
Ndarja territoriale nuk ka të bëjë vetëm me administrimin e territorit dhe ushtrimin e pushtetit vendor. Ajo ka të bëjë edhe me aritmetikën e votave.
Prandaj, propozimi i shumicës socialiste për ndarjen e re administrativo-territoriale duhet shqyrtuar edhe nga ndikimi potencial mbi shpërndarjen e votave dhe balancat politike në pushtetin lokal.
Për një vështrim të përgjithshëm të efekteve të mundshme elektorale, Exit.al ka analizuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit vendore të vitit 2023 në secilën prej njësive që preken nga ndryshimet e propozuara.
Natyrisht, ky është një vështrim statik, që nuk merr parasysh ndryshimet e popullsisë dhe ndryshimet e preferencave të votuesve që nga zgjedhjet e shkuara vendore.
Prandaj, ai duhet të merret si një përpjekje orientuese dhe jo shpjeguese e gjendjes së tanishme elektorale.
***
Kavajë–Rrogozhinë. Socialistët duan që Kavaja të përthithë edhe Bashkinë e Rrogozhinës. Në vitin 2023, Partia Socialiste fitoi me 21 vota diferencë në një garë shumë të fortë dhe të barabartë (5 129 vota përkundër 5 108 votave). Në Kavajë, socialistët humbën me 855 vota ose rreth 3,8% të totalit (10 914 vota përkundër 11 769 votave).
Nëse të dyja bashkitë kthehen në një të vetme, mund të ngushtohet rezultati në bashkinë e re të Kavajës, e cila pritet t’u mbetet demokratëve, por shmanget rreziku i humbjes në Rrogozhinë—pra, shmanget skenari ku opozita do t’i fitonte të dyja bashkitë.

Berat–Dimal–Poliçan. Propozimi parashikon përthithjen e bashkive të tanishme Dimal dhe Poliçan në Bashkinë Berat.
Në zgjedhjet e vitit 2023, në Dimal mazhoranca fitoi me një diferencë prej rreth 1,7% ndaj opozitës së fragmentuar në dy kandidatë (5 778 vota përkundër 5 584 votave).
Ndërsa Berati dhe Poliçani janë bastione socialiste, bashkimi me to i Dimalit do të shmangte një humbje të mundshme atje.

Elbasan–Cërrik–Belsh. Projekti i ri përfshin bashkitë Cërrik dhe Belsh në Bashkinë Elbasan. Në vitin 2023, socialistët fituan në Belsh me vetëm 49 vota ose më pak se gjysmë për qind të totalit (4 564 përkundër 4 515 votave). Bashkimi shmang rrezikun e humbjes potenciale të kësaj bashkie nga socialistët.
Ndërkohë, thellohet dominimi socialist në Bashkinë e Elbasanit, ku diferenca midis dy kampeve rritet ndjeshëm.

Librazhd–Prrenjas. Bashkimi i Prrenjasit me Librazhdin nuk pritet të ketë ndonjë efekt ndryshues elektoral, pasi në të dyja bashkitë dominon thellë Partia Socialiste.

Gjirokastër–Libohovë. Në Qarkun e Gjirokastrës, Libohova parashikohet t’i bashkohet Gjirokastrës. Në vitin 2023, PS-ja mori 139 vota më shumë se opozita në Libohovë (1 387 vota përkundër 1 248 votave). Edhe këtu shmanget një rrezik i mundshëm për humbjen e socialistëve në Libohovë, ndërkohë që bashkia e madhe do të dominohet ndjeshëm nga socialistët.

Tepelenë–Memaliaj. Memaliaj është propozuar të përthithet nga Tepelena. Demokratët e fituan Memaliajn me 316 vota në vitin 2023 (3 017 përkundër 2 701 votave). Me bashkimin e saj me Tepelenën, ku socialistët dominojnë ndjeshëm, shmanget rreziku i humbjes së tyre sërish në Memaliaj.

Fier–Patos dhe Lushnjë–Divjakë. Në Qarkun e Fierit është propozuar që Patosi t’i bashkohet Fierit, ndërsa Divjaka Lushnjës. Këto lëvizje nuk kanë efekte ndryshuese elektorale, pasi, si në Fier, edhe në Lushnjë, Partia Socialiste dominon thellë dhe pritet ta thellojë diferencën.


Mat–Klos. Në Qarkun e Dibrës, Partia Socialiste ka dominuar si Bashkinë Klos, edhe atë Mat. Bashkimi i tyre çon në një fitore më të thellë socialiste.

Fushë-Arrëz–Pukë. PD-ja i fitoi të dyja bashkitë në vitin 2023 me rezultat të ndjeshëm. Duke u shkrirë në një bashki, demokratët thellojnë potencialisht fitoren, tashmë në një bashki të vetme.

Vlorë–Selenicë. Edhe bashkimi i Selenicës me Vlorën nuk do të sjellë ndonjë ndikim ndryshues elektoral—me gjasa bashkimi mund të thellojë fitoren socialiste.

Korçë-Maliq. Asnjë ndikim ndryshues elektoral nuk pritet të sjellë as bashkimi i Maliqit në Bashkinë Korçë—partia Sociaiste ka patur përparësi të ndjeshme në secilën prej bashkive.

