Çfarë dimë për Vlora Hysenin, shefen e pezulluar të shërbimit sekret?

Stafi i theExit 22 Shtator 2026, 16:19

Çfarë dimë për Vlora Hysenin, shefen e pezulluar të

Vlora Hyseni drejtoi Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH) për më shumë se tre vjet. Megjithatë, pak dihet për të.

Ajo nuk ka dhënë asnjë intervistë dhe nuk ekziston asnjë biografi zyrtare e saj. Shumica e asaj që është botuar vjen nga disa profile mediatike. Këto shpesh përsërisin njëra-tjetrën pa cituar burime dhe disa gabojnë datat bazë.

Po ashtu edhe për jetën e saj private nuk dihet pothuajse asgjë.

Ja çfarë është e vërtetuar, çfarë është raportuar por jo e konfirmuar, dhe çfarë pretendohet pa prova.

Fakte të vërtetuara

Shkurt 2019: Emërohet zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI) me një mandat për pesë vjet. Ajo u propozua nga presidenti Hashim Thaçi dhe u miratua nga kryeministri Ramush Haradinaj. Kualifikimet e saj për këtë post nuk u bënë kurrë publike.

Maj 2020: Merr nënshtetësinë shqiptare me dekret nga presidenti Ilir Meta.

Dhjetor 2020 – prill 2021: Drejtuese e përkohshme e AKI-së pas shkarkimit të drejtorit Kreshnik Gashi. U zëvendësia nga Petrit Ajeti. Nuk dihen kompetencat e saj gjatë periudhes kur drejtoi AKI.

30 qershor 2021: Shkarkohet nga AKI nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Nuk u dha asnjë arsye për shkarkimin.

Shtator 2021: Bëhet këshilltare për sigurinë kombëtare e kryeministrit Edi Rama. Nuk dihet se si erdhi në vëmendjen e tij apo çfarë përfshinte detyra.

17 mars 2023: Propozohet nga kryeministri Rama për të drejtuar SHISH-in. Ai vlerësoi “përgatitjen e saj të spikatur” dhe pozicionin e saj “të respektuar në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës”. Rama nuk dha detaje të tjera.

3 prill 2023: Emërohet nga presidenti Bajram Begaj, më shumë se dy javë pas nominimit. Presidenca nuk shpjegoi kurrë vonesën.

Ajo ishte gruaja e parë që drejtoi SHISH-in dhe drejtuesja më e re e agjencisë, në moshën 38 ose 39 vjeç.

21 shtator 2026: Vendoset në arrest shtëpie dhe pezullohet nga detyra nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të prokurorëve. Ajo dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin, gjatë kohës që ishte i shpallur në kërkim nga SPAK si dhe ka zbuluar informacione sekrete. Prokurorët nuk kanë thënë se çfarë informacioni ka zbuluar apo kë ka ndihmuar ajo.

Raportuar, por jo e konfirmuar

Lindur në 1984 në Kosovë. Vendlindja e saktë nuk dihet.

Ka studiuar për drejtësi, dhe më pas ka kryer master për marrëdhënie ndërkombëtare në Prishtinë. Universitetet nuk janë emërtuar.

Nisi karrierën në 2008 pranë një organizate amerikane për të drejtat e njeriut në Prishtinë. Organizata nuk është bërë kurrë e ditur dhe as roli i saj aty nuk dihet.

U bashkua me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës (AKI) në 2010 dhe më pas u emërua përgjegjëse e marrëdhënieve me jashtë. Nuk dihet se çfarë bëri në vitet e para aty.

Pretenduar pa prova

U shkarkua në Kosovë për abuzim me informacione të klasifikuara. Vendimi i largimit nuk dha arsye. Vetëm i kujtonte detyrimin për të ruajtur sekretet pas largimit.

Kaloi informacione shtetërore te Ergys Agasi, i dyshuari si udhëheqës i një grupi kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Prokurorët nuk e kanë lidhur publikisht me të.

Flet gjashtë gjuhë. Gjuhët nuk janë specifikuar kurrë.

E panjohur

— Nëse është e martuar apo ka fëmijë
— Origjina e saj familjare
— Shumica e nëntë viteve të saj në AKI
— Puna e saj si këshilltare e Ramës
— Rekordi i saj në SHISH

 

Shpërndaje te miqtë