
Pas vitit 2013, kur koalicioni PS-LSI fitoi zgjedhjet dhe mori në dorë drejtimin e vendit, qeveria shqiptare nisi të reklamonte fort si një nga shtyllat e ekonomisë sektorin fason.
Për shumë ekspertë, ky investim politik i qeverisë dukej pa të ardhme, sepse e tillë — pa të ardhme për zhvillimin ekonomik të vendit — ishte edhe industria fasone. Ajo karakterizohet nga punishte të vogla dhe të mesme, me krah pune të lirë dhe, duke qenë se punonin me material porositës, për shkak të çmimit të ulët të produkteve, mund të ndihmonin në rastin më të mirë bilancin tregtar.
Fasoneria mund të zbuste deri diku varfërinë, por nuk krijonte mirëqenie për popullatën për shkak të pagave të ulëta, në shumicën dërrmuese të rasteve në kufirin e pagës minimale.
Në momentin që rriteshin kostot apo sektorë të tjerë bëheshin më atraktivë për nivelin e pagesës, fasoneria hynte në krizë. Industria zhvendosej diku tjetër, ku krahu i punës do të ishte më i lirë, dhe qindra apo mijëra punonjës — kryesisht gra në zonat e periferisë së qyteteve apo ato rurale — do të riktheheshin sërish në armatën e të papunëve.
Efekti fason pas vitit 2015 nisi të shuhej.
Pas zgjedhjeve lokale, Shqipëria rinisi një zhvillim gati-gati kaotik në një tjetër drejtim, atë të ndërtimit. Në fakt, ishte një eksperiment i testuar më parë në Bashkinë e Tiranës gjatë kohës që Edi Rama ishte kryetar i saj.
Tirana njohu një bum ndërtimesh në fillim të viteve 2000 dhe sektori nisi të rritej. Në Tiranë nisën të mbinin pallatet shumëkatëshe. Sikurse në Tiranë, ky zhvillim kaotik u shtri në këtë periudhë edhe në bregdet, kryesisht në zonën Durrës-Golem-Kavajë.
Pasi mori në kontroll plotësisht si qeverisjen qendrore, ashtu edhe pushtetin lokal, pas vitit 2019 qeveria vendosi që ndërtimi të ishte motori kryesor i ekonomisë. Në këtë kohë, përveç remitancave, nisi të kanalizohej në Shqipëri edhe një fluks shumë i madh i valutës së huaj, e cila dyshohej se kishte prejardhje nga aktivitetet kriminale.
Këto para nisën të mbanin në këmbë jo vetëm ekonomitë e vogla familjare, por edhe të financonin ndërtimin. SPAK vitet e fundit ka dëshmuar qartë me më shumë se një rast se si paratë e aktiviteteve të paligjshme injektoheshin në ndërtimet e mëdha.
Fati e solli në qendër të vëmendjes Shqipërinë jo vetëm për çështjen e drogës, por edhe për atë të turizmit të lirë, në një vend me natyrë e bregdet ende të virgjër apo të pazbuluar nga të huajt.
Shqipëria u bë kopertinë krahas destinacioneve të njohura për plazhet e Ksamilit dhe çmimet e lira të akomodimit.
Duke përfituar nga situata post-COVID, qeveria shqiptare liroi kufizimet për pandeminë, të cilat ekzistonin në shumicën e vendeve të Evropës. Rezultati ishte një fluks i madh turistësh të huaj — të cilët në atë kohë ishin risi për vendin — dhe rritje e të ardhurave në një vit që ishte problematik për ekonominë për shkak të COVID-19.
Viti 2021 shënoi mbi 5 milionë e gjysmë turistë, ai pasardhës mbi 7 milionë e gjysmë. Por të mbarsur me reklamën e turizmit të lirë dhe të mirë, tre vitet që pasuan shënuan mbi 10 milionë turistë secili.
