Zvërneci, Marigo Posio dhe pyetja se çfarë lloj vendi duam të lëmë pas

Adri Nurellari 4 Qershor 2026, 15:06

Zvërneci, Marigo Posio dhe pyetja se çfarë lloj vendi duam

Marigo Posio më shkoi menjëherë në mendje kur pashë gjithë ato vajza dhe gra që dolën në protestë, mbanin pankarta dhe merrnin fjalën me qetësi, argument dhe kurajë. Nuk munda të mos mendoja se Marigo Posio, një nga gratë më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, do të ishte krenare për këta breza që vazhdojnë të ngrihen për të mbrojtur atë që e konsiderojnë të drejtë dhe të përbashkët.

Për ata që nuk e dinë, Zvërneci nuk është thjesht një pasuri natyrore por është edhe një monument historie, kulture dhe identiteti kombëtar. Në kep buzë detit gjenden rrënojat ende të pa-eksploruara plotësisht të qytetit antik të Triportit, ndërsa mes pyllit, lagunës dhe flamingove ndodhet manastiri mesjetar i Shën Mërisë, një monument i shekujve që ka mbijetuar pushtime, luftëra dhe regjime. Po aty ndodhet edhe varri i Marigo Posios, gruas që qendisi flamurin kombëtar të ngritur më 28 Nëntor 1912.

Ka një vijë të padukshme që lidh historinë shqiptare. Ajo lidhet me Marigonë që qendisi flamurin e pavarësisë, me Norën e Kelmendit, Tringë Smajlin dhe Shote Galicën, gratë që morën pushkën në dorë dhe iu prinë burrave në luftën për liri, ka të bëje me motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi që hapën shkolla për vajzat shqiptare, me Urani Rumbon që luftoi për emancipimin e grave, me Musine Kokalarin që mbrojti lirinë e mendimit përballë diktaturës, apo Sabiha Kasimatin që u bë simbol i tragjedisë së intelektualëve shqiptarë. Dhe ajo vijë mbërrin deri te vajzat dhe gratë e sotme që dalin në sheshe, mbajnë fjalime, organizohen dhe marrin përsipër kauza qytetare, duke dëshmuar se trashëgimia e tyre nuk ka mbetur në librat e historisë, por vazhdon të jetojë në shoqërinë shqiptare.

Për rata që nuk e dinë, Marigoja nuk ishte thjesht gruaja që qëndisi flamurin kombëtar. Ajo ishte një aktiviste, një organizatore dhe një nga figurat më të rëndësishme të emancipimit qytetar në Shqipëri. Jam i bindur se ajo;  një nga veprimtaret më të hershme të kauzës kombëtare shqiptare, do të ishte krenare sot për brezat që kanë ardhur pas saj dhe që vazhdojnë të ngrihen për të mbrojtur atë që u përket të gjithëve. Prandaj ka një simbolikë të veçantë që varri i saj ndodhet pikërisht në Zvërnec, në një nga zonat që sot ndodhen në qendër të debatit publik.

Zvërneci, Marigo Posio dhe pyetja se çfarë lloj vendi duam

Sepse Zvërneci nuk është thjesht një pasuri natyrore por një peizazh ku bashkëjetojnë natyra, historia, feja dhe kujtesa kombëtare. Prandaj debati për këto zona nuk mund të reduktohet në një debat për investime, resorte apo zhvillim ekonomik sepse në fakt është një debat për raportin që kemi me trashëgiminë tonë.

Fatkeqësisht, Shqipëria ka parë edhe më parë se si monumentet sakrifikohen në emër të "zhvillimit". Muri romak në Porto Romano përfundoi i futur mes betonit të portit të hidrokarbureve. Në Durrës, hyrja e një segmenti të rrugës antike Egnatia u shndërrua në hyrje alternative të një pallati shumëkatësh. Teatri Kombëtar dikur monument i mbrojtur nga shteti u zhduk; fortesa e Justinianit, e njohur si Kalaja e Tiranës, sot funksionon kryesisht si një hapësirë tregtare dhe gastronomike ndërsa nga stadiumi historik Qemal Stafa, një nga simbolet urbane të Tiranës të fillimit të shekullit të kaluar  sot ka mbetur vetëm basorelievi në hyrje.

Asnjë nga këto raste nuk erdhi si rezultat i një vendimi të vetëm. Të gjitha ishin produkt i një filozofie sipas së cilës trashëgimia shihet si pengesë për zhvillimin dhe jo si pjesë e tij. Por pikërisht këtu qëndron pyetja thelbësore. Çfarë lloj vendi duam të lëmë pas? Një vend ku çdo brez shet një pjesë të trashëgimisë së tij në këmbim të përfitimeve afatshkurtra? Apo një vend që kupton se disa pasuri kanë vlerë pikërisht sepse janë të pazëvendësueshme?

Kur mbrojmë Zvërnecin, Treportin, Sazanin apo Vjosën, nuk po mbrojmë vetëm natyrën por po mbrojmë historinë, kujtesën dhe identitetin tonë kolektiv. Po mbrojmë vendet që na kujtojnë kush kemi qenë dhe që ndihmojnë të përcaktojmë se kush duam të jemi. Sepse disa vende nuk janë thjesht prona; janë trashëgimi; janë identitet. Nëse vazhdojmë t'i matim vlerat tona vetëm me metra katrorë betoni dhe norma fitimi afatshkurtra, rrezikojmë të kthehemi në një komb pa kujtesë e identiteti. 

Për këtë arsye revolucioni Flamingo nuk është thjesht një betejë për të penguar parcelat abuzive të investitorit radhës që ka lidhje me kryeministrin por është testi ynë i pjekurisë kombëtare. Është një provë e aftësisë sonë për të dalluar mes asaj që mund të ndërtohet pa zarar kudo tjetër dhe asaj që nuk mund të zëvendësohet kurrë. Pyetja që shtrohet sot përpara nesh nuk është nëse do të ndërtojmë resorte, por nëse do t'u lëmë brezave që vijnë një Shqipëri me histori, apo thjesht një kartolinë luksi të zhveshur nga shpirti.

Flamuri që Marigo Posio qëndisi në vitin 1912 nuk u ngrit për të mbuluar rrënojat e një vendi të tjetërsuar, që shiste trashëgiminë e vet, por për t’u valvitur nga një popull me dinjitet që kërkonte të bëhej zot i tokës së tij.