Unë jam Shqipëria: hubrisi në pushtet

Neritan Sejamini 20 Tetor 2026, 17:53

Unë jam Shqipëria: hubrisi në pushtet

Grekët e lashtë besonin se e meta më fatale e njeriut ishte hubrisi: krenaria e tepërt, bindja se je mbi të tjerët, madje mbi fatin e paracaktuar.

Tragjeditë greke përsërisnin një mësim të thjeshtë: kush beson me kryelartësi se do t'i ikë fatit, ndërmerr pikërisht ato veprime që e bëjnë fatin të pashmangshëm.

Siç thotë Sofokliu: "Fjalët e mëdha, me plagët e rënda q'i sjellin mendjemadhit, ia mësojnë atij urtësinë, por veç në pleqëri."

Fjalët e mëdha!

Edi Rama tha shumë të tilla dje:

Tani do thoni ju, do thonë disa, 'po pse, do ikësh ti edhe ne s'do shkojmë në BE? Po pse, ti?' Po mirë, nuk po them që po, patjetër jeni të paaftë ta çoni Shqipërinë në BE. Jeni një tufë të paaftësh, jeni një tufë të dhunshmish, jeni një tufë mediokrësh, jeni një tufë ziliqarësh që vetëm nxisni dhunë sepse nuk më mundni dot me zgjedhje, nuk më mundni dot me fjalë, nuk përballoni dot një argument me mua...

Në të njëjtën frymë, ai i quajti studentët protestues "të ardhur nga periferia", njerëz që kanë "nevojë për psikolog".

Në guximin e tyre ai nuk sheh qytetarë që e kundërshtojnë, por ‘duar të huaja’ dhe armiq që komplotojnë.

Lexojini edhe një herë: Tufë të paaftësh. Tufë të dhunshmish. Tufë mediokrësh. Tufë ziliqarësh. Njerëz të periferisë. Njerëz që kanë nevojë për psikologë.

Janë mendimi i tij për qytetarët e tij. Ata i duken të padenjë për botën e tij madhështore.

Bota e tij ka vend vetëm për "unë". Nuk më mundni. Nuk më përballoni. Unë Shqipëria, unë e ardhmja, unë BE-ja. Një dramë heroike me vetëm një hero e tjerët armiq.

Hubris është sëmundja nga e cila vuan Edi Rama.

Turma e padenjë për udhëheqësin e madh

Shekspiri e ka përshkruar shumë herë këtë lloj njeriu.

Gjenerali trim Koriolani ishte i bindur se Roma i detyrohej gjithçka. Kur romakët i kërkuan përunjësi, ai ua ktheu me arrogancë e krenari. Ata e dëbuan dhe ai i mallkoi: "Ju, turmë qensh që lehni, fryma e të cilëve më neverit si avulli i kënetave të kalbura."

Ai u kthye kundër Romës dhe vdiq i tradhtuar në duart e atyre me të cilët u bashkua për të ndëshkuar qytetin.

Të pazëvendësueshëm e mendonte veten Rikardi II. Kur i thanë se kundërshtarët po afroheshin e fisnikët po e braktisnin, ua priti: "As i gjithë uji i detit të egër nuk mund ta largojë vajin e shenjtë nga një mbret i bekuar; fryma e njerëzve të zakonshëm nuk mund ta rrëzojë të zgjedhurin e Zotit."

Asgjë nuk e shpëtoi. As paratë që mori duke ua dhënë mbretërinë me qira një grushti të pasurish dhe të preferuarish politikë. I ungji, duke dhënë shpirt, e pa drejt e në sy: "Tani je pronar i Anglisë, jo mbret."

Shqipëria e njeh mirë këtë lloj pronari.

Këto nuk janë përralla me mbretër. Janë përshkrime të të njëjtit karakter njerëzor që përsëritet në histori me një ngjashmëri gati-gati qesharake.

“Mbreti” ynë

Gati një dekadë e gjysmë në pushtet. Vullneti i tij ka qenë e vetmja politikë shtetërore; oborri i tij është pasuruar në mënyrë marramendëse.

Tani të papërfillurit rebelohen. Ai i sheh si turmë të prapambetur që nuk kupton misionin e tij për ta çuar drejt qytetërimit. Të përdorur, të paguar, ziliqarë. Si mund të guxojnë t’i kërkojnë të largohet?

Çdo përpjekje për ta bërë të reflektojë përplaset me të njëjtën bindje: pa të, ata nuk bëjnë dot.

E dëgjuat dje.

Duart e huaja

Armiqtë që komplotojnë kundër udhëheqësit të madh. Sa herë është dëgjuar kjo akuzë në histori!

Gjithmonë nga i njëjti kallëp udhëheqësish.

