Basha: Vetëm garancia e votës zgjidh krizën në Shqipëri

exit.al 4 Shkurt 2020, 21:13

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi sot pas një takimi me përfaqësues të Këshillit të Evropës (KiE) se zgjidhja e krizës në Shqipëri vjen nga zgjedhjet e parakohshme vendore dhe qendrore “sipas standardeve demokratike”. Për standarde Kryetari i PD-së iu referua garantimit të votës së lirë, e cila, ai tha se cenohet nga “diktati i krimit dhe paratë e korrupsionit”. Mesazhin Basha e përcolli përmes një postimi në Facebook, të cilin e shoqëroi me foto nga takimi me përfaqësuesit e KiE-së. Basha falenderoi përfaqësuesit për mbështetjen që i japin Shqipërisë, pasi:

“Shqipëria e cila ndodhet në një krizë të thellë politike dhe ekonomike, ku korrupsioni e krimi i lidhur me politikën po gërryen themelet e shoqërisë dhe shqiptarët po largohen çdo ditë, e ka jetike ndihmën dhe mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë.”

Ditën e sotme, Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, Anders Knape, Sekretari i Përgjithshëm Andreas Kiefer, Presidentja e Dhomës së Rajoneve Gunn Marit Helgesen, Presidentja e Dhomës së Autoriteteve lokale Xavier Cadoret dhe të tjerë zyrtarë shoqërues zhvilluan takime të niveleve të larta në Shqipëri. Pas një takimi me përfaqësues të KiE-së, Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla theksoi për mediat se nuk ka zgjedhje të parakohshme.