Diella mbetet në qeveri: Kushtetuesja rrëzon PD-në, por nuk thotë nëse emërimi ishte i ligjshëm

Alba Mborja 10 Tetor 2026, 22:53

Gjykata Kushtetuese thotë se nuk ka të drejtë ta gjykojë çështjen, sepse Diella nuk është ministre në kuptimin e Kushtetutës. Por ajo la një mesazh të qartë: inteligjenca artificiale nuk mund të marrë mbi vete përgjegjësitë që u takojnë të tjerëve.

Diella mbetet në qeveri: Kushtetuesja rrëzon PD-në, por nuk

Trembëdhjetë muaj pasi Shqipëria u bë vendi i parë në botë me një "ministre" të krijuar nga inteligjenca artificiale, pyetja kryesore mbetet pa përgjigje: a është e ligjshme kjo gjë?

Të enjten, më 8 tetor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 39 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kërkonin të shfuqizoheshin dekretet e Presidentit Bajram Begaj për "Diellën" me arsyetimin se kjo çështje nuk hyn në kompetencat e saj.

Por gjykata nuk u shpreh nëse emërimi i saj është në përputhje me Kushtetutën apo jo.

Çfarë është Diella?

Diella është një program kompjuterik, që shfaqet si një grua e veshur me kostum tradicional shqiptar. Ajo u prezantua fillimisht në janar 2025 si asistente virtuale në platformën e-Albania, ku ndihmonte qytetarët me pyetjet rreth marrjes së dokumenteve shtetërore.

Në shtator 2025, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhje, Kryeministri Edi Rama e prezantoi Diellën si anëtare të qeverisë së re, "ministre" virtuale për inteligjencën artificiale, me detyrën të mbikëqyrë tenderat publikë. Lajmi pushtoi titujt e mediave në mbarë botën.

Diella është ndërtuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), por qeveria nuk ka publikuar asnjë të dhënë teknike që tregon si funksionon ajo, apo nëse bën diçka më shumë se një asistent i zakonshëm virtual.

Patrick Quirk, autor i një analize të publikuar në platformën Substack, pohon se pasi shqyrtoi kodin e faqes së Diellës nuk gjeti asnjë gjurmë inteligjence artificiale, dhe e përshkruan atë si "një avatar pa tru". Analiza e tij shqyrton vetëm pjesën që shfaqet në ekran dhe nuk mund të tregojë çfarë ndodh në serverat e qeverisë.

Pretendimi i tij nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Çfarë kundërshtoi opozita?

Presidenti Begaj, në dekretin për emërimin e Ramës si Kryeministër, shktoi dhe përcaktimin: “Kryeministri ushtron edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale ‘Diella’”.

Një fjali e ngjashme u përfshi edhe në dekretin për përbërjen e qeverisë.

Diella mbetet në qeveri: Kushtetuesja rrëzon PD-në, por nuk
Presidenti Begaj i dorëzon Kryeministrit Rama dekretin e emërimit, 12 shtator 2025. Foto: Presidenca

PD i dërgoi të dyja këto dokumente në Gjykatën Kushtetuese, me dy argumente kryesore.

I pari lidhet me ndarjen e pushteteve. Sipas PD-së, Presidenti nuk ka të drejtë të krijojë një strukturë të re ministrore, as t'i ngarkojë Kryeministrit detyra të reja që nuk i parashikon Kushtetuta apo ligji. Duke e bërë këtë, sipas opozitës, ai doli jashtë kompetencave të veta dhe cenoi kompetencat e institucioneve të tjera.

I dyti lidhet me vetë figurën e ministrit. Kushtetuta përcakton kush mund të bëhet ministër, si emërohet, si betohet dhe si ushtron detyrën e mban përgjegjësi për të. Sipas PD-së, një "ministër virtual" nuk mund t'i plotësojë këto kushte, ndaj dekreti shkel disa nene të Kushtetutës për kompetencat e Presidentit, të Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave, si dhe për emërimin e betimin e ministrave.

Çfarë vendosi gjykata, me fjalë të thjeshta

PD i kërkoi gjykatës ta shqyrtonte rastin në tri mënyra. Gjykata tha se nuk kishte të drejtë ta bënte në asnjërën prej tyre.

1. Si akt që vendos rregulla për të gjithë. Gjykata mund të shfuqizojë akte të tilla. Por fjalia për Diellën i jep një detyrë vetëm Kryeministrit dhe nuk krijon ministri apo kompetenca të reja.

2. Si konflikt mes institucioneve, Një ankesë të tillë mund ta bëjë vetëm institucioni që është në konflikt ose që dëmtohet drejtpërdrejt. Deputetët e opozitës nuk janë asnjëri prej tyre.

3. Si emërim ministri. Gjykata mund të kontrollojë nëse një ministër i plotëson kushtet për detyrën. Por sipas saj, pavarësisht fjalës "ministër" në dekret, Diella nuk është ministre sipas Kushtetutës, ndaj nuk ka çfarë të kontrollojë.

Si rrjedhojë, me shumicë votash, gjykata e rrëzoi kërkesën e PD-së dhe dekretet e Presidentit mbeten në fuqi.

Diella mbetet në qeveri: Kushtetuesja rrëzon PD-në, por nuk
Grafikë: MIA

Mesazhi i qartë: makina nuk mban përgjegjësi

Edhe pse e rrëzoi kërkesën, gjykata nuk heshti për inteligjencën artificiale. Ajo theksoi se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndryshojë rregullat se kush e ushtron pushtetin në shtet, kush mban përgjegjësi dhe kush jep llogari.

Sipas gjykatës, një mjet teknologjik nuk mund të krijojë, të zgjerojë, apo të kalojë te dikush tjetër apo të zëvendësojë kompetencat e institucioneve publike.

Në praktikë kjo do të thotë: Diella mund të përdoret si mjet pune, por nuk mund të jetë fajtore për asgjë.

Nëse një tender del i manipuluar apo një vendim është i padrejtë, përgjegjësia mbetet te njerëzit që e drejtojnë dhe e përdorin programin, duke filluar nga Kryeministri, të cilit dekreti i ngarkoi ngritjen dhe funksionimin e saj.

Çfarë mbetet pa përgjigje

Vendimi krijon një situatë të çuditshme. Qeveria vazhdon ta quajë Diellën "ministre", ndërsa Gjykata Kushtetuese thotë se ligjërisht ajo nuk është e tillë.

Megjithatë, pyetja nëse është e rregullt që Presidenti ta emërtojë një program kompjuterik si "ministër" në një dekret zyrtar mbetet pa përgjigje.

Gjykata e shqyrtoi çështjen në seancë plenare më 26 maj 2026 dhe dha vendimin më shumë se katër muaj më vonë. Vendimi u mor me shumicë votash. Arsyetimi i plotë i vendimit pritet të publikohet më vonë dhe mund të sqarojë më shumë se ku e sheh gjykata kufirin mes një mjeti teknologjik dhe një anëtari të qeverisë.

 

Shpërndaje te miqtë