"[...] mund të shmangej me një qasje më pajtuese, konsensuale dhe mirëkuptuese nga ana e autoriteteve shtetërore kundrejt komunitetit të qytetarëve që ndjehen të cënuar nga projekti i zgjerimit të Unazës së re. Sidomos e domosdoshme ka qenë kjo qasje dhe më e panevojshme është bërë forca represive, në kushtet kur ky projekt duhet të ishte në fazë ngrirjeje, deri në verifikimin e plotë të dyshimeve të lindura për parregullsi ligjore në procedurat e tij”.
Sipas raportimit të AP policia qe vendosur në zonë që rreth orës 5 të mëngjesit dhe bllokoi lëvizjen e qytetarëve. Ajo ndaloi edhe grupet e punës së AP-ës, të cilëve nuk u lejua të afroheshin pranë vendeve ku IKMT po kryente aksionin. AP thotë në raport se:- u përdor dhunë e pajustifikueshme nga ana e policisë për largimin nga zona të banorëve
- banorëve nuk iu mundësua largimi i orendive dhe sendeve jetësore të përditshme nga ndërtesat
- 7 banorë dhe 5 policë u dërguan në spital
- në disa raste u ushtrua dhunë ndaj të shoqëruarve për në komisariate
- grupet e AP nuk u lejuan të kryenin punën
"Disa prej banorëve janë shtrirë në tokë, disa të tjerë janë futur në një lokal. Një shtetas pohon se është përpjekur të largohet nga vendi ku u krye sulmi me gaz, por në ecje e sipër ka ndierë se është goditur nga diçka dhe ka rënë pa ndjenja. Kur ka ardhur në vete ka parë se gjendej në spital ku u është nënshtruar ekzaminimeve."
Në lokalin e përmendur nga AP ishin vendosur rreth 50 gra dhe fëmijë, por pavarësisht kësaj policia theu xhamat dhe hodhi gaz lotsjellës brenda. Kjo u shkaktoi shumë prej tyre gjendje të fikti dhe u dërguan në spital nga banorë të tjerë. Shoqërimet dhe dhuna e policisë AP konstatoi dhjetëra shoqërime në polici në harkun kohor të tre orëve të para të mëngjesit. Prej orës 6:00 deri në 9:00 AP numëroi mbi 20 të shoqëruar, por që ato vazhduan edhe më tej gjatë mesditës. Në 4 raste personat ishin shoqëruar me dhunë ndërkohë që në Drejtorinë e Policisë Tiranë ishte “shoqëruar në orën 6.45 një grua së bashku me një fëmijë”. Ata ishte liruar në orën 9.00. AP shprehu shqetësimin për përdorimin e vazhdueshëm të gazit lotsjellës “si mjet i parë nga ana e policisë për të sulmuar grupe qytetarësh që protestojnë paqësisht, madje mbetet i paqartë protokolli i përdorimit të këtyre lëndëve, sidomos ndaj grumbullimeve të njerëzve ku të pranishëm janë edhe fëmijë, gra e të moshuar”. Ky është raporti i radhës pas atyre drejtuar Kuvendit ku AP ka adresuar shkeljet e kryera nga institucionet publike si në rastin e Shkozës, një tjetër zone në Unazën e Madhe.
