"[Negociatat kanë filluar] që në momentin që na kanë njoftuar avokatët që është plotësuar dosja dhe është gati për t’u çuar në gjyq.
Kam shkuar unë në zyrën e drejtorit të policisë dhe kam bërë negociatën. Siç na kanë njoftuar, sot kemi bërë të mundur vetëdorëzimin në polici. [Komunikimi me Balilin] është bërë nëpërmjet avokatit dhe avokati ka bërë negocimin me drejtorin e policisë."
Ndërsa Ministri Lleshi në pohimin e tij ka përfshirë si pjesë të operacionit për vetëdorëzimin e Balilit dhe shërbimin sekret shqiptar dhe partnerë të huaj:"Policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmues në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët e huaj."
Kushtet e vetëdorëzimit Sipas Drejtorit të Policisë Ardi Veliu kushtet e Balilit për t’u dorëzuar kanë qenë katër: "Balili kishte disa kushte: të moskeqtrajtohet dhe të plotësoheshin të drejtat ligjore për plotësimin e kushteve në qeli, të mos ekstradohet në Greqi, si dhe të deklarohej vetëdorëzim." Zoti Veliu nuk sqaroi nëse institucionet shqiptare i kanë pranuar apo jo këto kushte, por duke u nisur nga faktii dorëzimit mund të mendohet se ato janë plotësuar. Për plotësimin e kushteve Ministri i Brendshëm Lleshi u shpreh se "i kemi ofruar Balilit sigurinë e një procesi të drejtë ligjor." Dorëzimi Klement Balili u vetëdorëzua dje, rreth orës 08:45 minuta të mëngjesit, në Finiq të Delvinës, qarku Sarandë. Ai udhëtoi me makinë deri në pikën e takimit, mesa duket të parapërcaktuar, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Në momentin e dorëzimit kanë qenë të pranishëm kryetari i Bashkisë Delvinë Rigels Balili, Drejtori i Policisë së Vlorës Gentian Shehaj dhe tre oficerë gjyqësorë të Krimeve të Rënda, të cilët e kanë shoqëruar Balilin për në Tiranë. Balili ka udhëtuar për në Tiranë në makinën e Drejtorit Veliu, dhe nuk dihet nëse tre policët gjyqësorë kanë udhëtuar në të njejtën makinë. Publikisht Drejtori Veliu pohoi:"Shkova [ta marr] personalisht me një makinë shoqëruese."
Kryebashkiaku Balili pohoi:"Nuk pata kohë ta pyesja [Klement Balilin] se ku kishte qëndruar, sepse shumë pak qëndrova, vetëm sa e mora dhe dorëzova tek drejtori i policisë. Ka ardhur drejtori e ka marrë në zonën e Delvinës."
Avokati i Klement Balilit, Theodhori Sollaku pohoi:"Është vetëdorëzuar në Sarandë."
Shpërndaje te miqtë
