Affinity Partners e Kushnerit nuk është pjesë e projektit të Zvërnecit

Alba Mborja 10 Qershor 2026, 02:36

Affinity Partners e Kushnerit nuk është pjesë e projektit të

Një deklaratë zyrtare për mediat ndërkombëtare ka sqaruar se Affinity Partners nuk është zhvilluesi i projektit të Zvërnecit, ndërsa dokumentet e pronësisë tregojnë se kontrolli formal mbi zhvillimin duket se është përqendruar tek vëllezërit miliarderë sirianë Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat.

Një sërë mediash ndërkombëtare i janë drejtuar javën e fundit fondit investues Affinity Partners të Jared Kushner për komente lidhur me projektin. Kompania ka refuzuar të përgjigjet drejtpërdrejt, duke i drejtuar gazetarët tek një agjenci e marrëdhënieve me publikun (PR).

Në një përgjigje me email të kësaj agjencie dërguar disa mediave bien në sy dy pohime të rëndësishme.

Së pari, agjencia sqaron se Affinity Partners nuk është pjesë e zhvillimit të projektit.

Së dyti, agjencia pohon se çdo investitor i përfshirë në projekt e bën këtë si individ "në cilësinë e tij personale".

Me fjalë të tjera, agjencia thotë se fondi Affinity Partners i Kushnerit nuk është as pjesë e zhvillimit dhe as investitor në projektin e Zvërnecit; nëse persona të afërt apo të lidhur me Kushner dhe kompaninë e tij do të investojnë në Zvërnec, ata e bëjnë këtë si individë por jo si përfaqësues të fondit apo të Kushnerit.

Kjo deklaratë e mbyll pretendimin se në Zvërnec do të ketë investim nga kompania e Kushnerit apo nga kompani amerikane.

Nga ana tjetër, në njoftimin e saj, agjencia e PR informon se zhvillimin e Zvërnecit po e udhëheq një kompani e quajtur Sazan Real Estate Development LLC (SRED), për të cilën agjencia nuk jep asnjë të dhënë me përjashtim të drejtuesit të saj.

Agjencia identifikon Asher Abehserën, partner në disa sipërmarrje të mëparshme me Xhared Kushner, si drejtor ekzekutiv të SRED-së dhe përcjell një deklaratë të tij.

Dokumentet tregojnë se kjo kompani është bërë tashmë hallka kryesore e strukturës së financimit dhe zbatimit të projektit të ndërtimit në Zvërnec.

Por çfarë është SRED-ja?

SRED është kompani e themeluar dhe regjistruar në tetor 2025 në Katar. Shumicën e aksioneve të saj e kontrollojnë vëllezërit sirianë Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat përmes një zinxhiri kompanish nën pronësinë ose kontrollin e tyre.

Affinity Partners e Kushnerit nuk është pjesë e projektit të

Bashkëpronarë me kompaninë e vëllezërve Al-Khayyat në SRED janë dy kompani të tjera: Global Travel Retails SA, e regjistruar në Luksemburg, dhe Jamco Global LLC, e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara.

Të dyja këto kompani janë kompani guackë dhe përfituesit fundorë të tyre nuk identifikohen në regjistrat publikë.

SRED bleu më 6 maj kompaninë Universal Properties Project B.V., e cila është kompania mëmë e Zvërnec South Adriatic Development shpk, kompanisë shqiptare në emër të së cilës është dhënë leja e zhvillimit dhe është aplikuar për lejen e ndërtimit në Zvërnec.

Kjo do të thotë se SRED tashmë është në krye të zinxhirit të pronësisë së kompanisë që mban të drejtat e zhvillimit të projektit në Shqipëri.

Affinity Partners e Kushnerit nuk është pjesë e projektit të

Për vite me radhë, pronësia e kompanisë që kontrollonte zhvillimin në Zvërnec ishte fshehur pas një zinxhiri kompanish guackë të regjistruara në Holandë.

Me hyrjen e SRED-së në strukturë, kontrolli formal mbi projektin duket se kalon kryesisht tek grupi Al-Khayyat.

Megjithatë, jo të gjithë partnerët janë identifikuar.

Sikurse u theksua, një pjesë e pronësisë së SRED-së mbetet e lidhur me kompani të regjistruara në Luksemburg dhe Delaware, për të cilat nuk ka informacion publik mbi përfituesit fundorë.

Po aq domethënës është edhe formulimi i përdorur nga përfaqësuesit e projektit se investitorët marrin pjesë "në cilësinë e tyre personale".

Duke e përmbledhur, struktura e pronësisë dhe investimit në projektin e Zvërnecit mund të përmblidhet tashmë përmes katër fakteve:

Së pari, Affinity Partners i Xhared Kushner nuk është as investitor dhe as zhvillues i projektit.

Së dyti, çdo qytetar amerikan që mund të marrë pjesë në investimin në Zvërnec e bën këtë si individ dhe jo si përfaqësues i Affinity Partners apo ndonjë kompanie tjetër amerikane.

Së treti, kontrolli formal mbi pronësinë dhe strukturën e investimit është përqendruar tek grupi i kompanive të lidhura me vëllezërit sirianë me bazë në Katar Al-Khayyat.

Dhe së fundi, një pjesë e partnerëve në kompaninë që zhvillon projektin mbetet e paidentifikuar publikisht pas dy kompanive, njëra e regjistruar në Luksemburg dhe tjetra në Delaware.