Një rritje që shkonte në proporcion të drejtë me bumin e ndërtimeve në bregdet: komplekse vilash, hotele, resorte e gjithçka tjetër. Vetëm gjatë këtyre viteve llogaritet se janë dhënë mbi 10 milionë metra katrorë leje për ndërtim në të gjithë vendin.
Sot që flasim, qeveria mburret me shifrat e turizmit, duke deklaruar se Shqipëria po kthehet në një destinacion të përzgjedhur të turistëve të huaj, ndërsa pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama e cilësoi turizmin si një “mision kombëtar”. Në mungesë të gjithçkaje tjetër, turizmi po cilësohet si një “industri e rëndë” moderne dhe si motori kryesor i rritjes ekonomike shqiptare.
Aktualisht ai zë mbi 5 përqind të peshës në ekonomi, ndërsa ndërtimi mbi 12 përqind. Të dy sektorët janë të lidhur ngushtë, ndërkohë që të ardhurat në zërin “Udhëtime”, sipas Bankës së Shqipërisë, arritën në 5 miliardë euro.
Nëse merr vetëm të dhënat e mësipërme, situata ekonomike e Shqipërisë duket rozë. Edhe rritja ekonomike vjetore është e qëndrueshme, midis 3 dhe 3.5 përqind.
Por a mjafton vetëm turizmi dhe ndërtimi për të zhvilluar një vend dhe për të krijuar mirëqenie? Apo ai është veçse një upgrade i “modelit fason” në ekonomi? A mund të mbështetet një vend vetëm tek industria e turizmit?
Marko Jukiç është një ekonomist dhe analist në institutin Bismarck Analysis në Gjermani. Ai ka studiuar fenomenin e rritjes së turizmit në vendet e Evropës Jugore dhe Juglindore dhe del në konkluzione krejtësisht të kundërta me ato që po reklamohen me të madhe edhe në Shqipëri.
Ekonomia e bazuar te turizmi, thekson Jukiç, krijon një shoqëri me dy nivele: një elitë të vogël që kontrollon pasuritë e patundshme dhe një forcë të madhe punëtore me kualifikim të ulët. Ky model as nuk krijon kapital produktiv dhe as nuk zhvillon burimet njerëzore të nevojshme për t’iu përshtatur ekonomisë globale dhe teknologjive të reja. “Të jesh kamarier apo pronar i një dhome me qira nuk është e ardhmja”, shkruan ai.
Pa qenë asnjëherë në Shqipëri, ai ka vizatuar realitetin aktual në vend. Shqipëria e sotme, e mbështetur tek ky model zhvillimi me ndërtime agresive dhe turizëm gjysmë kaotik, ka prodhuar një elitë të vogël që zotëron të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe një shumicë që shërben në industrinë e turizmit: një pjesë si kamarierë, sanitarë, punonjës plazhi apo qoftë edhe pronarë të vegjël dhomash që lëshohen me qira.
Ka edhe shërbime të tjera që mbështeten rreth turizmit, si guidat apo argëtimet.
Teksa qeveria e konsideron industrinë e turizmit jo vetëm si motorin aktual të zhvillimit, por edhe si një sektor që do të tërheqë ekonominë e së ardhmes së Shqipërisë, Jukiç në studimin e tij thotë se e ardhmja e vendeve të Evropës Juglindore për të konkurruar në tregjet globale të së nesërmes është inovacioni dhe ekonomia e bazuar mbi prodhimin.
Inovacioni dhe prodhimi rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë edhe në situata të paparashikueshme krizash globale, për të cilat një vend i vogël si Shqipëria është gjithmonë vulnerabël.
Në raste krizash apo pandemish, turizmi është sektori që merr goditjen më të rëndë, ndërsa inovacioni dhe industria janë të afta të përshtaten dhe të mbijetojnë, duke nxjerrë në shumë raste edhe më shumë përfitime.
Por edhe në kohë normale dhe të mira në aspektin ekonomik, turizmi nuk mund të sjellë mirëqenie dhe zhvillim.
