Basha thirrje qeverisë të mos bëjë propagandë, të ndihmojë qytetarët

exit.al 12 Dhjetor 2019, 16:54

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë të mos bëjë propagandë, por të ndihmojë qytetarët e dëmtuar nga tërmeti, të bëjë transparente fondet, emrat e personave të ngarkuar me detyra dhe projektin e rindërtimit. Rreth dy javë pas lëkundjeve shkatërrimtare të 26 nëntorit, Kryetari i PD-së, këmbënguli përmes një postimi në Facebook se ka sërish shumë familje të cilat nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Ai denoncoi shpërndarjen e tyre në mënyrë selektive me preferenca partiake “për miq e kushërinj”.

“Nëse nuk do të ishte ndihma e vullnetarëve, mjaft familje nuk do të kishin as bukë për fëmijët e tyre”.

Zoti Basha tha se “tërmeti nxorri në Shqipërinë e vërtetë, të varfër dhe të vjedhur”:

“[…] nxorri në pah paaftësitë dhe abuzimet e qeverisë që gjithë vëmendjen ua kishte kushtuar fasadave dhe projekteve me përfitues 10 oligarkë”  

Kryetari i PD-së tha se në javën e tretë pas tërmetit, qeveria ende nuk ka bërë evidentimin e plotë të:
  • sa banesa janë dëmtuar
  • sa pallate janë shpallur të pabanueshëm
  • sa qytetarë kanë mbetur të pastrehë
  • sa qytetarë janë strehur në hotele dhe sa janë ende në qiell të hapur
  • cila është lista e objekteve të dëmtuara dhe për të cilat deri më tani ka vendim për prishje.

“Është alarmante që ndërkohë që banorët dëshmojnë se ekspertët e vlerësimit nuk kanë ardhur dhe po jetojnë në qiell të hapur, qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim, vetëm show, vetëm batuta, vetëm përqeshje me fatkeqësinë. Kjo është e papranueshme! Kjo është tallje me qytetarët ndër më të varfërit në Europë”.