EMA vendos në fillim të tetorit për një dozë të tretë të Pfizer kundër COVID

exit.al 24 Shtator 2021, 09:10

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) pritet të vendosë në fillim të muajit tetor për miratimin ose jo të dozës shtesë të vaksinës Pfizer kundër COVID-19 për të gjithë njerëzit e moshës mbi 16 vjeç.

Shefi i strategjisë së vaksinave në EMA, Marco Cavaleri, tha të enjten se "të dhënat tregojnë se imuniteti kundër COVID-19 zvogëlohet me kalimin e kohës".

Ndërkohë, disa vende të BE-së po u ofrojnë qytetarëve të tyre mundësinë për të marrë një dozë përforcuese.

"Nëse nuk nevojiten informacione shtesë, vendimi shpallet në fillim të tetorit", tha Cavaleri.

Të dhënat e prezantuara nga Pfizer dhe BioNTech, sugjerojnë se efikasiteti i vaksinës zbehet me gati 6 për qind çdo dy muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Si rezultat, ato thonë se, personat e vaksinuar në fillim të procesit të vaksinimit, tani janë më të cenueshëm ndaj infektimit.

Disa ditë më parë rregullatori i ilaçeve në SHBA miratoi dhënien e një doze të tretë të vaksinës vetëm për personat mbi 65 vjeç.