Çfarë tregoi dhe çfarë nuk tregoi Ivanka Trump për Sazanin dhe Zvërnecin

exit.al 4 Qershor 2026, 06:17

Çfarë tregoi dhe çfarë nuk tregoi Ivanka Trump për

Në një intervistëpublikuar pak ditë më parë me podkasterin amerikan David Senra, Ivanka Trump foli për herë të parë në mënyrë më të zgjeruar për planet e saj në Shqipëri.

Për këdo që përpiqet të kuptojë se çfarë po planifikohet në Sazan apo në Zvërnec, intervista është interesante. Jo aq për atë që ajo thotë, sesa për atë që zgjedh të mos thotë.

Intervista na jep një ide të qartë se si dëshiron Ivanka Trump ta shohin njerëzit për projektin e saj (të supozuar) në Shqipëri, por ajo lë pa përgjigje të gjitha pyetjet që kërkon të dijë publiku shqiptar.

Çfarë nuk tha Ivanka Trump

Pjesa më interesante e intervistës mund të jetë pikërisht ajo që mungon.

Së pari, në intervistë mungon krejtësisht Zvërneci. Gjatë gjithë bisedës, Ivanka Trump flet vetëm për Sazanin, por ajo nuk përmend asnjëherë Zvërnecin.

Kjo bie në sy sepse, ndërsa ai në Sazan (nëse ka një të tillë) është ende në fazën konceptimi, projekti në Zvërnec është në prag të fillimit të ndërtimit. Megjithatë, Tramp nuk bën asnjë referencë qoftë edhe shkarazi për të. Nuk thotë asnjë fjalë për një projekt 4 miliardë euro, investimin turistik më të madh të huaj në gjithë historinë e Ballkanit.

Së dyti, Tramp nuk përmend asnjëherë Shqipërinë. Projekti i saj është në Mesdhe. Sazanit i referohet si një “ishull privat në Mesdhe”, ndërsa zonës së Zvërnecit dhe Nartës i referohet si “bregdeti përballë ishullit”. Në intervistë nuk ka asnjë referencë e aq më pak diskutim për kontekstin shqiptar të projektit. As për natyrën, as për ekonominë, as për njerëzit.

Së treti, Tramp nuk jep asnjë përshkrim apo informacion për projektin. Nuk përmendet as shkarasi se çfarë do investohet, se çfarë do zhvillohet, si do financohet, cilët janë partnerët. Ajo lë të nënkuptohet se do bëjë diçka por por buk thotë asgjë për asgjë.

Çfarë tha Ivanka Trump

Përfshirjen e saj në Shqipëri (pa përmendur emrin Shqipëri), Tramp e përshkrua si një investim apo një sipërmarrje biznesi, por si një projekt personal, krijues dhe pothuajse shpirtëror.

Ajo flet për angazhimin e saj si sfidë personale dhe profesionale, si një kulmim të përvojës së saj në pasuritë e paluajtshme, udhëtimet dhe reflektimet mbi mënyrën se si njerëzit duan të jetojnë.

Madje ajo thotë, “[projekti] nuk është as biznes për mua.” Në të gjithë intervistën ajo e paraqet veten më shumë si një kuratore artistike sesa si investitore. Ajo flet se po punon për “arkitektët më të mëdhenj të kohës sonë”, për “mjeshtra të vërtetë të profesionit të tyre”  sikur me ta do të ndërtojë vepra arti dhe jo hotele apo ndërtesa të tjera.

Në këtë kuptim, përshkrimet e saj i ngjajnë më shumë promovimit të një marke luksoze sesa prezantimit të një projekti investimi.

Sazani ishulli privat i Trampit? Zvërneci bregdeti i saj?

Që në fillim të intervistës Tramp krijon përshtypjen se projekti në Shqpëri është investim në tokën e saj. Ajo shprehet:

“Është një ishull privat jashtëzakonisht i bukur, me sipërfaqe prej 1,400 hektarësh, në mes të Mesdheut. …Ne nuk kemi vetëm ishullin, por edhe 5 milje vijë bregdetare, përballë tij, një gadishull i mrekullueshëm me një lagunë në njërën anë dhe detin në anën tjetër, me plazhe të bukura me rërë të bardhë.”

