Aeroporti i Vlorës, dështimi i një koncesioni të dyshimtë

Bledar Zaganjori 7 Gusht 2026, 11:01

Aeroporti i Vlorës, dështimi i një koncesioni të

Aeroporti i Vlorës nuk ka qenë një premtim elektoral i Edi Ramës. Por me ardhjen në pushtet, Kryeministri vendosi që Shqipëria duhet të kishte një aeroport të dytë ndërkombëtar, përveç atij të Rinasit, dhe ky aeroport do të shërbente në Vlorë, kryesisht për t’i dhënë hov turizmit në jug të vendit.

Por si shpeshherë në qeverisjen e tij realizimi i veprave të mëdha infrastrukturore përfundon në skandale.

Dhe i tillë ishte edhe projekti i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, të cilit 8 vjet pas zanafillës nuk i dihet se cili do të jetë fundi dhe që i rrezikon Shqipërisë një faturë qindra e qindra milionë euro që do të paguhen me paratë e qytetarëve.

***

Në janar 2018, pas një takimi në Ankara me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, Kryeministri Edi Rama deklaroi se kishte marrë një kërkesë nga një konsorcium prej tre kompanish turke – Cengiz, Kalyon dhe Kolin – për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi menjëherë një ligj special që autorizoi qeverinë të negocionte drejtpërdrejt vetëm me këtë konsorcium.

Formula e investimit ishte partneriteti publik-privat (PPP)— turqit do të investonin me kapitalin e tyre koston e ndërtimit rreth 100 milionë euro dhe do ta merrnin investimin nga shfrytëzimi i aeroportit.

Por, negociatat mes qeverisë dhe konsorciumit dështuan, pasi turqit kërkuan garanci kompensimi nga shteti shqiptar në rastin kur aeroporti nuk garantonte fluksin e mjaftueshëm vjetor të udhëtarëve.

Ky dështim nuk e zbrapsi qeverinë shqiptare nga dëshira për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ajo u tërhoq nga negociatat direkte dhe hapi garë.

Në mars 2021 u shpall fitues një bashkim kompanish i përbërë nga Mabco Constructions e Behgjet Pacollit (me 50%), kompania turke YDA (me 48%) dhe kompania kosovare 2A Group e sipërmarrësit Valon Ademi (me 2%). Kompania turke ishte në rolin e investitorit strategjik—pra të kompanisë që plotësonte kapacitetet teknike që ishte kusht i tenderimit.

Konsorciumi premtoi një investim mbi 103 milionë euro në këmbim të një koncesioni 35-vjeçar për shfrytëzimin e aeroportit.

Tetë muaj më vonë, në nëntor 2021, konsorciumi nisi punimet në kantierin e Akernisë, vendi ku do të ndërtohej aeroporti.

Ekspertë të mjedisit dhe organizata mjedisore shqiptare e të huaja zhvilluan protesta kundër ndërtimit të aeroportit, pasi vendi i tij ndodhej brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.

Protestat nuk gjetën përkrahje në publik dhe as pasqyrim në media dhe nuk ndryshuan planin e qeverisë.

Punimet vijuan normalisht sipas koncesionit deri në fund të vitit 2022.

Në fund të vitit 2022, një vit pasi aeroporti kishte nisur të ndërtohej, kompania turke YDA largohet papritur nga projekti.

Aksionet e saj i kaluan Mabco Constructions të Behgjet Pacollit, e cila siguroi kontrollin e 98% të kuotave, ndërsa 2% i mbeten kompanisë 2A Group.

Largimi i YDA nga koncesioni shkaktoi mjaft dyshime, pasi kompania turke i shiti aksionet e saj, rreth 48% përqind, për vetëm 4 500 euro—një vlerë qesharake në raport me madhësinë dhe rëndësinë e investimit.

Sipas Ligjit për Koncesionet, nëse largohet partneri strategjik kontrata mund të vazhdojë vetëm nëse ai zëvëndësohet nga një tjetër kompani që përmbush kriterin teknik të përvojës dhe kapacitetit teknik të paktën në nivelin e kompanisë së larguar.

