
Në të njëjtën kohë që në Shqipëri shpërtheu çështja e Zvërnecit dhe protestat me “revolucionin e flamingove”, në Itali po punohej për një projekt të ngjashëm me “projektin spektakolar” shqiptar, në një nga ishujt më të famshëm të Mesdheut, në Sardenjë – vend pushimesh i italianëve, turistëve, miliarderëve dhe politikanëve nga e gjithë bota.
“Tavolara Bay” ishte projekti për një investim luksoz që do të duhej të shtrihej në një komunë në Sardenjë, përballë ishullit të vogël të Tavolarës.
Sikurse projekti i Zvërnecit, projekti i Tavolara Bay në Itali parashikonte ndërtimin e një hoteli me 5 yje, të 26 vilave luksoze, restoranteve dhe bareve të plazhit, të një porti jahtesh dhe të një fushe golfi.
Një projekt më i vogël se Zvërneci, por i konceptuar mbi të njëjtën filozofi biznesi: një perlë e paprekur natyrore, e konsideruar peizazh i mbrojtur dhe me kritere të forta për ndërtim.
Edhe investimi do të ishte disa herë më i vogël, 220–250 milionë euro, sepse edhe volumi i ndërtimit ishte shumë më i vogël.
Por ideja, nga procedura deri te forma, ishte e njëjtë.
Edhe investitorët ishin të ngjashëm.
Investitori pas projektit të Sardenjës ishte kompania Tavolara Bay, pjesë e gjigantit brazilian të pasurive të patundshme JHSF Participações S.A.
Për qëllime taksash dhe kapitali, aksionerët e kompanisë fshiheshin në një rrjet kompanish-guaskë në Luksemburg, Maltë, Delaware, Bahamas dhe Ishujt Virxhin.
Pak a shumë si rrjeti i kompanive që shiste dhe blinte pronat e Zvërnecit në Shqipëri.
Për të realizuar këtë projekt, të cilin e mbështeste fort, qeveria Meloni vendosi t’i jepte statusin e zonës së lirë ekonomike, çka eliminonte burokracitë dhe kontrollet në Itali.
Çfarë ndodhi?
Pavarësisht se projekti u mbështet fuqishëm nga qeveria italiane, qeveria rajonale e Sardenjës doli hapur kundër autorizimit të Romës, duke e paditur vendimin edhe në gjykatën administrative.
Po ashtu, komunitetet lokale dhe shoqatat për ruajtjen e mjedisit organizuan protesta, duke e konsideruar projektin një spekulim pasurish të patundshme që dëmtonte ekosistemin dhe peizazhin e mbrojtur në atë zonë.
Kundërshti pati edhe brenda vetë qeverisë italiane, në Ministrinë e Kulturës dhe Trashëgimisë, ku zyra e trashëgimisë kulturore dha vlerësime negative për ndikimin në peizazh.
Përballë këtij reagimi masiv, qeveria Meloni vendosi në fillim të korrikut të anulonte statusin e zonës së lirë ekonomike për projektin dhe investitorin, duke u tërhequr prej tij. Sipas mediave italiane, qeveria italiane shmangu një “skandal të stilit shqiptar”.
***
Gjatë ditëve të qershorit dhe korrikut, kur në Shqipëri dhe Itali zhvilloheshin këto ngjarje, bota po ndiqte Botërorin e futbollit. As Shqipëria dhe as Italia nuk luanin në Botëror, por presidenti i FIFA-s u përball me të njëjtat probleme si Rama në Shqipëri e Meloni në Itali.
Xhani Infantino do të shfaqej me kostum dhe atlete të bardha më 18 korrik, në krah të presidentit amerikan Donald Tramp, për t’u dhënë medaljet dhe Kupën e Botës fituesve të Spanjës.
Kjo do të ishte dalja e fundit zyrtare e tij përpara shpërthimit të një furtune të vërtetë politike dhe mediatike.
Disa ditë më vonë, The Times do të zbulonte projektin e FIFA-s për shitjen e të drejtave tregtare të Kupës së Botës dhe Botërorit të Klubeve kompanive private, një projekt që llogaritej në afërsisht 4 miliardë euro.
Investitori kryesor që do të blinte kapitalin privat përmes fondit “Thrive Eternal” ishte Xhoshua Kushner, vëllai i Xhared Kushnerit.
Projekti i presidentit të FIFA-s ishte mbajtur i fshehtë dhe asnjë nga federatat e kontinenteve nuk ishte në dijeni.
Publikimi i këtij plani shkaktoi një valë zemërimi, ku federatat kryesore, të udhëhequra nga UEFA, kërcënuan me bojkotimin e të gjitha konkurrimeve të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës.
Përballë këtij zemërimi, akuzave për mungesë transparence, mosllogaridhënie, privatizim të vendimmarrjes dhe arrogancë në udhëheqjen e organizatës botërore të futbollit, Infantino u detyrua të tërhiqej nga projekti i tij.
Ai humbi mbështetjen e federatave dhe votat e nevojshme për kalimin e projektit në Kongresin e FIFA-s, duke rrezikuar tashmë edhe karrigen e presidentit.
Po ashtu, investitorët e udhëhequr nga Kushner u tërhoqën, nga frika e bojkotit nga federatat kryesore – ajo evropiane, ajo latinoamerikane dhe ajo aziatike – që do t’i reduktonte konkurrimet e FIFA-s në ngjarje pa yjet e futbollit botëror dhe, për rrjedhojë, pa vlerë tregtare.
E përbashkëta e skandalit të FIFA-s me Shqipërinë nuk është vetëm mbiemri Kushner. Sikurse projekti i Zvërnecit në Shqipëri, projekti i Infantinos ishte një ide e fshehtë, e pakonsultuar me federatat dhe një marrëveshje e mbyllur paraprakisht, në parim, me investitorët e huaj.
Në futboll, pavarësisht dëshirës së presidentit të FIFA-s, çdo projekt i kësaj rëndësie kalon përmes votës së federatave që përbëjnë institucionin.
Ndryshe nga Shqipëria, në Itali dhe në FIFA reagimi kundër i detyroi autoritetet të tërhiqeshin nga këto projekte investimi që, në shumë aspekte, ngjajnë me investimin në Zvërnec.
Në Itali, përveç qytetarëve, rol të rëndësishëm kishte edhe pushteti vendor apo zyra për mbrojtjen e trashëgimisë, në varësi të qeverisë.
Në Shqipëri, projekti i Zvërnecit i nënshtrohet vetëm një institucioni, Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, të udhëhequr nga Kryeministri. Kjo sepse investitorët e huaj përfitojnë nga ligjet e veçanta, si ai për investimet strategjike dhe ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura, të votuara në Parlament nga shumica e udhëhequr po prej Kryeministrit.
Pushteti vendor nuk ka asnjë rol në vendimmarrje, as formalisht, ndërsa zyrat për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore nuk kanë bërë asnjë oponencë ndaj projektit.
E vetmja arritje e reagimit qytetar në Shqipëri ishte bllokimi i përkohshëm i punimeve në Zvërnec, por jo ndalimi i projektit që, sipas Kryeministrit Rama, do të jetë “spektakolar”.
Shpërndaje te miqtë
