Ambasadorja e Trampit në Athinë drejt shkarkimit. Dy herë në Tiranë për kompaninë Aktor që dënoi Shqipërinë në arbitrazh

Alba Mborja 13 Tetor 2026, 02:25

Ambasadorja e Trampit në Athinë drejt shkarkimit. Dy herë në

Presidenti Tramp deklaroi të hënën se po shqyrton shkarkimin e ambasadores amerikane në Greqi, Kimbërli Gilfojëll, ish-të fejuarës së Donald Tramp të Riut.

“Po e shqyrtojmë. Po, nuk jemi të kënaqur”, u tha ai gazetarëve, pas një vargu zbulimesh të gazetës Wall Street Journal (WSJ) në tre artikuj invetigativë të thelluar.

Sipas WSJ, zyrtarët e administratës e kaluan fundjavën duke diskutuar nëse ajo duhet të mbetet në post. Disa prej tyre kanë propozuar që Gilfojëll të japë vetë dorëheqjen, për t'ia kursyer Trampit sikletin e shkarkimit. Sipas Associated Press, Tramp dhe sekretari i Shtetit, Marko Rubio, janë "jashtëzakonisht të inatosur" me të.

Kërkesa ndaj një donatori, të cilit Gilfojëll i premtonte akses te zyrtarët e lartë të administratës në këmbim të 100 mijë dollarëve, është njëra nga dy akuzat më të rënda të WSJ. Tjetra është promovimi i një kompanie private greke, Aktor, në gjithë Ballkanin, përfshirë Shqipërinë.

Ambasadore në shërbim të kompanisë greke Aktor

Sipas WSJ, Gilfojëll u ka bërë presion qeverive të rajonit që të punojnë me Aktor Group, një kompani greke ndërtimi, e cila sapo ka hyrë në biznesin e gazit në partneritet me kompaninë shtetërore greke DEPA.

Në Bullgari, ajo u tha hapur zyrtarëve se duhej të furnizoheshin me gaz nga Aktori. Gazeta thekson se atje ajo kishte fluturuar me avionin privat të kreut të Aktorit.

Në takimet me zyrtarë të lartë, përfshirë takimin me presidentin bullgar, ajo shoqërohej nga Kristos Marafacos, një lobist amerikan i pajtuar nga kompania Aktor.

WSJ raporton se Marafacos e shoqëronte ambasadoren aq shpesh, saqë disa zyrtarë të huaj e kanë menduar për shefin e kabinetit të saj.

Ambasadorja e Trampit në Athinë drejt shkarkimit. Dy herë në
Gilfojëll në Presidencën bullgare, në Sofje, krah lobistit të Aktorit, Kristos Marafacos (i pari djathtas saj). Foto: Kimberly Guilfoyle / X

Marafacos u regjistrua si lobist i Aktorit vetëm pak ditë pasi Gilfojëll mbërriti në Athinë dhe deri në qershor 2026 ishte paguar të paktën 160 mijë dollarë nga kompania. Disa nga zyrtarët që janë takuar me të pohojnë se ai nuk e ka deklaruar asnjëherë lidhjen e tij me Aktorin.

Rregullat federale amerikane u ndalojnë shprehimisht nëpunësve të shtetit përdorimin e detyrës për të promovuar kompani private, si dhe pranimin e dhuratave nga subjekte që kanë interes në punën e tyre.

Fluturimi me avionin privat të shefit të kompanisë që ambasadorja promovonte është pikërisht lloji i dhuratës që këto rregulla ndalojnë. Nga ana tjetër, futja e një lobisti të padeklaruar në takimet diplomatike i jep një kompanie private akses te qeveritë e rajonit që asnjë konkurrent nuk e ka.

Nëse zbulimet e WSJ vërtetohen, përfundimi është se Gilfojëll e ka kthyer postin e ambasadores në instrument lobimi për biznesin privat duke shkelur një sërë ligjesh federale amerikane.

