BE kritike për demokracinë dhe shtetin ligjor — gjetjet kryesore të Raportit të Progresit 2026 të Komisionit Europian

Bledar Zaganjori 4 Nëntor 2026, 20:55

BE kritike për demokracinë dhe shtetin ligjor — gjetjet kryesore

 

Komisioni Europian ka publikuar të enjten progres-raportin e tij për vitin 2026.

Raporti tregon se, pavarësisht progresit teknik, një pjesë e treguesve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës mbeten problematikë.

Komisioni Europian nënvizon si shqetësuese ndërhyrjet politike në gjyqësor, mungesën e llogaridhënies së qeverisë dhe dështimin e Kuvendit për të përmbushur detyrën e tij të kontrollit mbi qeverinë.

Në mënyrë të veçantë raporti ndalet te refuzimi i shumicës socialiste për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut, duke cilësuar se ky veprim “ka cenuar mekanizmat e kontrollit e të balancës dhe parimin e barazisë para ligjit”.

Komisioni shprehet se përqendrimi i pronësisë në media dhe ndërthurja e interesave biznes-politikë dëmtojnë pavarësinë e saj.

Komisioni Europian pret që qeveria shqiptare të ndryshojë ligjet për mbrojtjen e mjedisit dhe të anullojë ligjin për investimet strategjike.

Më poshtë janë disa nga pohimet kryesore të raportit.

Dështimi i Kuvendit

Kuvendi nuk ka ushtruar në mënyrë efektive pushtetin e tij në kontrollin e qeverisë.

Mbikëqyrja e Kuvendit ndaj ekzekutivit mbeti e dobët. Nuk u zhvillua asnjë debat i vërtetë për programin e ri të qeverisë në shtator 2025.

Interpelancat me anëtarët e Këshillit të Ministrave ishin sporadike dhe të parregullta.

Shumica e nismave ligjore u paraqitën nga Këshilli i Ministrave.

Mungesa e dialogut të vërtetë politik dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës vazhduan të kufizojnë efektivitetin e tij.

Kuvendi gjithashtu nuk zbatoi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore u refuzuan sistematikisht pa debat dhe kontribuan në kufizimin e mbikëqyrjes së Kuvendit ndaj qeverisë.

BE kritike për demokracinë dhe shtetin ligjor — gjetjet kryesore

Çështja e imunitetit të Ballukut

“Pas një vonese të gjatë, Kuvendi votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë para ligjit.”

SPAK, Gjykatat dhe korrupsioni

“Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka vazhduar të demonstrojë pavarësi dhe të japë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke bërë progres të prekshëm drejt ndërtimit të një regjistri të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, korrupsioni mbetet një sfidë reale.

Përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim mbi sistemin e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, dhe sulmet personale ndaj magjistratëve vazhduan gjatë periudhës së raportimit.

Gjatë kësaj periudhe, si mazhoranca ashtu edhe opozita kryesore (Partia Demokratike) përdorën retorikë që diskreditonte gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo sjellje ngre shqetësime për ndarjen e pushteteve.

Pezullimi i një zyrtari të lartë i urdhëruar nga GJKKO dhe SPAK, si dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar, shkaktuan reagime të forta negative nga ekzekutivi dhe legjislativi, përfshirë sulme të drejtpërdrejta kundër SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. 

Në disa çështje me profil të lartë, politikanët kritikuan edhe Gjykatën Kushtetuese, duke vënë në dyshim autoritetin e saj ose duke sulmuar verbalisht gjyqtarë të veçantë.

Tetë magjistratë – dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë – janë vendosur në mbrojtje të veçantë si pasojë e kërcënimeve.”

Transparenca dhe konsultimet publike

"Kuadri ligjor për proceset e konsultimit publik ekziston, por ai nuk sjell në mënyrë të qëndrueshme ndjekje të rregullt dhe transparente të nismave ligjore.

Shpesh projektligjet paraqiten nga deputetët e mazhorancës në afate kohore të limituara, duke ndikuar në cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ dhe duke anashkaluar konsultimet e duhura publike.

Konsultimet publike nuk u kryen në mënyrë efikase dhe të rregullt.

Aktet normative dhe buxheti

Qeveria vazhdoi të miratojë rishikime të buxhetit përmes akteve normative, pa mbikëqyrje parlamentare.

“Praktika e kryerjes së rishikimeve buxhetore vetëm përmes akteve normative nga ekzekutivi ka vazhduar, duke dobësuar qëndrueshmërinë fiskale, mbikëqyrjen dhe transparencën.”

Mjedisi dhe ligjet klienteliste

Dobësitë në qeverisjen dhe zbatimin e masave për mbrojtjen e mjedisit – përfshirë ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjen e Ligjit për investimet strategjike – kanë çuar në përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës dhe kanë kontribuar në protestat që filluan në maj 2026.

Protestat dhe mungesa e dialogut

“Protestat e përditshme po zhvillohen që nga maji 2026. Ato nisën nga shqetësimet për mbrojtjen e natyrës pas nisjes së punimeve për ndërtimin e një resorti në peizazhin e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës dhe u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, përpjekje kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Deri më tani nuk ka pasur dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të vërteta për t’u angazhuar në dialog konstruktiv.”

Liria e Medias

“Pavarësia dhe pluralizmi i mediave vazhdojnë të ndikohen nga përfshirja në tregun mediatik e grupeve të biznesit me lidhje politike dhe nga ndërthurja mes interesave ekonomike dhe interesave politike të pronarëve të medias. Liria e mediave ndikohet nga mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së mediave në një grup të vogël, intimidimi nga fushatat shpifëse, paditë dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët.”

Ekonomia, biznesi i shqetësuar nga korrupsioni dhe mungesa e transparencës

“Ekonomia mbajti një ritëm të fortë rritjeje në 2025, e nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe turizmi; borxhi publik vazhdoi të ulej dhe inflacioni mbeti në objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Tregu i punës u përmirësua, megjithëse problemet strukturore dhe emigrimi vazhdojnë.

Shpenzimet për investime publike vazhdojnë të mos realizohen, çka tregon dobësi në planifikimin dhe zbatimin e projekteve.

Raporti thekson se klima e biznesit vazhdon të dëmtohet nga sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni dhe problemet me çështjen e pronës.

Bizneset ngrenë shqetësime të vazhdueshme për mungesën e transparencës në dhënien e statusit të investitorit strategjik, për kontratat e koncesioneve dhe ato të partneriteteve publike-private (PPP).

Në prill 2026 u miratua një regjim i posaçëm për ndërtimin e porteve turistike, që u jep privilegje shtesë investitorëve strategjikë dhe shmang procedurat standarde të prokurimit publik. Komisioni e vlerëson këtë praktikë si problematike për transparencën dhe trajtimin e barabartë.

Komisioni kërkon të përshpejtohen përpjekjet për hartimin dhe miratimin e një ligji të unifikuar për investimet, duke shfuqizuar njëkohësisht Ligjin për investitorët strategjikë.”

Progres-raporti i këtij viti lë pak vend për interpretim. Shqipëria ka bërë hapa përpara falë SPAK-ut dhe reformës në drejtësi, por Brukseli po e bën të qartë se këto nuk mjaftojnë. Mesazhi i sotshëm i Komisionit është i fortë: pa llogaridhënie reale, pa respekt për balancën e pushteteve, rrugëtimi drejt Bashkimit Europian mbetet i brishtë.

Shpërndaje te miqtë