Blinken letër Vucic: Presim një marrëveshje Kosovë - Serbi bazuar në njohjen reciproke

exit.al 31 Mars 2021, 16:57

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar një letër presidentit serb Aleksandar Vuçiç, me rastin e 140 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Letra është publikuar nga e përditshmja me bazë në Beograd Novosti.

Në mesazhin e tij, Blinken shkruan se Serbia ka një rol qendror dhe të domosdoshëm në promovimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe sigurimin e një të ardhme të begatë për të gjithë rajonin.

Por, pjesa më e rëndësishme e letrës është deklarata se qëllimi i kahershëm i SHBA ka qenë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përqendruar në njohjen reciproke.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në partneritetin tonë të gjatë. Ne ndajmë vizionin e një Serbia të qëndrueshme, të prosperuar dhe demokratike në rrugën e anëtarësimit në BE. Qëllimi i gjatë i Shteteve të Bashkuara ka qenë të shohin Serbinë dhe Kosovën të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke, " lexon letra e Blinken dërguar Vuçiç.