“Respektimin e ligjit për sekretin hetimor nga çdo prokuror dhe punonjës i prokurorisë. Kuvendi kërkon hartimin dhe nxjerrjen e rregullave të unifikuara për informimin e publikut dhe medias lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, duke respektuar parimet e parashikuara në ligj në lidhje me ruajtjen e sekretit hetimor.”
Deputetët socialistë, që prej publikimit të audio-përgjimeve nga BILD, nuk i kanë kërkuar prokurorisë të hetojë personat e përfshirë të cilët flasin për shit-blerje votash dhe kërcënime, të dyja këto vepra penale zgjedhore, por kanë kërkuar hetim të prokurorëve apo punonjësve të prokurorisë që nxorrën audio-përgjimet nga dosja 339 dhe 184, ende nën hetim. Ulsi Manja, kryetari i Komisioneve të Ligjit dhe i përfshirë në përgjimet e Dibrës, mori në mbrojtje kryebashkiakun Dako, menjëherë pasi përgjimet e Durrësit u bënë publike. Në një deklaratë për median, Manja tha se nuk është i shqetësuar për çfarë dhe kush flet në ato biseda, por është i shqetësuar për nxjerrjen e sekretit hetimor nga prokurorët, e cila është vepër penale:“Nuk jam i shqetësuar për fatin e personave emrat e të cilëve përmenden në atë dosje, por jam i shqetësuar për dy gjëra: e para, agjencitë e zbatimit të ligjit (prokuroria dhe Policia Gjyqësore) duhet të vlerësojnë seriozisht çështjet e daljes në publik të sekretit hetimor dhe të kthehen në hullitë e zbatimit të ligjit, jo vetëm për të hetuar personat e përfshirë në dosjen 339, por edhe brenda vetes të gjithë ata prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të cilët e kanë braktisur misionin e tyre kushtetues dhe kanë çuar dosjet në zyrat e PD-së. Kjo është thyerje e rëndë e sekretit hetimor. Kjo është vepër penale e dënueshme.”
Më 9 korrik, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela u pyet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për daljen e sekretit hetimor në rastin e dosjes 339. Ajo deklaroi se prokuroria po heton për të gjetur se kush i ka nxjerrë audio-përgjimet nga prokuroria dhe se së shpejti pritet që të gjehen fajtorët. Shpërndaje te miqtë
