
Thuajse të gjithë duam anëtarësimin në Bashkimin Europian — ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër — pavarësisht nësejemi të përgatitur apo jo.
Por pyetja shtrohet: a është gati BE-ja të na pranojë në nivelin që jemi?
Raporti 2025 i Progresit i Komisionit Europian për Shqipërinë nuk jep një përgjigje të qartë. Ai tregon se kemi bërë disa hapa përpara, por edhe se mbetemi shumë pas në fusha të rëndësishme.
Nga njëra anë, raporti thekson hendekun që na ndan me standardet e BE-së; nga ana tjetër, deklaratat politike në Bruksel dhe Tiranë kanë një ton shumë më optimist, duke pranuar se është e mundur që negociatat të mbyllen në vitin 2027 dhe anëtarësimi të arrihet në vitin 2030.
E vërteta, megjithatë, është më e ndërlikuar.
Çfarë është raporti dhe si vlerësohet Shqipëria
Raporti i Progresit për Shqipërinë 2025 analizon përparimin e vendit në periudhën 1 shtator 2024 – 1 shtator 2025. Ai e mat përgatitjen e vendit në 40 fusha të ndryshme, që përfshijnë të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në — nga ekonomia dhe gjyqësori, te mjedisi, arsimi dhe politika e jashtme.
Komisioni në raport vlerëson dy gjëra:
- Gatishmërinë e përgjithshme të vendit për t’u bërë anëtar;
- Përparimin e bërë gjatë 12 muajve të fundit.
Nivelet e përgatitjes janë shtatë — nga "nivel i ulët" në “nivel të mirë" përgatitjeje. Në fjalë të thjeshta, “niveli i mirë” do të thotë se ne jemi gati për të qenë anëtar në fushën përkatëse, ndërsa “niveli i ulët” tregon se jemi ende larg.
Si qëndron Shqipëria sot
Në bazë të raportit:
- Në 1 fushë, Shqipëria është në nivelin zero të përgatitjes apo gatishmërisë;
- Në 7 fusha, ka nivel të ulët gatishmërie;
- Në 5 fusha, ndodhet mes nivelit të ulët dhe atij të moderuar;
- Në 15 fusha, ka nivel të moderuar;
- Në 8 fusha, ndodhet mes nivelit të moderuar dhe të mirë;
- Në 5 fusha, ka nivel të mirë përgatitjeje.
Sa për përparimin gjatë vitit të fundit:
- Në 4 fusha, nuk është bërë asnjë përparim;
- Në 9 fusha, përparimi ka qenë i kufizuar;
- Në 22 fusha, janë bërë disa përparime;
- Në 4 fusha, është vërejtur përparim i mirë.
Ku jemi më mirë
Raporti vlerëson se Shqipëria ka arritur nivel të mirë përgatitjeje në pesë fusha:
- Marrëdhëniet me jashtë, ku Shqipëria ndjek qëndrimet e BE-së;
- Politika e mbrojtjes dhe sigurisë së jashtme, falë anëtarësimit në NATO;
- Ekonomia e tregut, e cila ekziston dhe funksionon në mënyrë të qëndrueshme;
- Energjia, ku janë bërë hapa për integrim rajonal dhe diversifikim;
- Politika tregtare, që është përshtatur me rregullat e BE-së.
Në 8 fusha të tjera, Shqipëria është vetëm një hap larg nivelit më të lartë të përgatitjes, përfshirë:
funksionimin e gjyqësorit, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, digjitalizimin dhe median, politikat ekonomike dhe monetare, politikat industriale dhe të ndërmarrjeve, arsimin dhe kulturën, si dhe bashkimin doganor.
Ku mbetemi pas
Në anën tjetër, raporti tregon se Shqipëria ka fusha ku përgatitja është shumë e ulët.
- Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti publik janë në nivel zero. Vendi nuk garanton standarde minimale për sigurinë e produkteve dhe shërbimeve.
