
Në të folurën e kohës ku jetojmë emërtimi “çunat e shkathët” ka marrë një domethënie përtej kuptimit të zakonshëm. Ky cilësim është diagnozë e mirëfilltë në patologjinë institucionale të vendit.
Çunat e shkathët nuk dallohen për formimin akademik, për talentin profesional, për prirjet krijuese apo punën e palodhur e të ndershme.
Çunat e shkathët thjesht dinë t’ia “dalin”. Ata njohin njerëzit e duhur, dinë të hapin dyert e rëndësishme, nuhasin mundësitë për para dhe, mbi të gjitha, dinë të lundrojnë në labirintet e pushtetit për të arritur pranë atyre që marrin vendimet.
Shkathtësia perceptohet zakonisht si virtyt i mbijetesës individuale, por kur suksesi material përcaktohet nga favoret dhe privilegjet dhe jo nga krijimi i vlerës, shkathtësia merr një kuptim tjetër.
Nuk kemi të bëjmë më me zgjuarsinë individuale, por me një model të organizimit të ekonomisë dhe pushtetit: në këtë model pasurimi përcaktohet nga favoret e pushtetit dhe jo nga konkurrenca dhe suksesi në treg.
Siç e ka treguar ekonomisti amerikan William Baumol në një studim të mirënjohur për sipërmarrjen produktive, joproduktive dhe shkatërruese, shkathtësia, apo thënë ndryshe energjia sipërmarrëse, ekziston në çdo shoqëri, por orientimi i saj drejt aktiviteteve prodhuese e krijuese apo joproduktive kushtëzohet nga rregullat e lojës ekonomike dhe politike në një shoqëri.
Nëse rregullat përcaktojnë se suksesi vendoset nga konkurrenca, atëherë talenti njerëzor orientohet drejt produktivitetit dhe inovacionit duke sjellë përparim dhe mirëqenie shoqërore.
Nëse rregullat përcaktojnë se suksesi varet nga afërsia me pushtetin dhe favoret shtetërore, atëherë e njëjta energji do të orientohet drejt ndërtimit të marrëdhënieve me pushtetin dhe sigurimit të favoreve shtetërore.
Thënë thjesht, në një ekonomi të konkurrencës së lirë, sipërmarrësi duhet të bindë konsumatorin që të pasurohet, por në një ekonomi klienteliste, sipërmarrësi duhet të “bindë” politikanin që të pasurohet.
Prandaj, në ekonomitë klienteliste, shteti heq dorë nga roli i arbitrit të paanshëm të rregullave dhe bëhet përcaktuesi se kush janë fituesit dhe humbësit në treg.
Aktorët në treg në vend që të investojnë në përmirësimin e produkteve investojnë në marrëdhënien me pushtetin.
Ky proces çon në “kapjen e shtetit”: aktorët privatë ndikojnë në përmbajtjen e ligjeve, rregullave dhe vendimeve publike që të sigurojnë favore dhe përfitime në dëm të konkurrentëve të tjerë në treg.
Kjo ndodh sepse “Çuni i shkathët”, me kalimin e kohës dhe konsolidimin e lidhjes me pushtetin, nuk mjaftohet me ryshfetin që jep për ta shkelur ligjin pa u ndëshkuar, por fillon e kujdeset që ligji të shkruhet ashtu siç i intereson atij.
Ky është dallimi midis korrupsionit të zakonshëm dhe kapjes së shtetit: në rastin e parë, dikush paguan për të shkelur rregullat, në të dytin ai ndikon në përmbajtjen e rregullave.
Kështu, favoret dhe privilegjet ligjërohen dhe korrupsioni nuk është më shmangie nga mënyra si duhet të funksionojë shteti, por bëhet vetë mënyra se si funksionon shteti.
Në këtë stad ndodhet Shqipëria sot. Ligjet shkruhen direkt me emrat e përfituesve, koncesionet krijojnë monopole, politikat publike propozohen nga privatët, shteti jep prona falas për privatët, për klientët bëhen ligje që shmangin prokurimin publik.
Mirëpo rasti shqiptar ndërlikohet më shumë për shkak se në ekonominë tonë është rritur shumë pesha e kapitalit me origjinë nga krimi i organizuar.
Rrjedhimisht Shqipëria është duke u përballur me rrezikun e ndërthurjes strukturore mes krimit dhe shtetit. Rrjetet kriminale të pasuruara nga trafiqet ndërkombëtare nuk kërkojnë thjesht integrim financiar përmes pastrimit të parave, por kërkojnë mbrojtje afatgjatë, pjesëmarrje në vendimmarrje dhe legjitimim shoqëror.
Rruga e tyre përshkruan një transformim të paramenduar, ku nga eksponentë të krimit kthehen në investitorë të mëdhenj, nga investitorë në filantropë dhe elitë e respektuar dhe, së fundi, në aktorë me ndikim mbi axhendën politike të vendit.
Pastrimi i parave është vetëm fillimi i procesit sepse ai pasohet nga pastrimi i biografisë dhe i reputacionit.
Paraja kriminale përdoret për të blerë jo vetëm prona dhe biznese, por edhe emër, lidhje shoqërore dhe ndikim publik. Sponsorizimet, filantropia, investimet e bujshme dhe afërsia me pushtetin shërbejnë si instrumente të këtij transformimi.
Kështu, problemi nuk mbetet futja e parasë së pistë në ekonomi, por shtrihet tek fakti që kapitali kriminal fiton ndikim mbi hierarkinë e pushtetit dhe respektit në shoqëri.
