A po e ndëshkon Rama Veliajn se kërkoi reflektim edhe në Shqipëri pas zgjedhjeve në Serbi?

Bledar M. Kurti 29 Tetor 2026, 13:15

A po e ndëshkon Rama Veliajn se kërkoi reflektim edhe në

Dy ditë pasi përshëndeti humbjen e Aleksandar Vučićit në Serbi dhe kërkoi reflektim edhe në Shqipëri, Erion Veliaj është transferuar në mënyrë të papritur nga vendi ku ndodhej i izoluar në pritje të procesit, në një burg të sigurisë së lartë.

Transferimi nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit është kundërshtuar nga Veliaj, që e ka cilësuar atë si “një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore” dhe “një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”.

A po e ndëshkon Rama Veliajn se kërkoi reflektim edhe në

Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, i përforcoi të enjten në mëngjes aludimet “për ndëshkim politik me urdhër”, kur deklaroi se transferimi ka ardhur si “një reagim shqetësues” nga qeveria për qëndrimet publike të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Deklarata e Veliajt erdhi në një kohë kur në Tiranë, njësoj si në Serbi dy vitet e fundit, për shumë muaj ka pasur protesta masive të studentëve dhe të qytetarëve të tjerë të revoltuar, që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Ky qëndrim i Veliajt, ndonëse ai u kujdes të fliste në mënyrë të përgjithshme, është interpretuar si një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Rama, i vënë në qendër të zemërimit publik dhe të kërkesës së vazhdueshme për largim nga detyra.

Megjithëse Veliaj dhe avokati i tij nuk e përmendin drejtpërdrejt kryeministrin Rama dhe fajësojnë drejtorinë e Burgjeve dhe Ministrinë e Drejtësisë si institucione, reagimet e tyre për hakmarrje politike e nënkuptojnë kryeministrin.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka shërbyer më parë përkrah Veliajt në administratën e Bashkisë dhe konsiderohet si një investim politik i tij në Partinë Socialiste.

Transferimi i Veliajt është debatuar edhe brenda Partisë Socialiste, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar përpara seancës së ditës së enjte.

Ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i kërkoi llogari, madje edhe dorëheqjen, ministrit të Drejtësisë nëse transferimi nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit është bërë pa një arsyetim zyrtar.

Veliaj, kryetar ende në detyrë i Bashkisë së Tiranës, është arrestuar më 10 shkurt të vitit 2025 me akuza, ndër të tjera, për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Përpara se të arrestohej nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, Veliaj ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Socialiste dhe bashkëpunëtor i ngushtë prej vitesh i kryeministrit Edi Rama.

Ky i fundit ka mbajtur qëndrime të ndryshme ndaj Veliajt pas arrestimit të tij. Fillimisht Rama e ka mbrojtur Veliajn, por më pas ka thënë se Veliaj duhet ta bëjë betejën e tij me drejtësinë pa mbështetjen politike të Partisë Socialiste.

Kryeministri e shkarkoi Veliajn nga posti i kryetarit të Bashkisë dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, por Veliaj e ankimoi shkarkimin dhe Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë.

Ai mbeti kryetar në detyrë i Bashkisë nga burgu dhe zgjedhjet në Tiranë u anuluan.

Nga ky moment, Veliaj e drejton Bashkinë nga paraburgimi i Durrësit, vendi ku është izoluar pas arrestimit.

Paraburgimi në Durrës përdoret kryesisht për persona që ende nuk janë dënuar me vendim përfundimtar dhe shpesh aty vendosen edhe ish-zyrtarë publikë.

Në media ky institucion njihet edhe si “burgu i VIP-ave”, ku masat e sigurisë janë më të buta, kushtet më të mira dhe ka hapësirë për lëvizje apo aktivitete brenda tij.

Në burgun e Fierit mbahen persona të paraburgosur dhe persona të dënuar. Në këtë burg vuajnë dënimin shumë persona me rrezikshmëri të lartë, kryesisht të dënuar për akuza të krimit të organizuar.

Nëse një i burgosur transferohet nga Durrësi në Fier, lëvizja e tij bëhet për të rritur nivelin e sigurisë ndaj të arrestuarit, apo kur vlerësohet rrezikshmëria e lartë e tij.

Shpërndaje te miqtë