
Me pak fjalë
Kryeministri Edi Rama mbajti të premten një fjalim gati dyorësh para deputetëve dhe ministrave socialistë. Ai paraqiti dy dokumente strategjike: “Besa”, për kthesën e qeverisë gjatë mandatit të katërt, dhe “Aneksin për rolin e Partisë Socialiste”.
Asnjë nga dokumentet nuk është bërë publik. Rama nuk ua shpërndau deputetëve dhe ministrave as dokumentin e dytë, pasi tha se fillimisht do ta konsultonte me një ekip më të ngushtë politik.
Çfarë tha Kryeministri
1. Protestat vijnë nga rritja e pritshmërive
Sipas Ramës, shoqëria shqiptare ka kaluar nga “Epoka e Mungesave” në “Epokën e Pritshmërive”.
Në të kaluarën, tha ai, njerëzit gëzoheshin për çdo rrugë, shkollë apo lulishte të re dhe toleronin mungesat, sepse mendonin se “ka edhe më keq”. Sot, arritjet merren si të mirëqena dhe mangësitë nuk tolerohen më, sepse njerëzit besojnë se “ka edhe më mirë”.
Rama tha se protestat lindin kur pritshmëritë rriten më shpejt se rezultatet. Ai i interpretoi ato si kërkesë për standarde më të larta dhe më shumë empati nga qeveria.
2. Ka një hendek mes “fakteve” dhe “përjetimit”
Rama pranoi se ekziston një hendek mes rezultateve që paraqet qeveria dhe mënyrës se si qytetarët e përjetojnë qeverisjen.
Ai renditi reformën në drejtësi, shërbimet publike digjitale dhe mbrojtjen e natyrës mes arritjeve të qeverisë.
Por pranoi se qytetarët përballen me probleme të përditshme, si radhët për kujdes shëndetësor, vonesat administrative, arroganca e administratës dhe mungesa e transparencës.
3. E ndau protestën në “flamingo” dhe “korba”
Rama i përshkroi “flamingot” si qytetarë të zakonshëm dhe votues që kanë të drejtë t’i kërkojnë llogari pushtetit. Ai pranoi se sjellja e qeverisë ka treguar mungesë empatie ndaj qytetarëve dhe ka nevojë të përmirësohet.
Nga ana tjetër, ai përdori emërtimet “sorra” dhe “korba” për ekstremistët, manipuluesit dhe, sipas tij, sharlatanët politikë e mediatikë që shfrytëzojnë zemërimin e qytetarëve për interesat e tyre.
4. Pretendoi ndërhyrje të aktorëve të huaj
Rama deklaroi se protesta ishte shfrytëzuar nga aktorë të huaj përmes “propagandës digjitale” dhe për “interesa gjeopolitike”.
Ai tha se përfshirja e dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump në projektin e Zvërnecit ishte arsyeja që kjo çështje mori jehonë ndërkombëtare. Gjatë fjalimit, Kryeministri nuk paraqiti prova konkrete për përfshirjen e aktorëve të huaj.
5. Kërkoi një kthesë në qeverisje
Rama pranoi se në shoqëri ka zemërim dhe mosbesim. Ai kërkoi nga të gjitha nivelet e qeverisjes më shumë besueshmëri dhe empati në marrëdhëniet me qytetarët.
Sipas tij, qytetari duhet të ndihet jo si spektator ose pengesë, por si bashkëudhëtar në proceset e zhvillimit të vendit.
Çfarë nuk tha Kryeministri
1. Zhvillimi i Zvërnecit dhe zonat e mbrojtura
Rama nuk foli për projektin e zhvillimit në Zvërnec dhe as për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.
Anulimi i projektit dhe i ndryshimeve ligjore përbën kërkesën e parë dhe kryesore të protestuesve.
2. “Paketa e Maleve” dhe “Investimet strategjike”
Kryeministri nuk foli për ligjin për Paketën e Maleve dhe ligjin për Investimet Strategjike, megjithëse ndryshimi ose anulimi i tyre është një nga kërkesat e protestuesve.
Të dyja çështjet janë ngritur edhe nga Bashkimi Evropian në procesin e negociatave, i cili kërkon anaullimin e tyre. BE-ja kërkon edhe anulimin e ndryshimeve që i hapën rrugë ndërtimit në zonat e mbrojtura.
Dy ditë përpara fjalimit, gjatë një aktiviteti në Theth, Rama kishte deklaruar se qeveria nuk do të tërhiqej nga “Paketa e Maleve” dhe se ndërtimet do të realizoheshin edhe në zonat malore.
3. Korrupsioni dhe krimi
Rama nuk foli për korrupsionin dhe krimin, megjithëse një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi humbjes së besimit të qytetarëve te qeverisja.
Ai nuk përmendi as hetimet e SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë dhe as akuzat publike për korrupsion ndaj qeverisë.