Ambasadorja e Trampit në Athinë drejt shkarkimit. Dy herë në
Ambasadorja Kimbërli Gilfojëll me lobistin e Aktorit, Kristos Marafacos, në konferencën energjetike P-TEC në Athinë. Foto: The Wall Street Journal

Kërcënimi, fatura dhe avionët privatë

Akuzat ndaj Gilfojëll nuk ndalen te Aktori. WSJ ka sjellë edhe një sërë shkeljesh të tjera.

"Mund ta bëjmë edhe këtu". WSJ raporton se në një darkë në Athinë, marsin e shkuar, duke pretenduar se rënien e qeverisë rumune e kishte nxitur administrata amerikane, Gilfojëll i ka thënë ministrit grek të Energjisë, Stavros Papastavru: "Këtë mund ta bëjmë me çdo vend. Mund ta bëjmë edhe këtu." Avokati i saj e kundërshton këtë version të gazetës.

100 mijë dollarë në këmbim të favoreve. Javën e kaluar, ndërsa Rubio ndodhej në Athinë, WSJ publikoi mesazhe në Signal të korrikut 2025, pak ditë para seancës të konfirmimit të saj në Senat, ku Gilfojëll i kërkonte një donatori të Trampit, Erik Deters, t'i paguante një faturë prej 100 mijë dollarësh të kartës American Express. Në këmbim, ajo i premtonte ndihmë dhe akses te zyrtarët e administratës. Deters thotë se nuk pagoi.

Davosi dhe udhëtimet luksoze. Në janar 2026, gjatë Forumit Ekonomik Botëror, Gilfojëll u tërbua kur mësoi se nuk ishte në listën e të ftuarve për një darkë në nder të Erik Trampit, të organizuar nga Shtëpia Greke në Davos.

Sipas WSJ, për t’u ftuar në darkë, ajo i kërkoi ndihmë një biznesmeni amerikan që ishte në listë, duke i premtuar, "mund të ta jap botën” dhe "do të të bëj të fitosh një thes me para". Në të njëjtën bisedë, ajo u mburr me lidhjet e saj me dy manjatë grekë, të cilët, sipas saj, i financonin udhëtimet luksoze nëpër botë. Në fund, ajo e siguroi një ftesën në çastin e fundit.

Ambasadorja e Trampit në Athinë drejt shkarkimit. Dy herë në
Raportimet e Wall Street Journal që e çuan ambasadoren Gilfojëll në prag të shkarkimit. Burimi: The Wall Street Journal

Avionët privatë. Në Davos, Gilfojëll kishte fluturuar me avion privat bashkë me Aleksandros Eksarhun, kreun e Aktorit, gjë që e pranon vetë në regjistrim. Po atë muaj planifikonte të fluturonte drejt Parisit me avionin e manjatit grek të transportit detar, Nikolas Cakos, për të ndjekur shfaqjen e modës së bashkëshortes së tij. Me Cakosin kishte kaluar edhe një pjesë të festave të fundvitit në resortin ultraluksoz zviceran të Gstadit.

Në Bullgari ajo udhëtoi me abionin e Eksarhunit. Edhe për të paraqitur letrat kredenciale në nëntor 2025, ajo kishte mbërritur në Athinë me avion privat, bashkë me biznesmenin greko-amerikan Erik Vasilatos.

Marrëdhëniet me stafin. Sipas Daily Mail, ambasadorja ka krijuar marrëdhënie të vështira me personelin e ambasadës dhe është sjellë në mënyrë të padenjë për një përfaqësuese të qeverisë amerikane.

Gilfojëll nuk u është përgjigjur drejtpërdrejt akuzave. Avokatët e saj, Dejvid Shuarc dhe Xhesi Binall, kanë mohuar që ajo ketë kryer ndonjë shkelje.

Dy vizita në Tiranë, në shërbim të së njëjtës kompani

Edhe pse nuk është ambasadore në Shqipëri, Gilfojëll ka ardhur dy herë në Tiranë gjatë këtij viti. Të dyja herët, në qendër të vizitës ka qenë kompania Aktori.

