Emërohen dy zëvendësministret e reja në Ministrinë e Ekonomisë

exit.al 14 Shkurt 2020, 13:28

Këshilli i Ministrave emëroi sot dy zëvendësministe të reja në Ministrinë e Ekonomisë, Vasilika Vjero dhe Adela Xhemali.

Vasilika Vjero më parë ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve. Ndërsa Adela Xhemali më parë ka qenë drejtoreshë e përgjithshme e Menaxhimit të Borxhit Publik në Ministrinë e Financave dhe drejtoreshë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Këto emërime vijnë pas largimit të Elton Haxhit dhe Erjon Luçit.

Elton Haxhi dha dorëheqjen një ditë më parë. Ai u përfshi në çështjen e zonës Duty Free në aeroportin e Rinasit, pasi në gusht 2019 firmosi zgjatjen e licencës për shfrytësimin e zonës për kompaninë Albania Duty Free Distribution, ndërkohë që kompania koncesionare e aeroportit ia kishte refuzuar zgjatjen e licencës kompanisë.

Pyetur nga Report Tv, nëse largimi ka detyra ka lidhje me këtë çështje, Haxhi u shpreh se kjo çështje nuk ka pasur ndikim.

Një muaj më parë zëvendësministri tjetër Erjon Luçi u shkarkua nga detyra me vendim të të Këshillit të Ministrave.