Eurodeputetët letër Komisionit Europian për lirimin e kontrollorëve të burgosur

exit.al 14 Prill 2021, 16:00

Një grup eurodeputetësh i janë drejtuar me një letër Komisionit Europian dhe EASA (Agjensisë së BE për Fluturimin e Sigurt) mbi mënyrën se si qeveria menaxhoi kërkesat e kontrollorëve të Albcontrol javën e kaluar.

Në letër, zbardhur nga FaxNews, ata shprehen shumë të shqetësuar që qeveria ka arrestuar 3 kontrollor për shkak të mosmarrëveshjes mbi pagat.

Eurodeputetët theksojnë se shpallja e paaftësisë së përkohëshme nga ana e tyre "...justifikohet sipas Konventës Ndërkombëtare për Aviacionin Civil, e cila ndalon që kontrolluesit e ajrit të ushtrojnë detyrën e tyre, nëse janë të vetëdijshëm se kanë probleme me gjendjen e tyre mjekësore, qoftë fizike apo mendore."

Sipas tyre qeveria shqiptare e ka menaxhuar situatën në kundërshtim me praktikat europiane duke dërguar ushtrinë, duke burgosur kontrollorët dhe duke i zëvendësuar ata me kontrollorë të huaj të paautorizuar e të pakualifikuar.

[caption id="attachment_138541" align="alignnone" width="1011"]letraaa letraaa[/caption]

Situata kërkon ndërhyrjen e Komisionit dhe EASA-s, sipas eurodeputetëve.

Në vijim, letra e plotë:

" I nderuar Komisioner Valean,

I nderuar Komisioner Varhelui,

I nderuar Drejtor Ekzekutiv Ky,

 

Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për një situatë në Shqipëri që është sjellë në vëmendjen tonë, që përfshin arrestimin e tre kontrollorëve të trafikut ajror.

Në mes të një mosmarrëveshje rreth shkurtimit të pagave, tre kontrollorë të trafikut ajror në aeroportin e Tiranës janë arrestuar, pasi deklaruan, së bashku me të gjithë kolegët e tyre, se ishin përkohësisht të paaftë.

Vendimi i tyre justifikohet sipas Konventës Ndërkombëtare për Aviacionin Civil, e cila i ndalon kontrolluesit e ajrit të ushtrojnë detyrën e tyre, nëse janë të vetëdijshëm se kanë probleme me gjendjen e tyre mjekësore, qoftë fizike apo mendore.

Qeveria shqiptare është përpjekur të zgjidhë këtë situatë në kundërshtim me praktikat europiane, me dërgimin e ushtrisë, marrjen e kontrollorëve të huaj, burgosjen e disa prej kontrollorëve dhe kërcënimin me humbjen e vendit të punës.

Përballë kësaj, kontrollorët shqiptarë që janë kthyer në punë, e kanë bërë këtë nën një stres të jashtëzakonshëm, një situatë qartësisht në kundërshtim me rregulloret e vendosura evropiane mbi sigurinë.

Ministria shqiptare e Transportit ka lejuar zëvendësimin e kontrollorëve të trafikut ajror të burgosur me personel të paautorizuar dhe të pakualifikuar, duke vendosur sigurinë dhe stabilitetin e shërbimeve të trafikut ajror mbi Shqipërinë në rrezik të madh, për të mos thënë të rrjetir në tërësi.

Kjo situatë është qartësisht në shkelje të Shtojcës 1 të Konventës së Çikagos dhe rregulloret eeuropiane të trajnimit. Trajnimi për kontrollin e hapësirës ajrore zakonisht zgjat një deri në dy vjet. Është konfirmuar se qeveria shqiptare ka ftuar kontrolluesit turq të vijnë dhe të marrin kontrollin e hapësirës ajrore.

Kjo ka një ndikim të rëndësishëm në sigurinë e hapësirës ajrore në Jug-Lindje, dhe pilotët e linjave ajrore duhet të kenë shumë kujdes kur kalojnë hapësirën ajrore shqiptare.

Kjo situatë kërkon një reagim të fortë nga Komisioni Evropian dhe EASA. Ne i bëjmë thirrje Komisionit Evropian dhe EASA të vendosin procedura urgjente të sigurisënë mënyrë që të mos ketë ndërprerje të fluturimeve brenda hapësirës ajrore përreth Shqipërisë.

Ne e nxisim Komisionin Evropian të vendosë kontakte me autoritetet shqiptare dhe ti ftojë ata që të zhbëjnë veprimet e tyre, si dhe të përfshihen në një dialog me punëtorët, për t'iu siguruar atyre një mjedis të sigurt pune, dhe një hapësirë të sigurt ajrore.

Ne e nxisim Komisionin Evropian të kujtojë qeverinë shqiptare për detyrimet e saj si pjesë e procesit të integrimit në përputhje me rregulloren e BE-së.

Eurodeputetët që kanë nënshkruar letrën:

Clare Daly

Mick Wallace

Gunnar Beck

Luke Ming Flanagan

Costas Mavrides

Tatjana Zdanoka

Ciaran Cuffe

Dietmar Koster

Marianne Vind

Athanasios Konstantinoi

Maeco Campomenosi

Elena Kointoura

Elena Lizzi