Herën e parë, më 12 mars, ajo erdhi për një takim joformal me kryeministrin Edi Rama, e shoqëruar nga pronari i Aktorit, Aleksandros Eksarhu.

Herën e dytë, më 28 prill, ajo mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një kontratë 20-vjeçare mes Shqipërisë dhe kompansië Aktor. Për Aktorin, kontratën e nënshkroi filiali i tij Aktor LNG USA, ndërsa për palën shqiptare kompania shtetërore Albgaz.

Ambasadorja e Trampit në Athinë drejt shkarkimit. Dy herë në
Ambasadorja Kimbërli Gilfojëll dhe kryeministri Edi Rama gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Aktor, Tiranë, 28 prill 2026. Foto: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Kontrata, me vlerë rreth 6 miliardë dollarë, parashikon furnizimin e Shqipërisë me 1 miliard metra kub gaz të lëngshëm amerikan në vit, duke nisur nga viti 2030.

Po atë ditë, Aktor Energy USA nënshkroi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë një memorandum për një nyje energjetike në Vlorë, ku grupi do të ndërtojë, ndër të tjera, një central me gaz me kapacitet rreth 380 MW.

Marrëveshjen e firmosën Eksarhu, ministri Enea Karakaçi dhe drejtoresha e Albgaz, Amarda Kapaj, në praninë e Ramës dhe të Gilfojëll.

Ambasadorja e shpalli marrëveshjen në llogarinë e saj zyrtare në X. Shkroi se ishte nderuar të vinte në Tiranë për të çuar përpara agjendën energjetike të presidentit Tramp dhe për t'iu bashkuar Ramës në nënshkrimin e "një marrëveshjeje historike mes Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA".

Ambasadorja e Trampit në Athinë drejt shkarkimit. Dy herë në
Hyrja e tunelit në autostradën Tiranë–Elbasan, ndërtuar nga konsorciumi Copri–Aktor. Foto: Exit.al

Kompania Aktor ka histori të mëparshme me shtetin shqiptar. Në konsorcium me kompaninë Copri, ajo ndërtoi nga viti 2012 autostradën Tiranë–Elbasan, por punimet përfunduan në konflikt me Autoritetin Rrugor Shqiptar për kostot shtesë dhe afatet. Në vitin 2020, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Paris i dha të drejtë konsorciumit dhe e detyroi Shqipërinë të paguante mbi 44 milionë dollarë dëmshpërmblim për Aktorin, plus shpenzimet gjyqësore.

Pyetjet për qeverinë

Nëse akuzat e WSJ qëndrojnë, marrëveshja shqiptare nuk është thjesht bashkëpunim energjetik me Amerikën. Ajo është pjesë e së njëjtës skemë lobimi që tani po hetohet në Uashington.

Prandaj qeveria shqiptare duhet t'u përgjigjet disa pyetjeve.

Si mund të angazhohet qeveria të blejë gaz për 6 miliardë dollarë, kur vendi nuk ka pothuajse asnjë infrastrukturë për përdorimin e gazit, e aq më pak për importin e gazit të lëngshëm?

Si u zgjodh Aktori, një kompani pa përvojë të mëparshme në tregtimin e gazit dhe që e ka mundur Shqipërinë në arbitrazh, për një kontratë 20-vjeçare prej 6 miliardë dollarësh? A u shqyrtua ndonjë alternativë?

Çfarë kërkonte ambasadorja e një vendi tjetër në një takim joformal me kryeministrin, krah pronarit të Aktorit? A ishte Marafacos i pranishëm në takimet në Tiranë?

Dhe kur do ta bëjë publike qeveria tekstin e kontratës dhe të memorandumit për Vlorën?

Gilfojëll, ish-prokurore në Kaliforni dhe ish-prezantuese e Fox News, mori detyrën në Athinë në nëntor 2025.

 

Shpërndaje te miqtë