“Për përdorimin e gazit lotsjellës apo përbërësve të tjerë irritues vazhdon te mos bëhet publik protokolli apo manuali i hetueshëm i përdorimit, me anë të të cilit rregullohen specifikisht rastet kur ai mund të përdoret, sasia, shpeshtësia, dendësia dhe lloji i tij.
Për këtë arsye, mbetet në gjykimin subjektiv të opinionit dhe pjesëmarrësve në protesta, të vlerësojnë se përdorimi i gazit lotsjellës jo vetëm që vazhdon të jetë në shpërpjesëtim me shkallën e rrezikshmërisë që paraqet turma e protestuesve, por ai është shndërruar tashmë në një instrument të preferuar për pengimin e vetë së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor.”
Përdorimi i gazit lotsjellës nga policia ka lënduar dhe gazetarë të cilët kanë qenë në terren për të transmetuar direkt ngjarjet nga protesta:“Përdorimi në masë i gazit lotsjellës përveçse është konstatuar nga grupet në terren është raportuar me shqetësim edhe nga një numër gazetarësh dhe përfaqësuesish të pavarur të medias, si kufizues për ushtrimin e detyrës së tyre në raportimin e protestës.”
Tjetër shqetësim i Avokatit të Popullit lidhur me lirinë e medias është se shumë gazetarë janë dhunuar nga policia gjatë protestës dhe ky është sinjal i qartë për shtypjen e lirisë së medias:“Në të paktën një rast është raportuar se ekipet e përfaqësueve të medias janë goditur edhe me ujë të pompuar apo mjete të tjera të rezervuara për përdorim në raste kur grupime të dhunshme protestuesish kërcënojnë sigurinë publike.Trajtimi i medias dhe gazetarëve si një kërcënim i sigurisë publike, konsiderohet nga Avokati i Popullit si një nga sinjalet më shqetësuese për një situatë ku liria e shtypit është vënë në dyshim.”
Nga hetimet e Avokatit të Popullit rezultuan 16 të arrestuar dhe dy qytetarë të shoqëruar në Drejtorinë e Policisë Tiranë, mes të cilëve dhe një 19-vjeçar me probleme mendore. Një tjetër të arrestuari policia nuk i ka lejuar komunikimin me familjen e tij. Avokati i Popullit vizitoi dhe disa prej protestuesve të lënduar në spital, të cilët kishin marrë plagë nga dhuna e policisë. Njëri prej tyre deklaroi se ishte dhunuar nga policia dhe se gjatë qëndrimit në spital është mbajtur i lidhur me pranga. Ky shtetas ka qenë me statusin e personit të shoqëruar gjatë kohës që ndodhej në spital dhe se vendimi i marrjes së masës së arrestit në flagrancë është marrë dhe i është komunikuar vetëm në orën 2 pas mesnate. Për këtë rast, Avokati i Popullit tha se mbajtja e të dënuarve e aq më pak e të shoqëruarve të lidhur me pranga në kushte spitalore përbën një rast te trajtimit denigrues e çnjerëzor në kuptim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Shpërndaje te miqtë