Në mënyrë të pa shpjeguar, Ministria e Infrastrukturës miratoi shitjen e aksioneve tek Mabco që nuk plotësonte kushtin e investitorit strategjik në shkelje të kërkesës së ligjit.

I parashikuar të përfundonte tre vjet pas nisjes së punimeve, aeroporti i Vlorës shkeli afatin e parë të premtuar.

Në nëntor 2024, koncesionari nuk kishte ndërtuar as pistën dhe as terminalin, siç parashikohej në kontratë.

Por qeveria mbylli sytë dhe lejoi zgjatjen e punimeve.

Në mes të fushatës elektorale në maj 2025, Kryeministri Rama organizoi një ceremoni “përurimi” të aeroportit me uljen e avionit privat të Pacollit.

Por as ky fluturim dhe as premtimi se aeroporti do të ishte funksional shumë shpejt nuk e hapën praktikisht aeroportin.

Pak muaj më vonë, nisën përplasjet e para mes dy ortakëve të koncesionit, Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit, mbi të drejtat e votës në vendim-marrjen e koncesionit, menaxhimin e fondeve dhe emërimin e administratorit të ri.

Përplasja u përshkallëzua ndër muaj nga një mosmarrëveshje tregtare për aksionet dhe kontrollin adminsitrativ në akuza për mashtrim.

Ademi pretendoi 49% të aksioneve bazuar në një marrëveshje investimi mes palave të nënshkruar në prill 2025.

Pacolli këmbëngul se Ademit i takojnë vetëm 2% bazuar në investimet reale që ka kryer, duke pretenduar se marrëveshja e 2025-s është manipuluar dhe për këtë akuzon ish-administratorin e kompanisë koncesionare.

Tensionet u përshkallëzuan më tej kur u zbulua një kredi 100 milionë euro që Pacolli kishte marrë nga Fondi Delphos duke lënë kolateral shoqërinë koncesionare.

Ademi nuk e njohu këtë veprim dhe e bllokoi atë fillimisht në gjykatë duke akuzuar Pacollin për tentativë shitjeje të aeroportit te interesat ruse.

Vetë Pacolli i ka quajtur shpifje akuzat e Ademit, ndërsa është shprehur se sulmet ndaj tij janë orkestruar nga politika me qëllim marrjen e kuotave të koncesionit.

Në një intervistë televizive, ai akuzoi direkt ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku për paracaktim të garës dhe pazar përqindjesh me investitorët turq para tenderit.

Në qershor, SPAK dhe Prokuroria e Tiranës nisën hetime penale të thelluara për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh ndaj drejtuesve të koncesionit.

Konflikti mes palëve bllokoi për më shumë se një vit përparimin dhe mbylljen e punimeve.

Për rrjedhojë, në shkurt 2026 mbaroi afati i përcaktuar për përfundimin e aeroportit. Në maj përfundoi edhe afati prej 90 ditësh brenda të cilit duhej arritur certifikimi i aeroportit dhe nisja e funksionimit të tij.

Pas mbarimit edhe të këtij afati, qeveria shqiptare, pavarësisht se akuzohej prej Pacollit si palë e fshehur në konflikt, gjobiti fillimisht kompaninë me 30 mijë euro, nisi faturimin e penaliteteve ditore dhe aktivizoi procedurat për anulimin e kontratës 35-vjeçare.

Dje, ministria njoftoi se kishte nisur procedurat ligjore për anulimin e kontratës koncesionare.

Ky vendim është kundërshtuar nga Mabco Constructions.

Pronari i saj Behgjet Pacolli ka deklaruar se do ta dërgojë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar, duke kërkuar nga shteti shqiptar paratë e investimit, fitimin e munguar dhe të gjitha shpenzimet juridike, të cilat ai i vlerëson në total mbi 300 milionë euro.

Sido që të shkojë çështja, gjendja ku ndodhemi sot duket si një film i përsëritur kaq herë: një tjetër koncesioni i dyshimtë, me marrëveshje në tavolinë e para cash në dorë, me politikën në nivelet më të larta të përfshirë në këtë aferë të dyshuar, ndërsa faturën qindra miliona euroshe, si gjithmonë, rrezikojnë ta paguajnë shqiptarët.

Shpërndaje te miqtë