BE merr veprime ligjore kundër Britanisë për zgjatje të Brexit

exit.al 15 Mars 2021, 20:15

BE ka filluar zyrtarisht veprime ligjore kundër Mbretërisë së Bashkuar, me pretendimin se Boris Johnson ka thyer ligjin ndërkombëtar për zbatimin e Brexit.

Është hera e dytë në gjashtë muaj që Brukseli ka filluar procedurat e shkeljes kundër Mbretërisë së Bashkuar për Brexit.

Hera e parë ishte vitin e kaluar, pas kërcëimit të kryeministrit britanik për të anashkaluar një pjesë të marrëveshjes së tërheqjes nga BE, përmes ligjit mbi tregun e brendshëm.

Veprimet mund t'i çojnë palët para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe të sjellë ndëshkime financiare dhe sanksione tregtare.

BE ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar për shkeljen e dispozitave të mirëbesimit në marrëveshjen e tërheqjes, pas vendimit të saj të njëanshëm dy javë më parë për të vonuar zbatimin e një pjese të protokollit të Irlandës së Veriut në lidhje me kontrollet e mallrave që transportohen nga Britania e Madhe në rajon.

Njoftimi zyrtar i padisë u lëshua me një letër shoqëruese nga nënkryetari i komisionit Evropian, Maroš Šefčovič, për ministrin e ri të Brexit David Frost.

Ai i bën thirrje Mbretërisë së Bashkuar të "korrigjojë dhe të përmbahet nga vënia në praktikë" e vendimit të saj të 3 marsit për të zgjatur periudhën e faljes së kontrolleve të mallrave të supermarketeve që kalojnë Detin Irlandez.

Një zyrtar i BE tha: "Mbretëria e Bashkuar duhet të ndalojë së vepruari në mënyrë të njëanshme dhe të ndalojë shkeljen e rregullave për të cilat ka firmosur".

MB-së i është dhënë një muaj kohë për të paraqitur vëzhgimet e saj nën njoftimin zyrtar.

Nëse nuk arrin të hyjë në konsultime me mirëbesim, BE mund të nisë një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve i cili, nëse nuk zgjidhet, mund "të rezultojë në vendosjen e sanksioneve financiare" ose pezullimin e marrëveshjes së tërheqjes në të gjitha aspektet, përveç marrëveshjes mbi qytetarët.

Šefčovič tha se "vendimet e njëanshme dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga Britania e Madhe mposhtin vetë qëllimin e saj dhe minojnë besimin midis nesh".

Letra pretendon "shkelje të dispozitave thelbësore të ligjit të BE në lidhje me lëvizjen e mallrave dhe udhëtimet për kafshë të bëra të zbatueshme në bazë të protokollit për Irlandën dhe Irlandën e Veriut".

Burimet e BE thonë se ata shpresojnë që veprimi ligjor do të "regjistrojë pakënaqësinë tonë" mbi vendimin e njëanshëm, por shpresojnë që çështja të zgjidhet përmes negociatave të mëtejshme mbi protokollin e Irlandës së Veriut.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se lëvizjet për të zgjatur periudhën e faljes në mënyrë të njëanshme ishin "të ligjshme dhe pjesë e një zbatimi me mirëbesim" të protokollit, duke shtuar se ato ishin "hapa të përkohshëm, operacionalë" për të minimizuar prishjen e jetës së zakonshme.

Në atë që dukej të ishte një lëvizje për të qetësuar tensionet e shtuara, ajo tha se priste të "diskutonte çështjen në një mënyrë konstruktive brenda kornizës së komitetit të përbashkët ".

 

Shpërndaje te miqtë