua te shkatërrimi mjedisor për qëllime biznesi. “Nëse e lejojmë këtë qeveri të vazhdojë në këtë rrugë, natyra do të jetë shkatërruar përpara se ne të arrijmë ta mbrojmë atë në përputhje med standardet e Bashkimit Evropian.”
Ajo kërkoi ndërmarrjen e hapave politikë për ta ndaluar Ramën të krijojë një situatë të pakthyeshme në terren.
Ilaria Salis dënoi ashpër reagimin shtetëror ndaj zërave kritikë. “Në një demokraci të shëndetshme, do të prisnim që një qeveri t'i dëgjonte kërkesat e qytetarëve të saj, të kërkonte dialogun dhe të ofronte përgjigje konkrete. Përgjigja e autoriteteve shqiptare ka qenë kryesisht represioni, përdorimi joproporcional i forcës, dhuna policore dhe arrestimet arbitrare.”
Marco Tarquinio (S&D) nënvizoi ndëshkimin financiar të qytetarëve që protestojnë. “Represioni i dhunshëm i policisë u ka paraprirë akteve të dhunës nga protestuesit. Në ligj janë parashikuar sanksione ndaj atyre që protestojnë, të cilat mund të arrijnë deri në 5,500 euro, në një vend ku paga mesatare arrin në 930 euro.”
Protestat nisën në fund të majit kundër projektit turistik në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës (Zvërnec) dhe u masivizuan në qershor, duke u zgjeruar kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit të vendit. Nga muaji tetor, lëvizja studentore u shoqërua me përplasje të ashpra me policinë për ditë të tëra.
Më 18 qershor, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkonte moratorium të menjëhershëm për lejet e ndërtimit në zonat e mbrojtura, përfshirë edhe projektin e lidhur me Jared Kushner.
Nga ana tjetër, qëndrimet e kryeministrit Rama kanë ndryshuar në varësi të kohës. Ai deklaroi në Bruksel se ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet dhe ai për Zonat e Mbrojtura do të përshtatet me BE-në.
Ai fillimisht e kishte quajtur protestën një fushatë të inspiruar politikisht nga kundërshtarët e Donald Trump, duke pretenduar se pa emrin e Kushnerit askush nuk do të fliste për "Revolucionin e Flamingove".
Më vonë, qeveria pretendoi se ka dëgjuar dhe ka adresuar kërkesat e qytetarëve, duke hapur edhe portalin e transparencës FlamingoMirror.
Së fundmi në Paris, Rama pranoi se projekti i Kushnerit ishte "flamuri i kuq" që nxiti zemërimin, por shtoi se ai u shua dhe mbeti vetëm një grup i vogël që përshkallëzoi situatën në dhunë në tetor. Ai akuzoi partitë opozitare se fshihen pas “fëmijëve të radikalizuar me iluzionet e ANTIFA-s”, si dhe për përfshirjen e shteteve të huaja dhe krimit të organizuar në protesta.
Për të gjitha këto pretendime, qeveria shqiptare deri më sot nuk ka paraqitur asnjë provë të vetme publike.
Shpërndaje te miqtë
