Demokratët në Kongresin amerikan hetojnë Kushnerin për Zvërnecin. Çështja po kthehet në temë zgjedhore në SHBA.

Alba Mborja 27 Gusht 2026, 15:17

Kongresmenët demokratë kanë përfshirë projektin e Zvërnecit në hetimet që po zhvillojnë që prej muajit prill ndaj Xhared Kushnerit për konflikt interesi dhe praktika korruptive biznesi jashtë Amerikës.

Demokratët në Kongresin amerikan hetojnë Kushnerin për

Kongresmeni Xhemi Raskin ka bërë të njohur se projekti i Zvërnecit i është shtuar listës së çështjeve për të cilat demokratët e Komisionit të Drejtësisë po hetojnë Xhared Kushnerin, nën dyshimin e konfliktit të interesit mes detyrave publike dhe interesave të tij të biznesit.

Në një komunikatë për shtyp të anëtarëve demokratë të Komisionit, i cili mbikqyr gjyqësorin dhe institucionet e drejtësië, thuhet se ata po hetojnë “marrëveshjen mashtruese të Kushnerit me gangsterin dhe trafikantin shqiptar të dyshuar të drogës, marrjen e favoreve nga një qeveri e huaj dhe shkeljet e mundshme të ligjeve kundër korrupsionit” nga ana e Kushnerit.

Në komunikatë thuhet se zgjerimi i hetimit vjen pas raportimeve tronditëseWall Street Journal, sipas të cilave Kushner i pagoi më shumë se 120 milionë dollarë një personi të dyshuar si gangster dhe trafikant droge për një tokë me pronësi të paqartë në Shqipëri.

“Kushner raportohet se e kreu pagesën megjithëse ishte paralajmëruar se shitësi nuk ishte pronari i tokës, ... për një resort luksoz, që ka përfituar lehtësi të jashtëzakonshme nga qeveria shqiptare”, thuhet në komunikatë.

Kongrsmënët kërkojnë komunikimet me qeverinë shqiptare

një letër të datës 25 gusht, kongresmeni Raskin i kërkon Kushnerit t’i vërë në dispozicion të gjitha dokumentet që lidhen me blerjen e tokës dhe financimin për projektet e tij në Shqipëri, procedurat e miratimit nga autoritetet shqiptare të këtyre projekteve dhe komunikimet e tij me zyrtarë të qeverive shqiptare dhe amerikane në lidhje me këto projekte.

Në qendër të vëmendjes janë jo vetëm transaksioni me një person të dyshuar për veprimtari kriminale, por edhe marrëdhëniet e Kushnerit dhe organizatës së tij me qeverinë e Edi Ramës.

Kushnerit i është lënë afat deri më 7 shtator për ta dorëzuar informacionin e kërkuar.

Deri më tani, Kushner dhe kompania e tij nuk u janë përgjigjur kërkesave të kongresmenit.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë akuzat. Zëvendës zëdhënësja Anna Kelly e ka cilësuar kërkesën e Raskin si pjesë të fushatës së demokratëve kundër Tramp dhe familjes së tij.

“Aktivitetet private të biznesit të Xhared Kushner nuk kanë asnjë lidhje me angazhimet e tij diplomatike”, deklaroi ajo, duke shtuar se Kushner e ushtron rolin e ndërmjetësit diplomatik vullnetarisht, me kërkesë të Presidentit Tramp.

Çfarë fuqie ka hetimi?

Hetimi në fjalë nuk është hetim i Komisionit të Drejtësisë, por i grupit të demokratëve brenda komisionit. Edhe pse Raskin është demokrati me pozicionin më të lartë në Komisionin e Drejtësisë, kërkesat e tij për informacion ndaj Kushnerit nuk janë të miratuara nga komisioni, i cili kontrollohet nga republikanët.

Duke qenë në pakicë, demokratët kanë mundësi të kufizuara për ta detyruar Kushnerin të dorëzojë dokumentet ose të dëshmojë.

Kjo mund të ndryshojë nëse ata fitojnë zgjedhjet e nëntorit 2026. Nëse marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët mund ta kthejnë çështjen në një hetim të Komisionit dhe do të mund të miratojnë thirrje të detyrueshme për paraqitjen e Kushnerit para komisionit

Vetë Xhemi Raskin pohon se hetimi synon të shqyrtojë nëse veprimet e Kushnerit mund të kenë shkelur ligjet amerikane për korrupsionin, konfliktin e interesit apo përfaqësimin e interesave të huaja dhe nëse çështja duhet t’u referohet organeve të hetimit penal.

SHBA-të kanë një ligj të veçantë që i ndalon kompanitë amerikane t’i ofrojnë ose japin para apo përfitime materiale një zyrtari të huaj për të siguruar ose ruajtur përfitime biznesi.

Një tjetër ligj detyron çdo qytetar apo organizatë të regjistrohet pranë Departamentit të Drejtësisë nëse merr përsipër të lobojë pranë shtetit amerikan në emër të një qeverie apo politikani të huaj.

Ndërkohë, ligjet e konfliktit të interesit ndalojnë individët që ushtrojnë funksione shtetërore të përfshihen në biznese në fusha të lidhura me funksionet e tyre.

Duket se hetimi i kongresmenëve demokratë kërkon të zbulojë natyrën e komunikimeve dhe marrëdhënies ndërmjet Kushnerit, qeverisë shqiptare dhe zyrtarëve amerikanë, si dhe nëse interesat e tij private kanë përfituar nga aksesi i tij në administratën amerikane.

Rëndësia politike e akuzave

Më 3 nëntor, në Amerikë zhvillohen zgjedhjet e ndërmjetme që do të përcaktojnë se kush do ta kontrollojë Kongresin amerikan për dy vitet e ardhshme. Aktualisht, shumicën si në Dhomën e Përfaqësuesve, edhe në Senat, e ka Partia Republikane e Presidentit Tramp.

Demokratët shpresojnë të paktën të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, gjë që do t’u jepte atyre pushtet të madh për të kundërpeshuar dhe kontrolluar vendimmarrjen e Presidentit Tramp.

Një nga temat kryesore të fushatës së demokratëve është korrupsioni i familjes Tramp. Që nga fillimi i mandatit si president, veprimtaria dhe fitimet e biznesit të familjes Tramp janë rritur ndjeshëm.

Demokratët e akuzojnë Presidentin se disa politika të administratës së tij kanë favorizuar interesat e biznesit të familjes.

Në këtë kuadër, përfshirja e Zvërnecit në hetimin e Raskin krijon mundësinë që çështja të përdoret nga demokratët në debatin elektoral mbi bizneset e familjes Tramp.

Në mënyrë të veçantë, përfshirja në këtë histori e Artur Shehut, i dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës, u jep demokratëve municion shtesë.

Lufta kundër trafikantëve të drogës dhe ndryshimi i politikave liberale që u japin mundësi kriminelëve nga bota të vijnë dhe të jetojnë në SHBA kanë qenë dy tema të rëndësishme të Presidentit Tramp dhe të fushatës së tij publike.

Për këtë arsye, lidhja, qoftë indirekte, e vajzës dhe dhëndrit të tij me një trafikant të dyshuar që jeton në SHBA do të ishte një aset i rëndësishëm për demokratët për të sulmuar Trampin në pikën e tij më të fortë.

Sidoqoftë, duket se çështja e projektit të Zvërnecit po bëhet çështje në fushatën zgjedhore  amerikane dhe, ka gjasa që të ketë zhvillime të mëtejshme në lidhje me të deri në votimet e nëntorit.

 

 

Shpërndaje te miqtë