A i konsideron Kryeministri Ballukun, Karçanajn, Veliajn persona me “precedentë kriminalë”?

Alba Mborja 23 Tetor 2026, 21:03

A i konsideron Kryeministri Ballukun, Karçanajn, Veliajn persona me

Jon Sinoimeri, student ekselence në Fakultetin e Mjekësisë, ishte një nga 45 personat që Kryeministri Edi Rama paraqiti të premten si njerëz me “precedentë kriminalë” që ushtruan dhunë në protestat e ditëve të fundit, duke e akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh.

Pak orë më vonë, Sinoimeri kundërshtoi publikisht pretendimin se nuk ishte student, duke treguar listën e notave me mesatare 10, dhe mohoi akuzat për prodhim e shitje narkotikësh. Ai deklaroi se hera e parë që kishte qenë në një komisariat policie ishte më 13 tetor, kur policia e kishte shoqëruar gjatë protestës.

E pyetur nga BIRN për prova, Agjencia për Media dhe Informim u përgjigj se “provat i tha kryeministri në daljen e tij”.

Jo vetëm përgënjeshtrimi i Sinoimerit, por edhe mënyra si Kryeministri e paraqiti informacionin ngrenë dyshime për keqinformim dhe për shkelje të të drejtave të njeriut.

Kryeministri lexoi një nga një inicialet dhe moshën e personave në listë, ndërsa në një ekran pranë tij shfaqej fotografia e secilit me sytë të mbuluar me shirit të zi, si dhe përshkrimi i atyre që ai i quajti “precedentë kriminalë”.

Por shiriti i zi dhe inicialet nuk mjaftuan për të fshehur identitetin: Sinoimeri u identifikua brenda pak orësh.

Në listën e Kryeministrit ishte edhe një i mitur. “A.P., 17 vjeç, as nxënës as student, precedent kriminal dëmtime të tjera me dashje”, lexoi Kryeministri, ndërsa në ekran shfaqej fotografia e të miturit.

Neni 21 i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur ndalon publikimin e informacionit që mund të çojë në identifikimin e të miturit në konflikt me ligjin, si dhe publikimin e të dhënave mbi dënimet e tij të mëparshme.

A i konsideron Kryeministri Ballukun, Karçanajn, Veliajn persona me
Jon Sinoimeri në materialin e shfaqur nga Kryeministri Edi Rama. Imazhi: Edi Rama / Facebook.

Vetëm për 6 nga 45 personat Kryeministri përmendi dënime të mëparshme, mes tyre një për vrasje me paramendim. 39 të tjerët u paraqitën me “precedentë kriminalë” ose thjesht me një listë veprash penale, pa u përmendur asnjë dënim.

Kryeministri nuk paraqiti asnjë provë për veprat penale të sugjeruara prej tij. Ai nuk përmendi dhe nuk paraqiti as ndonjë provë për veprime konkrete dhune të kryera nga secili prej personave në listën e tij.

Pa sjellë asnjë provë, ai deklaroi se këta individë “janë paguar nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja”. Madje, sipas tij, “mjaftojnë çehret” për t’i lexuar si përfaqësi të një bote “të zymtë, të errët dhe të jashtëligjshme”. Pra, kryeministri paraqiti pamjen fizike si provë të karakterit kriminal!

Pyetja thelbësore që ngrihet është: çfarë ka nënkuptuar Kryeministri kur akuzon qytetarët e vet për “precedentë kriminalë”?

Ai nuk sqaroi nëse me këtë term u referohej dënimeve gjyqësore, hetimeve apo dyshimeve policore.

A ka nënkuptuar Kryeministri me “precedent” çdo lloj procesi që nuk ka përfunduar me dënim nga gjykata?

A është mjaftuar ai me informacione dhe dyshime policore, pa prova apo fakte të vërtetuara?

Exit.al kërkoi sqarime nga Agjencia për Media dhe Informim, por përfaqësuesit e saj nuk iu përgjigjën telefonatave dhe mesazheve me email.

Paraqitja si autorë krimesh e personave që nuk janë dënuar për ato vepra mund të cenojë prezumimin e pafajësisë—parim që garantohet si nga Kushtetuta jonë dhe nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka bërë të qartë se zyrtarët e lartë e shkelin këtë parim kur, me deklaratat e tyre, e paraqesin si fajtor një person përpara se fajësia e tij të jetë provuar sipas ligjit.

Nga ana tjetër, lista e Kryeministrit përzien situata shumë të ndryshme nën të njëjtën etiketë kriminalizuese. Në një rast, e vetmja e dhënë e përmendur ishte dëbimi nga Greqia për emigrim të paligjshëm. Në një tjetër, drejtimi i parregullt i mjetit. Në pesë raste, mes veprave të listuara ishte pjesëmarrja e mëparshme në protesta apo grumbullime të paleje.

Qëndrimi i Kryeministrit ngre pyetjen nëse po përdor ai ndaj protestuesve të njëjtin standard të prezumimit të pafajësisë që ai ka propaganduar me këmbëngulje për bashkëpunëtorët e tij nën hetim apo të akuzuar për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie.

Për 39 personat në listë, ai nuk sqaroi nëse kishte vendime gjyqësore që mbështesnin etiketimin e tyre si njerëz me “precedentë kriminalë”.

Deklaratat e Kryeministrit ngrenë gjithashtu çështjen e shpifjes dhe të dëmtimit të reputacionit të qytetarëve. Sinoimeri i mohoi publikisht akuzat ndaj tij, ndërsa Kryeministria nuk i vuri në dispozicion BIRN-it prova për rastin konkret.

Por Kryeministri duket i vendosur në qasjen e tij. Ai paralajmëroi se nesër do të ekspozojë “të tjera gjëra”. Kjo ngre pyetjen: a po përdor Kryeministri të dhëna të paverifikuara të policisë apo të institucioneve të tjera shtetërore për të diskredituar protestën?

Në qershor, kur protestat kundër projektit turistik në Zvërnec ishin në kulm, Rama përdori të njëjtën metodë ekspozimi publik ndaj protestuesve.

Por me këtë standard që ai ka përqafuar, a nuk u lind e drejta personave të shënjestruar prej tij t’i shtrojnë pyetje të ngjashme Kryeministrit?

Nëse ndaj bashkëpunëtorëve të tij do të zbatohej e njëjta logjikë që ai përdori ndaj protestuesve, si do t’u përgjigjej ai këtyre pyetjeve:

A është person me “precedentë kriminalë” Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK për korrupsionin dhe pastrim parash?

Po Mirlinda Karçanaj nën hetim nga SPAK për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash?

Po Vlora Hyseni nën arrest shtëpie dhe nën hetim për përkrahje të një të kërkuari dhe nxjerrje të sekretit hetimor?

Po Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, nën gjykim për korrupsion dhe pastrim parash?

Dhe a do të mjaftonin këto akuza, sipas standardit të Kryeministrit, për ta paraqitur si të lidhur me krimin qeverinë që i emëroi apo Partinë Socialiste që i mbështeti?

Exit.al nuk e ndan këtë standard. Balluku, Karçanaj, Hyseni dhe Veliaj, ashtu si personat në listën e Kryeministrit, duhet të prezumohen të pafajshëm për çdo akuzë për të cilën nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë që provon fajësinë e tyre.

 

Shpërndaje te miqtë