Nëse do të ishte kështu, në botë ka shembuj që tregojnë se shtetet që kanë varësi të plotë nga turizmi kanë mbetur të varfra. Xhamajka, Maldivet, Bali, Kuba, Republika Dominikane janë vende të varfra dhe me nivel të ulët të të ardhurave për frymë të popullsisë.
Në të kundërt, vende të vogla që kanë zhvilluar kapacitete prodhuese dhe inovative kanë ecur gjithmonë përpara.
Tajvani është një ishull i rrethuar nga deti, por ai nuk njihet për turizmin. Tajvani njihet për prodhimin e çipave apo përcjellësve elektronikë, është një vend lider në inovacion dhe prodhim — një vend i zhvilluar pavarësisht kontroversitetit që e rrethon politikisht për çështjen e konfliktit me Kinën për statusin si shtet i pavarur.
Kryeministri Rama përmend Zvicrën kur flet për paketën e maleve e turizmin malor në Shqipëri. Por Zvicra është një vend që vërtet njihet për turizmin, sidomos atë dimëror, por njihet më shumë për traditën e prodhimit që e ka ruajtur dhe zhvilluar edhe më shumë sot.
Ekonomia e saj mbështetet në aspekte të tjera me produktivitet të lartë: duke nisur nga shërbimet financiare me bankat, industria farmaceutike, prodhimi i orëve, prodhimi i makinerive të rënda e deri te sektori bujqësor shumë i zhvilluar, i mbështetur nga një industri ushqimore ndër më të mirat në rang botëror.
Nëse Kroacia — e cila ka një sektor turizmi shumë më të zhvilluar se Shqipëria, e përveç kësaj edhe prodhim të brendshëm, industri e eksporte shumë më tepër se Shqipëria — për të arritur të ardhurat e Zvicrës (100 mijë dollarë për frymë) do të duhej, sipas studimit të Jukiç, që gjatë gjithë vitit të regjistronte gati 2 miliardë netë fjetje nga turizmi. Nëse Kroacia do të kërkonte nivelin e Gjermanisë (56 mijë dollarë për frymë), turistët aktualë që ajo ka duhet të shumëfishonin shpenzimet.
Ne flasim shumë për konkurrencën që po i bën Shqipëria sot Greqisë në turizëm nëse marrim deklaratat e Kryeministrit dhe ministrave. Por Greqia nuk ka vetëm turizmin. Një pjesë e madhe e ekonomisë bazohet tek industria, ajo ushqimore, industria e rëndë e rafinimit të naftës dhe tek energjia.
Pa llogaritur industrinë detare. Greqia ka flotën më të madhe tregtare në botë që transporton nga një cep në tjetrin çdo gjë që globi prodhon.
Ndërsa vendi më i varfër i Evropës nuk mund të arrijë vetëm nga turizmi dhe ndërtimi as nivelin e Malit të Zi fqinj.
Këta dy sektorë, përveçse shfrytëzojnë pasuritë natyrore, betonizojnë bregdetin dhe shkatërrojnë florën dhe faunën, janë valë që nesër ikin dhe nuk lënë pas asnjë vlerë të shtuar në ekonomi.
Ndoshta do të mbeten vetëm betoni i mijëra e mijëra vilave e dhjetëra komplekseve hoteliere pa klientë.
Një vend që prodhon shumë pak, ku produktiviteti është më i ulëti edhe në rajon, krahasuar me të ngjashmit e tij, ku pagat janë të ulëta e çmimet ndër më të lartat në kontinent, me mbështetjen te kjo strategji rrezikon ta bëjë të krahasueshëm vërtet Shqipërinë me Maldivet — por për nga varfëria e njerëzve të tij.
Jo me Kroacinë, as me Greqinë. Me Zvicrën as nuk mund të mendohet.
Ndaj edhe përfundimi i studimit të Jukiç është i prerë: Asnjë shtet në histori nuk është pasuruar nga turizmi, dhe asnjë nuk do të pasurohet kurrë prej tij.
Shpërndaje te miqtë
