Çfarë është gjendja e fatkeqësisë natyrore?
Ligji Për Mbrojtjen Civile përcakton se "fatkeqësi natyrore konsiderohen fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me sëmundjet infektive masive, tërmetet dhe dukuri të tjera që ndikojnë në jetën e njerëzve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin.” Ligjit ngarkon qeverinë me detyrën e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe marrjen e masave përkatëse. Neni 39 i ligjit shprehet:“Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit.”
Disa nga masat që mund të marrë qeveria gjatë kësaj periudhe janë:— Organizimin dhe zbatimin e gjendjes së karantinës për popullin.
— Vendosjen dhe zbatimin e masave të veçanta për garantimin dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve në zonat e prekura nga fatkeqësia.
— Organizimin e procesit të eliminimit dhe të groposjes së detyruar të kafshëve dhe të çdo materiali tjetër që përbën burim infeksioni, epidemie masive, ndotjeje masive apo burim radiacioni.
Me shpalljen e gjendjes, qeveria dhe bashkitë kanë detyrim ligjor të kompensojnë të gjithë qytetarët e prekur nga fatkeqësia natyrore. Ky detyrim ligjor është parashikuar në nenin 41 të ligjit: “Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.” Kjo do të thotë se tashmë çdo dëmtim ndaij individëve, bizneseve dhe subjekteve të tjera duhet të komopensohet plotësisht nga shteti.
