
Skandali ndërkombëtar rreth projektit miliarda eurosh në Zvërnec po zgjerohet më tej. Dy deputetë të parlamentit holandez kanë ngritur zyrtarisht shqetësime për dyshime mbi korrupsionin dhe pastrimin e parave përmes kompanive të regjistruara në Holandë që lidhen me projektin.
Deputetët Jimmy Stultiens dhe Julian Bushoff, të dy nga partia progresiste PRO, i kanë dërguar më 15 qershor një seri pyetjesh zyrtare Ministrit dhe Sekretarit të Shtetit për Financat, duke kërkuar sqarime mbi atë që ata e quajnë rrezik serioz të përdorimit të kompanive holandeze guackë për fshehjen e pronësisë reale dhe lëvizjen e fondeve të dyshimta.
Pyetjet parlamentare vijnë pas një investigimi të medias investigative holandeze Follow the Money (FTM), e cila zbuloi se struktura financiare dhe juridike e kompanisë që do të zhvillojë në Zvërnec administrohej për gati dy vite përmes një rrjeti pesë kompanish të regjistruara në Amsterdam.
Sipas investigimit, entiteti kryesor që kontrollonte projektin, Zvërnec South Adriatic Development, ishte i lidhur me kompani holandeze të krijuara përmes firmës së shërbimeve korporative Dutch Trust Management (DTM), e cila ofron struktura të ashtuquajtura “kompani kutipostare” — kompani që ekzistojnë kryesisht në letër dhe përdoren për qëllime fiskale ose për fshehjen e pronësisë reale.
Shqetësimi kryesor: pronarët e fshehur
Në pyetjet drejtuar qeverisë, deputetët kërkojnë të dinë nëse Holanda po luan një rol qendror në kanalizimin dhe fshehjen e fondeve të huaja përmes këtyre strukturave.
Një nga pyetjet kryesore lidhet me rregullin aktual europian dhe holandez sipas të cilit pronarët përfitues realë nuk janë të detyruar të identifikohen publikisht nëse zotërojnë më pak se 25% të aksioneve.
Sipas investigimit të FTM, pikërisht kjo skemë është përdorur në projektin shqiptar: aksionet janë fragmentuar në mënyrë të tillë që asnjë individ të mos kalojë pragun 25%, duke lejuar fshehjen e identitetit të investitorëve realë. Deputetët kërkojnë nga qeveria holandeze të sqarojë nëse është e gatshme të forcojë këto rregulla. (ftm.nl)
Kërkohet bashkëpunim me SPAK
Një tjetër pyetje e drejtpërdrejtë kërkon që autoritetet holandeze të bashkëpunojnë në mënyrë proaktive me SPAK, i cili prej javësh ka nisur hetime për ndryshimet ligjore që lejuan ndërtimin në zonat e mbrojtura të Zvërnec dhe për dyshime mbi konflikt interesi dhe origjinën e fondeve të përdorura për blerjen e tokave.
Deputetët kërkojnë konkretisht që Holanda të ndihmojë në identifikimin e të gjithë aksionerëve të fshehur pas strukturave korporative të përfshira në projekt.
Holanda nën presion për industrinë e “kompanive tust”
Në pyetjen e fundit, parlamentarët venë në pikëpyetje vetë modelin ekonomik të industrisë holandeze të “kompanive trust”, kompani që specializohen në krijimin dhe administrimin e strukturave korporative për klientë ndërkombëtarë.
Ata pyesin qeverinë nëse ky sektor dhe mekanizmat aktualë të vetërregullimit po funksionojnë realisht në interes publik, çfarë reformash janë ndërmarrë vitet e fundit dhe nëse ato kanë prodhuar rezultatet e pritshme.
Kjo e zhvendos çështjen nga një debat shqiptar mbi Zvërnecin në një debat më të gjerë europian mbi rolin e Holandës si qendër e strukturave financiare që mund të përdoren për shmangie fiskale, fshehje pronësie dhe potencialisht pastrim parash.
Presioni ndërkombëtar po rritet
Pyetjet në parlamentin holandez janë zhvillimi më i fundit në një seri reagimesh ndërkombëtare lidhur me projektin.
Më herët, Komisioni Europian paralajmëroi se projekti mund të dëmtojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë për shkak të shkeljeve të mundshme të legjislacionit mjedisor europian. (Euractiv)
Ndërkohë media ndërkombëtare si Reuters, CNN, Financial Times, The Guardian dhe media investigative holandeze kanë raportuar gjerësisht mbi protestat masive në Shqipëri dhe mungesën e transparencës rreth projektit.
Në Holandë, çështja tashmë ka hyrë në parlament — duke i dhënë aferës se4 Zvërnecit një dimension të ri ndërkombëtar dhe duke shtuar presionin mbi qeverinë shqiptare për të dhënë përgjigje jo vetëm në Shqipëri, por edhe përpara partnerëve europianë.