Enveri zbulonte grupe armiqësore pas grupesh armiqësore. Çaushesku denonconte agjentët e huaj dhe huliganët. Millosheviçi, shërbëtorët dhe mercenarët e NATO-s. Mubaraku, Janukoviçi, Sheik Hasina… të gjithë në luftë me “duart e huaja”.

Pakënaqësia ndaj tyre bëhet komplot, kundërshtari bëhet armik, ndërsa ata vetëshpallen mbrojtës të popullit mbi të cilin sundojnë.

Edhe në dhjetor 1990, pushteti u përpoq të gjente duart e huaja. Si studentët e sotëm, edhe ne atëherë “vinim nga periferia”. Edhe ne kërkonim të shkonim “drejt qendrës”. Pushteti na quajti të çmendur e do ketë menduar se kishim nevojë për psikologë.

“Pushteti kërkonte duart që na shtynin, sepse nuk donte të dëgjonte zërin që buçiste.”

Oborri i besnikëve

Pse nuk dëgjon? Sepse nuk ka mbetur askush që guxon t'i flasë.

Ka nga pas një parti që e kontrollon plotësisht. Në të ka idhtarë që e shohin si zot, ka shpirtra pa kurajë që heshtin, por ka edhe shumë mëkatarë si ai.

Si tek Makbethi:

  Ushtarët i binden veç nga frika,
  Jo nga dashuria; tani ndien
  Që titulli i madh' i fluturon
  Si rroba e një vigani përmbi trupin
  E një xhuxh-kusari.

Kjo është partia që sot duartroket. Jo nga dashuria. Duartroket nga frika, nga varësia, nga interesi.

Kur të vijë dita, idhtarët dhe frikacakët do të jenë të parët që do të largohen. Mëkatarët nuk do të kenë ku të shkojnë. Ata do të bien bashkë me të.

Shqipëria nuk është peng

Por fjalët më të rrezikshme të Ramës nuk janë fyerjet. Është kërcënimi që fshihet pas tyre: nëse unë iki, ëndrra evropiane ikën.

Është shantazhi i zakonshëm i atyre që ngatërrojnë veten me vendin.

BE-ja nuk ka pranuar kurrë një njeri. Ka pranuar shtete. Kapitujt nuk i mbyll karizma e një kryeministri. I mbyllin gjykatat që gjykojnë pa frikë ministrat e korruptuar, institucionet që punojnë pa urdhër nga lart, një ekonomi që ushqehet me djersën e punës dhe jo me paratë e krimit.

Ajo që e ka mbajtur Shqipërinë larg Evropës nuk janë studentët në rrugë. Është shteti i kapur, korrupsioni, paratë e pista që kanë ndërtuar bregdetin. Të gjitha këto u rritën nën dorën e tij.

Orbani u tha hungarezëve për 16 vjet se pa të s'kishte rrugë. Në prill ata e nxorën me votë, dhe Hungaria iu kthye Evropës.

Evropa nuk pret një njeri. Pret Shqipërinë. Dhe Shqipëria nuk duhet ta mbajë peng të ardhmen e vet për krenarinë e një njeriu të vetëm.

I vetëm në shkretëtirë

Mbreti Kreon e dënoi Antigonën me vdekje sepse ajo guxoi ta sfidonte. Nuk pyeti se ajo ishte dashuria e të birit, Hemonit. Nuk dëgjoi askënd. As lutjet e të birit.

Kur Hemoni i dëshpëruar i thotë se i tërë qyteti mendon ndryshe prej tij, Kreoni ia kthen:

Si? Qyteti do të më mësojë mua se si të sundoj?!

Hemoni:

A mos qyteti është pronë e një njeriu të vetëm?

Kreoni:

A nuk është shteti i atij që ka në dorë frenat e pushtetit?

Hemoni:

Bukur do sundoje, i vetëm, në një shkretëtirë!

Në fund, kur Kreoni vendosi të dëgjonte, ishte tepër vonë për ta ndalur tragjedinë.

Atyre që vuajnë nga hubris, siç thotë Sofokliu, mençuria u vjen vetëm në pleqëri pasi janë ndëshkuar.

Ndoshta, Edi Ramës mund t'ia mësojë urtësinë tragjedia e pushtetit të tij.

Por Shqipërisë nuk i duhet kjo tragjedi.

Një komb nuk mund të presë që të mençurohet një njeri. Një komb duhet të jetë më i madh se kryelartësia e një njeriu të vetëm.

Studentët në rrugë po e thonë këtë me fjalë të thjeshta, ashtu si Hemoni: ky vend nuk është i një njeriu të vetëm.

Ai që nuk e kupton këtë, në fund do t'i mbetet të sundojë një shkretëtirë.

 

Shpërndaje te miqtë