Bilanci i zjarreve të gushtit 2026 në Shqipëri

Stafi i theExit 13 Gusht 2026, 09:47

Bilanci i zjarreve të gushtit 2026 në Shqipëri
Shqipëria vazhdon të jetë nën pushtetin e zjarreve edhe këtë gusht. Flakët kanë djegur sipërfaqe të tëra me bimësi, shkurre dhe pyje në shumë zona të vendit, në veri dhe në jug. Situata ka ndryshuar vazhdimisht, pasi disa vatra janë izoluar ose shuar, ndërsa të tjera janë riaktivizuar.
Sipas bilancit të Ministrisë së Mbrojtjes të 12 gushtit, gjatë 24 orëve ishin raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive. Po sipas ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 395 forca operacionale, të repartave zjarrëvëfikse dhe 167 forca të ushtrisë, 41 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të kontraktuar me qera në mungesë të avionëve zjarrëfikës për emergjencat civile që ishin premtuar se do të bliheshin vitin e shkuar.

Ku kanë rënë zjarret?

Një nga zonat më problematike ishte Mallakastra, veçanërisht Rribani dhe Ngraçani. Më 6 gusht, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se situata po shkonte drejt izolimit pas ndërhyrjeve nga toka dhe nga ajri. Në të njëjtën periudhë kishte vatra zjarri edhe në Dajt, Shqiponjë, malin e Dardhës, Mjekës, Berat, Dibër dhe Gjirokastër.

Situata në Mallakastër u përkeqësua sërish në vijim oas zjarreve të ditëve m parë. Policia raportoi evakuimin e disa familjeve pasi flakët po përhapeshin drejt zonave të banuara, për shkak se era e fortë favorizonte përhapjen drejt fshtrave Hekal, Panahor, Rriban dhe Ngraçan.

E njëjta situatë e rëndë ishte edhe në Krujë, për të katërtën ditë, ku zjarri në lagjen Abaze u përhap drejt malit dhe rrezikoi zonat e banuara. Për këtë arsye u kryen edhe evakuime të pjesshme.

Vatra të tjera ka patur në Drenie të Patosit, Dajt, Priskë të Madhe, malin e Nemërçkës, malin Dhëmbel dhe Gurë-Lurë në Dibër.

Situata në Lurë

Një nga vatrat më problematike është ajo në Lurë, në qarkun Dibër. Sipas përditësimit të publikuar më 12 gusht zjarret janë duke djegur sipëfaqe më drurë në pyjet e Lurës, ndërkohë që ministria e Mbrojtjes thotë se për shuarjen e tyre ka angazhuar rreth 220 forca mes zjarrëfikësve dhe ushtrisë si edhe 2 avionë “Air Tractor”. Deri tani në këtë zonë janë kryer mbi 10 misione ajrore për shuarjen e flakëve që vazhdojnë ende.

Pse kanë rënë zjarret?

Për shumicën e zjarreve nuk është bërë publik një shkak i saktë i tyre. Në Krujë, Policia e Shtetit ka identifikuar një person të dyshuar. Një 73-vjeçar u arrestua pasi dyshohet se më 8 gusht kishte ndezur zjarr pranë banesës për të djegur bar, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe, të ndikuara nga era, u përhapën drejt malit të Krujës dhe zonave të banuara.

Temperaturat e larta, bimësia e thatë dhe era e fortë kanë favorizuar përhapjen e zjarreve dhe në shumë raste këto faktorë i bëjnë flakët më të vështirë për t’u vënë nën kontroll.

Si është menaxhuar situata?

Menaxhimi i zjarreve është bërë në koordinim mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Ministrisë së Mbrojtjes, prefekturave, bashkive, zjarrfikësve, Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, strukturave pyjore, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe vetë banorëve të zonave të prekura.

Por pavarësisht ndërhyrjeve nga toka dhe nga ajti, qindra forcave zjarrëfikëse, atyre të ushtrisë dhe helikopterëve apo avionëve të marrë me qera, situata vijon të mbetet problematike.

Sipas një studimi të vitit 2024 të Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ), në disa bashki shqiptare vijonin të përdoreshin mjete zjarrfikëse të prodhuara në vitet 1970, 1980 dhe 1990.

Sot, duket edhe nga pamjet që në shumë qytete makinat e zjarrfikësve mbeten të vjetra. 

Më 31 korrik 2026, kryeministri Edi Rama njoftoi se 14 zjarrfikëse të reja po prodhoheshin nga TIMAK, duke pranuar se kapacitetet aktuale mbeten të pamjaftueshme. 

Cilat janë pasojat?

Sipas të dhënave të Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) të raportuara deri më 10 gusht, në Shqipëri ishin evidentuar 18 zjarre të mëdha, me rreth 2,297 hektarë sipërfaqe të djegur që nga fillimi i vitit.

Zjarret kanë shkaktuar djegie të pyjeve, shkurreve, kullotave dhe sipërfaqeve të tjera me bimësi, si dhe kanë rrezikuar banesa dhe prona.

Një shqetësim i veçantë është Lura, ku zjarri ka prekur një zonë me vlerë të lartë natyrore.

Bilanci i plotë i dëmeve ekonomike dhe mjedisore nuk është ende përfundimtar, pasi disa vatra vazhdojnë të jenë aktive. Gjithsesi, dëmet e llogaritira nga djegia e hektarëve të tërë bimësi e pyje në të gjithë vendin, paraprakisht llogaritet në disa milionë euro.

Shpërndaje te miqtë