Formulimi është i paqartë në mos i dyshimtë. A ka nënkuptuar Tramp të drejta të zhvillimit, koncesion, marrëveshjeve kontraktuale? Apo ka dashur vërtet të mburret se ajo ka në pronësi ishull dhe bregdet? Mediat Amerikane kanë besuar këtë të fundit dhe i janë referuar të gjitha si ishull në pronësi të Trampit.

Pse foli Tramp për “arkitektë me integritet”

Një moment interesant në intervistë është kur Ivanka Trump flet për arkitektët me të cilët po punon. Ajo i përshkruan si njerëz me “integritet absolut” që “nuk bëjnë kompromis”. Ky përcaktim nuk vjen si rrjedhë llogjike e bisedës, ndaj intervistuesi i kërkon ta shpjegojë se çfarë deshi të thoshte. Tramp përpiqet të shpjegojë por përsëri e lë të paqartë, dhe heziton të jetë konkrete:

“Kur punon me artistë të vërtetë, pavarësisht mediumit të tyre — qoftë piktura, pasuritë e paluajtshme, një shtëpi apo muzika — ata nuk bëjnë kompromis. Integriteti i tyre është aq i rigoroz dhe absolut sa do të sfidojnë veten dhe të gjithë ata që i rrethojnë.”

Në kontekstin e debatit mbi Zvërnecin dhe lagunën e Nartës, kjo duket si një përpjekje për të dhënë garanci morale për projektin përmes reputacionit të arkitektëve që marrin pjesë në të. Por mund të jetë edhe një përpjekje për të t’ja lënë të tjerëve përgjegjësinë për projektime zhvillimesh që dëmtojnë mjedisin.

Sidoqë të jetë, garantimi i Zonjës Tramp mund të duket i pavend. Një pjesë e arkitektëve të përfshirë janë klientë të zakonshëm të Zotit Rama që nuk kanë dëshmuar kaq rigorozitet në integritetin e tyre. Për shembull, mes tyre është Bjarke Ingle që u bë instrument në historinë e manipulimit të opinionit publik për Teatrin Kombëtar.

Romantizimi i “zbulimit” të Sazanit

Ivanka Trump tregoi mënyrën se si ajo dhe bashkëshorti i saj, Xhared Kushner, u njohën me Sazanin. Tregimi i saj: ata po lundronin në det me jahtin e një miku, ndaluan për të notuar, panë ishullin dhe dolën në breg me not, u ngjitën zbathur deri në majë të ishullit dhe “ranë në dashuri” me të.

Është një histori e ndërtuar bukur dhe me ngarkesë emocionale. Por ajo nuk përputhet me rrëfimin e bashkëshortit. Në një intervistë të mëhershme, Kushner ka treguar se gjatë një udhëtimi nga Mali i Zi drejt Korfuzit në jahtin e mikut të tyre Nathaniel Rothschild, në verën e vitit 2021, ata zbarkuan dy netë në Shqipëri. Në një nga këto netë, jahtin e tyre vizitoi Kryeministri Rama. Kushner shprehet se ai nuk dinte asgjë për Shqipërinë deri në atë cast, por u impresionua nga historia e Shqipërisë që i tregoi Kryeministri Rama dhe nga vizioni i tij për të ardhmen e Shqipërisë.

Është e paqartë pse Tramp “e fsheh” Kryeminsitrin Rama dhe mbresat që ai u la me vizionin e tij.

Përfundim

Intervista e Ivanka Trampit ishte e kuruar dhe e përgatitur me kujdes. Ajo e paraqiti projektin e saj të paqartë në Shqipëri si një histori vizioni, arti, arkitekture dhe trashëgimie. Në këtë aspekt, intervista është efektive: ajo krijon një imazh tërheqës dhe emocional të zhvillimit që synohet të ndërtohet.

Por ajo nuk i përgjigjet pyetjeve që sot kanë më shumë rëndësi për publikun shqiptar:

— A po investon Tramp në Shqipëri?

— Me kë po investon?

— Kush po e financon investimin?

— Çfarë do të ndërtohet konkretisht?

— Çfarë ndikimi do të ketë në mjedisin e një zonë me vlera të rralla natyrore?

— Çfarë përfitimesh do të sjellë për Shqipërinë?

— Mbi të gjitha ajo nuk i dha përgjigje as këtë herë pyetjes kyçe: në çfarë roli është e përfshirë në projektin e Zvërnecit?

Në fund, intervista na tregoi shumë duke mos treguar. Dhe ndoshta kjo është gjëja më domethënëse që mund të nxirret prej saj.