Vdekja e narrativës së Edi Ramës nën gërmadhat e mediave në Shqipëri

Bledar M. Kurti 8 Qershor 2026, 10:02

Vdekja e narrativës së Edi Ramës nën gërmadhat e

Revolucioni i Flamingos ka hedhur përtokë edhe një sistem që pak lidhje ka me natyrën. Sistemin e propagandës dhe kapjes së medias tradicionale në Shqipëri, një nga shtyllat kryesore mbi të cilat është mbështetur pushteti i Edi Ramës.

Nëse do të ishte për këto media, Zvërneci dhe Sazani nuk do të ekzistonin. Nëse do të ishte për to, protesta nuk do të ekzistonte. Nëse do të ishte për to, do të kishte vetëm një burim informacioni për çdo ngjarje: Kryeministrin Edi Rama.

I mësuar me këto media — që rrallë u tregojnë shqiptarëve mëkatet e qeverisjes së tij, sepse pronarët e tyre ulen rreth tryezës ku ndahen tokat, koncesionet, paratë publike dhe favoret e pushtetit — por edhe i përkëdhelur për vite me radhë nga një pjesë e medias ndërkombëtare që e shndërroi në lajm për atletet e bardha, çitjanet e zeza apo zhgarravinat shumëngjyrëshe, Edi Rama nuk po arrin ta kuptojë pse një protestë që sipas tij “nuk kalon 8 mijë vetë” po bëhet lajm botëror.

Me mediat shqiptare do ta kishte pasur të thjeshtë.

Në fillimet e veta politike, dikur, ai i merrte vetë në telefon. U dërgonte mesazhe gazetarëve dhe kryeredaktorëve. Debatonte me ta për mënyrën se si kishin shkruar një lajm që nuk i pëlqente, që i prishte imazhin apo i hapte telashe.

Sot, që ka të gjitha pushtetet, nuk ka më nevojë ta bëjë.

Prej vitesh, zgjidhja është gjetur me pronarët. Ata marrin punë e para nga buxheti i shtetit. Marrin reklama nga kompani publike që nuk kanë asnjë arsye reale të reklamojnë. Marrin status investitori strategjik. Marrin prona, lehtësi dhe infrastrukturë.

Në këmbim, media shqiptare shërben si altoparlant suksesesh për qeverinë. Përcjell mesazhet e propagandës së saj. Kthen rutinën e përditshme të ministrave në ngjarje me rëndësi kombëtare.

Por mbi të gjitha, media ka hequr dorë nga funksioni i saj kryesor: kontrolli i pushtetit.

Hulumtimet pothuajse janë zhdukur. Analizat janë rralluar. Raportimi kritik është zëvendësuar nga zhurmën e paneleve televizive, ku debati reduktohet në “ai tha”, “ky tha”, “i ra tavolinës”, “iu përgjigj”, “nuk iu përgjigj”.

Dhe prova më e mirë është vetë Zvërneci.

Pas gjithë kësaj zhurme, ende nuk ka një media tradicionale që të ketë bërë një hulumtim serioz për historinë e investimit: Kush i zotëron tokat? Si i kanë marrë? Kush janë investitorët realë? Nga vijnë paratë? Cili është roli i Jared Kushnerit dhe Ivanka Trump? Si u dha leja zhvillimore? Pse u dha? Çfarë detyrimesh krijon?

Si ndodhi që pa projekt përfundimtar dhe pa leje ndërtimi u vendosën gardhe me tela me gjemba, u kufizua hyrja në zonë, u soll policia private dhe nisën punimet?

Madje nuk është hetuar as pyetja më bazike: pse 4 miliardë euro? Nga ka dalë kjo shifër? Përveç gojës së Kryeministrit dhe njoftimeve të investitorëve anonimë, kush e ka verifikuar? Vetë Kushner flet për 1,4 miliardë dollarë. Pjesa tjetër nga ka dalë?

