“Së pari, raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe u mbajtën në shkelje të dekreteve të Presidentit.
Së dyti, raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit nuk ishin zgjedhje dhe nuk patën asnjë lidhje me të drejtën e popullit për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Ato ishin një farsë zgjedhore dhe tallje demonstrative me pluralizmin politik dhe demokracinë përfaqësuese.
Së treti, për të realizuar këtë farsë antikushtetuese dhe një partiake u shkelën ligjet dhe standardet zgjedhore, në mënyrë të veçantë nga KQZ i cili portretizohet më shumë si organ partiak se sa si institucion i pavarur dhe i paanshëm kushtetues.”
Zoti Basha shtoi se në raport ka “prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj një sërë personash dhe institucionesh: nuk ka ligj, nga Kushtetuta deri tek vetë rregulloret e KQZ-së që të ketë mbetur pa u shkelur.” Ai theksoi se “30 qershori faktoi atë që PD e ka thënë prej kohësh: Nuk mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën, pasi ai është armik i zgjedhjeve dhe i demokracisë.” Lulzim Basha tha se shteti privat dhe kriminal i Ramës duhet shembur, për të rikthyer në vend shtetin e së drejtës, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë, jo vetëm për të larguar Edi Ramën sa më parë, por për një ndryshim rrënjësor, i cili do të zhdukë pasojat e thella të këtij regjimi kriminal por edhe të problemeve të tjera me demokracinë, ekonominë dhe qeverisjen që janë krijuar këto 30 vjet. Kreu i PD-së tha se kjo kërkon një reformë të thellë zgjedhore dhe një reformë të thellë politike dhe se ky është prioriteti kryesor i opozitës.
