Dita Botërore e Sindromës Down, organizatat thirrje insitutucioneve për më shumë vëmendje

exit.al 21 Mars 2021, 11:38

Me rastin e Ditës Botërore të Sindromës Down (21 Mars), Fondacioni Down Syndrome Albania u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve shqiptare por dhe partive politike që të kthejnë vëmendjen dhe të punojnë për të përmbushur të drejtat dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara (PAK) në Shqipëri.

Në Shqipëri jetojnë rreth 682 persona me sindromën Down, mes 73.000 personave me aftësi të kufizuara (pa përfshirë invalidët e punës) që jetojnë në Shqipëri.

Në një njoftim për mediat Fondacioni Down Syndrome Albania rendit disa kërkesa konkrete që partitë politike t’i kenë parasysh për planin e tyre qeverisës pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Disa propozime specifike janë:

- Ndarja e çështjeve të PAK nga Ministria e Shëndetësise.

- Planifikimimi dhe kostimi i shërbimeve për të gjitha grupet dhe përgjatë të gjithë ciklit të jetës për personat me aftësi të kufizuara, parashikimi i buxheteve për ngritjen e tyre në nivel lokal si dhe hartimi i standardeve për çdo shërbim të parashikuar në ligjin shqiptar për shërbimet shoqërore

- Planifikimi i buxheteve për të garantuar qëndrueshmërinë e shërbimeve ekzistuese që ofrohen nga organizatat e PAK, me të paktën 30% të buxhetit vjetor të tyre

- Leja e lindjes së nënave që lindin fëmijë me aftësi të kufizuara apo që diagnostikohen brenda vitit të parë të jetës, të jetë 3 vjeçare

- Futja e të paktën shërbimeve si logopedia dhe fizioterapia në skemë si shërbime të rimbursueshme (si barnat) me të paktën 50% të vlerës që prindërit dhe PAK paguajnë privatisht dhe nuk i aksesojnë dot si shërbime publike

- Ofrimi i lehtësirave të tjera për sektorin jo-publik të shërbimeve (tarifë preferenciale ose rimbursim të energjisë elektrike (aktualisht paguajmë me tarifë biznesi); tarifë preferenciale ose heqje detyrimi për taksën mbi pronën, për taksat e tjera lokale etj; rimbursim i të paktën kostove të punëdhënësit për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore të stafeve të shërbimeve terapeutike (terapistët).

- Hartimi i një ligji të ri për Sponsorizimet, Dhurimet dhe Filantropinë, që të rrisë incentivat fiskale për bizneset dhe të shtojë dhe incentiva fiskale për dhuruesit individualë.

- Aplikimi nga institucione të qeverisjes qendrore (ministritë) i skemave të grantdhënies për organizatat e personave me aftësi të kufizuara.

- Statistika të sakta dhe të integruara për PAK në Shqipëri

Shpërndaje te miqtë