Media shqiptare është kthyer në një arush cirku, të cilit nuk ke më nevojë t'i thuash çfarë të bëjë. E ke stërvitur me karamele dhe ai e di vetë kur duhet të kërcejë në dy këmbë dhe kur duhet të shtrihet përtokë për të argëtuar publikun.

Ky është modeli i mediave i ndërtuar nga Edi Rama.

Por ky model nuk ka asnjë lidhje me median në Bashkimin Evropian apo në Shtetet e Bashkuara.

Pikërisht për këtë arsye, Kryeministri gjen kurajën t'u shkruajë letra publike CNN-it, NBC-së, Guardian-it dhe mediave të tjera ndërkombëtare.

Me shpirt, me siguri do të kishte dashur t'i merrte një nga një në telefon dhe t'u shpjegonte si bëhet lajmi, ashtu siç tentoi vite më parë me gazetarë grekë dhe italianë.

Por në Amerikë dhe në Perëndim gjërat nuk funksionojnë kështu. Atje një telefonatë e tillë do të prodhonte skandal më të madh se vetë protesta.

Dhe pikërisht këtu qëndron domethënia e vërtetë e letrës së të tij. Ajo tregon humnerën mes medias së lirë dhe karikaturës së medias që është ndërtuar në Shqipëri.

Ajo tregojnë se si e koncepton Edi Rama median. Jo si një institucion që kontrollon pushtetin. Por si një institucion që i shërben pushtetit.

Në mendësinë e tij është sunduesi që duhet të përcaktojë narrativën. Është sunduesi që duhet të vendosë çfarë është lajm. Është sunduesi që duhet të vendosë çfarë meriton vëmendje globale dhe çfarë jo.

Kjo ka qenë gjithmonë filozofia e tij politike. Kryeministri apo kryebashkiaku që vendos për gjithçka.

"Kryeredaktori" mbi kryeredaktorët. Njeriu që përcakton çfarë duhet të raportojë gazetari, televizioni, portali apo gazeta.

Sepse Edi Rama dhe njerëzit që e rrethojnë e dinë mirë se çelësi i mbajtjes së gjatë të pushtetit është kontrolli i narrativës. Sepse ajo që nuk shfaqet në ekran, për shumicën e njerëzve, nuk ekziston.

Dhe për vite me radhë ia kanë dalë ta kontrollojnë narrativën. Bashkë me median e nënshtruar, i kanë fshehur publikut shqiptar shumë nga problemet e qeverisjes dhe publikut të huaj shumë nga arroganca dhe abuzimi i pushtetit.

Por kanë harruar atë që harrojnë gjithmonë autokratët. Se vjen një moment kur realiteti shpërthen përtej propagandës. Pikërisht këtë po tregon Revolucioni i Flamingos.

Protesta e qytetarëve nuk e ka rrëzuar pushtetin e Edi Ramës.

Por ka bërë diçka që për të mund të jetë po aq e rrezikshme.

Ka çarë monopolin e tij mbi narrativën.

Ka treguar se ajo që nuk raportohet në televizionet shqiptare mund të raportohet nga mediat e botës.

Ka treguar se narrativat e historitë e kontrolluara nga pushteti nuk kanë asnjë fuqi mbi historinë e treguar nga celularëve në duart e qytetarëve të lirë.

Për një sistem të ndërtuar mbi kontrollin e narrativës, kjo është çarja më e rrezikshme nga të gjitha.

Prandaj e ka me CNN-in. Prandaj e ka me NBC-në. Prandaj e ka me Guardian-in.

Sepse për herë të parë pas shumë vitesh, ato po e përshkruajnë jo siç ai dëshiron të shihet, por siç është.

Në fund të fundit, kriza e sotme nuk është vetëm kriza e një projekti në Zvërnec.

Është kriza e një sistemi që për vite me radhë ka funksionuar duke kontrolluar atë që publiku sheh, dëgjon dhe diskuton.

Dhe pikërisht për këtë arsye, Revolucioni i Flamingos mund të rezultojë shumë më i rëndësishëm sesa duket në pamje të parë.