
Në kulmin e akuzave dhe goditjeve ndaj qeverisjes së tij, Kryeministri Rama po mundohet të drejtojë një pjesë të zemërimit popullor tek një shënjestër tjetër: gjyqtarët.
Një mosmarrëveshje mes tij dhe gjyqtarëve për pagat e tyre, kryeministri po e paraqet në publik me nota teatrale revoltimi si lakmi për para dhe luks nga ana e tyre, duke e kontrastuar me njerëzit e thjeshtë dhe punonjësit e tjerë publikë.
Kryeministri, që nuk ka reaguar asnjëherë për pasuritë e paligjshme që po u zbulohen ministrave të tij, po lufton një kërkesë në thelb të ligjshme të gjyqtarëve, pavarësisht gjykimeve të tjera mbi madhësinë e rrogave.
Cilat janë faktet e konfliktit?
Ligji për Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit në Republikën e Shqipërisë, pjesë e reformës në drejtësi të vitit 2016, i përcakton rrogat e gjyqtarëve dhe prokurorëve si shumëfish të pagës së drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri.
Thënë thjeshtë: paga e një gjyqtari llogaritet nisur nga paga aktuale e drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri, duke e shumëzuar me një koeficient të përcaktuar në ligj dhe duke i shtuar disa shtesa të caktuara po në ligj.
Paga e drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri caktohet nga qeveria, dhe sa herë që kjo pagë rritet, automatikisht duhet të rritet edhe paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në vitin 2023, me propozim të qeverisë, Kuvendi miratoi reformën e pagave në administratë. Kjo reformë e rriti rrogën e Drejtorit të Përgjithshëm në Kryeministri në nivelin 231 mijë lekë në muaj.
Për rrjedhojë, që nga çasti i rritjes së rrogës së drejtorit të përgjithshëm, duhet të rriteshin automatikisht edhe rrogat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por qeveria refuzoi të kalonte buxhetin e shtuar për të financuar rritjen e rrogave të magjistratëve, duke interpretuar se ligji i lidhte pagat mit nivelin fiks të vitit 2016 dhe jo me çdo lloj rritjeje të mëpasshme të pagës së drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri.
Pas një sërë refuzimesh nga qeveria, fillimisht Unioni i Gjyqtarëve më 20 mars të vitit të shkuar dhe më pas Shoqata e Gjyqtarëve më 17 nëntor 2025 e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Më 17 shkurt 2026, Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë gjyqtarëve dhe urdhëroi qeverinë që të bënte rregullimet ligjore për përcaktimin e saktë të pagës së gjyqtarëve deri më 31 korrik 2026.
Por qeveria shqiptare nuk ndërmori asnjë hap për të zbatuar vendimin e GJK-së.
Për pasojë, në fund të muajit gusht, në datë 26 gusht, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) mori vendim për përcaktimin e pagave të gjyqtarëve, duke marrë për referencë pagën e tanishme të drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri dhe duke bërë llogaritjet mbi të, sipas përcaktimeve të ligjit të vitit 2016.
Gjyqtarët barazuan pagën referuese me këtë pagë, duke zbatuar detyrimin ligjor të vendosur me reformën në drejtësi të vitit 2016.
Mbi këtë bazë, gjyqtarët kërkojnë që buxheti i shtetit t'i kompensojë për pagën e munguar dhe të paguajë pagat nga tani e tutje sipas përcaktimeve ligjore të llogaritura nga KLGJ.