Kur sistemi dhe institucionet shpërblejnë integritetin dhe aftësinë prodhuese e krijuese, në rangun e elitës shoqërore ngrihen njerëzit që zotërojnë këto cilësi. Kur ngritja ekonomike dhe politike vjen nga klientelizmi, krimi, aftësia grabitqare, servilizmi apo besnikëria e verbër, atëherë natyrshëm elita mbushet me njerëz të tillë.
Pikërisht kjo ka ndodhur në Shqipëri. Në nivelet më të larta të elitës nuk janë krijuesit, prodhuesit, vizionarët dhe të aftët, por ata me lakueshmëri morale dhe talent për të përfituar dhe grabitur përmes forcës, dinakërisë, apo përshtatjes në sistemin klientelist.
Vrulli i tyre nuk mbaron kur ata kapin majën. Pasi sigurojnë pasuri dhe ndikim, ata përpiqen të ruajnë kushtet që ua mundësuan ngjitjen në majë.
Kështu krijohet një rreth vicioz ku institucionet prodhojnë privilegje, privilegjet prodhojnë elita të fuqishme dhe këto elita kërkojnë të ndikojnë institucionet që të ndërtojnë barriera hyrëse që mbrojnë monopolin e tyre dhe nuk lejojnë askënd që t’i rrezikojë.
Në këto kushte, njerëzit me dije, talent dhe ambicie, por pa lidhjet e duhura, detyrohen ose të pranojnë një konkurrencë në kushte të pabarabarta ose të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit.
Rezultati final është një shoqëri që ngec në vend dhe privohet nga zhvillimi dhe përparimi.
Kjo është kostoja më e rëndë e kapjes së shtetit: nuk grabiten vetëm fondet publike, por edhe mundësitë e një shoqërie për të përparuar.
Ironia më e hidhur është se ata që pasurohen duke shfrytëzuar shtetin na shiten si histori suksesi, ata që e kanë kapur shtetin na mbajnë leksione për shtetin ligjor, ndërsa ata që detyrohen të largohen fajësohen se nuk e duan mjaftueshëm atdheun.
Por fuqia më e madhe e këtij modeli është aftësia për t’u riprodhuar përtej cikleve zgjedhore. Nëse problemi do të qëndronte vetëm te disa individë të korruptuar, largimi i tyre do të mjaftonte.
Por kur problemi qëndron te mënyra se si shpërndahen privilegjet, si kontrollohen burimet publike dhe si ndërtohen marrëdhëniet midis politikës dhe biznesit, ndryshimi i individëve nuk garanton ndryshimin e sistemit.
Kur struktura e shpërblimit mbetet e pandryshuar, rotacioni elektoral ndryshon vetëm emrat e përfituesve, ndërsa mekanizmi i plaçkitjes vijon i paprekur.
Për këtë arsye, lufta kundër korrupsionit nuk mund të kufizohet vetëm te ndëshkimi penal i zyrtarëve apo përfituesve të privilegjeve. Ajo kërkon, mbi të gjitha, ndryshimin e kushteve që e bëjnë korrupsionin të mundur dhe fitimprurës.
Zgjidhja qëndron te kufizimi i pushtetit diskrecional të shtetit, zvogëlimi i ndërhyrjeve arbitrare në ekonomi dhe heqja e privilegjeve që krijojnë hapësira për klientelizëm dhe kërkim rente. Sa më shumë leje, licenca, përjashtime, subvencione dhe kontrata varen nga vullneti i politikanëve dhe burokratëve, aq më të mëdha janë mundësitë për korrupsion dhe kapje të shtetit.
Korrupsioni nuk luftohet vetëm duke ndëshkuar ata që blejnë favore, por edhe duke kufizuar pushtetin e atyre që kanë mundësi t’i shesin ato.
Në fund të fundit, “çunat e shkathët” nuk janë një aksident i tranzicionit shqiptar, por produkti më përfaqësues i një sistemi që shpërblen lidhjet mbi meritën, privilegjin mbi konkurrencën dhe besnikërinë ndaj pushtetit mbi aftësinë për të krijuar vlerë.
“Shkathtësia” e ngritur në sistem është, në fakt, dënimi më i rëndë që pushteti i bën të ardhmes së vendit.
Kur modeli dominues i suksesit ndërtohet mbi kapjen e zyrave publike dhe konvertimin e krimit në respekt social, mesazhi për shoqërinë është i qartë: dija zhvlerësohet, puna e ndershme penalizohet dhe konkurrenca asgjësohet.
Përballë një shteti që funksionon si koncesionar favoresh, qytetarëve të zakonshëm të ndershëm u mbetet vetëm nënshtrimi ose emigrimi.
Thyerja e kësaj spiraleje kërkon pikërisht shembjen e këtij pakti të pandershëm, kthimin e shtetit te roli i arbitrit të paanshëm dhe çlirimin e ekonomisë nga prangat e klientelizmit politik dhe parave të krimit.
Qytetari shqiptar nuk ka nevojë për një shtet që ia jep të drejtat si lëmoshë dhe i kërkon mirënjohje e nënshtrim në këmbim, por për një republikë ku askush nuk ka nevojë t’i përulet pushtetit për të marrë atë që i takon dhe ku secili mund të ecë përpara me kokën lart, falë djersës së ballit dhe punës së ndershme në kushtet e konkurrencës së lirë.
Shpërndaje te miqtë