- Siguria ushqimore është në nivel të ulët përgatitjeje — kjo fushë mbetet problematike për shkak të mungesës së laboratorëve, burimeve njerëzore dhe financiare, por edhe mungesës së vullnetit institucional. Bllokimet e frutave shqiptare nga disa vende të BE-së janë dëshmi e këtij niveli.
- Mjedisi dhe ndryshimet klimatike janë gjithashtu në nivel të ulët. Dështimi i inceneratorëve dhe menaxhimi i mbetjeve janë dëshmi e kësaj gjendjeje. Raporti ngre shqetësime për dëmtimin e pritshëm të mjedisit nga e ashquajtura “paketa e maleve”.
- Bujqësia dhe zhvillimi rural janë në nivel të ulët. Një shqetësim kryesor në këtë fushë është keqmenaxhimi i fondeve të BE-së dhe skandalet e mëparshme, që ende pengojnë ndihmën për fermerët.
- Transporti dhe infrastruktura janë në nivele të ulëta dhe konfirmojnë mangësitë strukturore të vendit.
- Shqipëria gjithashtu ka përgatitje të ulët për të përballuar konkurrencën në tregun e BE-së, për shkak të mungesës së produktivitetit, diversifikimit ekonomik dhe inovacionit.
Në disa fusha të tjera — si liria e shprehjes, lëvizja e lirë e mallrave dhe punëtorëve, konkurrenca dhe kërkimi shkencor — situata është pak më e mirë, por përsëri në një nivel midis atij të ulët dhe të moderuar të përgatitjes.
A jemi afër anëtarësimit?
Raporti nuk përmend asnjë datë për mbylljen e negociatave dhe aq më pak vitin 2027. Ai bën vetëm një analizë të ftohtë të nivelit të përgatitjes së Shqipërisë.
Në parim, një vend duhet të ketë “nivel të mirë përgatitjeje” në të gjitha 40 fushat për t’u bërë anëtar. Në praktikë, BE mund të bëjë disa lëshime, duke lejuar që disa standarde të përmbushen pas anëtarësimit.
Nëse marrim parasysh këtë fleksibilitet, Shqipëria është realisht e përgatitur në rreth 12 nga 40 fusha — ato ku ka arritur nivelin e mirë ose një nivel para atij të mirë. Në 28 fushat e tjera, përfshirë 13 me përgatitje të ulët, jemi ende larg.
Shpresa gjeopolitike dhe sfida e vërtetë
Komisionerët evropianë Kaja Kallas dhe Marta Kos, gjatë prezantimit të raporteve për vendet e Ballkanit Perëndimor, folën për një “dritare mundësie” për anëtarësim për arsye gjeostrategjike.
Nuk ka asnjë dyshim se ekziston një vullnet i fortë për të anëtarësuar sa më parë të jetë e mundur të paktën disa vende të Ballkanit Perëndimor. Siç u shprehën Komisionerët, Mali i Zi është kandidati i parë në radhë dhe Shqipëria menjëherë pas tij.
Kjo do të thotë se Shqipëria mund të përfitojë, jo për meritën tonë teknike, por për shkak të kontekstit politik dhe gjeopolitik të momentit. Megjithatë, si Komisionerët në Bruksel ashtu edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë kanë theksuar se ndihma e BE-së do të vijë vetëm nëse Shqipëria ndihmon veten—pra, nëse ndërmerr reforma të vërteta.
Viti i mundësisë që nuk duhet humbur
Viti 2026 do të jetë vendimtar. Nëse qeveria shqiptare përshpejton reformat dhe përmirëson zbatimin e standardeve europiane, mund të mos e humbim këtë mundësi historike.
Por nëse vazhdojmë me ritmin e zakonshëm dhe me propagandë në vend të rezultateve, do të jetë e vështirë që vullneti politik i BE-së të anashkalojë problemet teknike.
Për hir të optimizmit, le të shpresojmë që këtë herë të jetë ndryshe nga 34 vitet e fundit, kur kemi humbur pothuajse çdo mundësi që na është dhënë për t’u integruar në kohë në BE.

