
O Tortugën, o Europën!
Kjo është zgjedhje që ka përpara Shqipëria—paralajmëronte një dekadë më parë Karlo Alberto Rosi, bashkëthemeluesi i Exit.al.
Ose Shqipëria do zgjidhte të ndërtonte një demokraci moderne europiano-perëndimore ose do të kthehej në parajsë për rrjetet kriminale, si Tortuga e dikurshme.
Tortuga është një ishull në veri të Haitit, i cili në vitet 1600-të ishte strehë e sigurt për piratët që sulmonin e plaçkisnin anijet që udhëtonin në zonën e Karaibeve.
Me pasuritë e vjedhura, piratët kishin ndërtuar në Tortuga një qytet të fortifikuar ku ishin të mbrojtur për të shijuar mirëqenien nga plaçkitjet e tyre.
Piratët e Tortugës u bënë problem për fuqitë detare të kohës—Anglinë, Francën dhe Spanjën—të cilat krijuan një aleancë ndërkombëtare kundër piratëve. Në fund të shekullit 17-të, Spanja e pushtoi Tortugën dhe më vonë Franca e aneksoi dhe u përpoq ta orientonte drejt bujqësisë.
Ishte prirja e dukshme e qeverisë Rama për ta kthyer Shqipërinë në një strehë të sigurt për “piratët” shqiptarë të trafiqeve e krimeve ndërkombëtare, që e nxiti Karlo Alberton të paralajmëronte rrezikun se mund të bëheshim një Tortugë moderne.
Gati një dekadë më pas, fatkeqësisht, ne jemi Tortuga në mes të Evropës.
Shqipëria është vendi ku kriminelët shqiptarë kudo në botë gëzojnë lirinë për të pastruar paratë, ngritur biznese, krijuar pushtet, madje edhe për t’u marrë me politikë.
Hetimet e fundit e kanë shpalosur këtë realitet qartë për të gjithë.
Dy biznesmenë të arrestuar para pak javësh, Shtufi dhe Sota, kanë së bashku rreth një të katërtën e të gjitha lejeve për ndërtesa të larta të dhëna nga qeveria vitet e fundit. Ata kishin ndërtuar perandori miliarda euroshe me paratë e trafiqeve; ishin bërë partnerë me biznese të ligjshme; ishin aleatë me politikën dhe ushtronin ndikimin në polici dhe kudo në shtet.
Një tjetër person për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër arresti për trafik dhe pastrim parash, Artur Shehu, bashkëpunonte me biznesmenin më të madh në vend dhe dyshohet se mund të jetë edhe financues i zhvillimit të famshëm në Zvërnec në mundësimin e të cilit është përfshirë vetë Kryeministri.
Përgjimet e SPAK treguan indirekt se kompleksi më i famshëm në Shqipëri, Green Coast në Palasë dhe një pjesë e ndërtimeve nga Palasa në Dhërmi janë ndërtuar me bashkëfinancim dhe pjesëmarrje të krimit. Biznesmeni më i rëndësishëm në Shqipëri gjatë 3 dekadave të fundit përmendet në bisedat e kriminelëve si ndërmjetës me qeverinë për të mundësuar investimet e krimit.
Në të vërtetë, hetimet e SPAK por edhe analiza të thelluara nga ekspertë dhe nga organizata ndërkombëtare tregojnë se financimi kriminal në ekonominë shqiptare, veçanërisht në ndërtim, nuk është as i rastësishëm dhe as dytësor: financimet e paligjshme janë kthyer në kapitalin bazë për ekonominë tonë. Vetëm vlera e pasurive të patundshme të vëna në sekuestro nga SPAK në gjashtë muajt e këtij viti është mbi 300 milionë euro, ndërkohë që vlera e tyre e tregut është disa miliardë euro.
Hetimet e SPAK-ut nuk zbulojnë devijime të sistemit, por mënyrën si sistemi është ndërtuar nga qeveria gjatë një dekade.
Askund nuk del më e qartë kjo qasje sistematike sesa në përmbledhjen Dosjet Shqiptare (Albanian Files). Përmbajtja e Dosjeve Shqiptare është plani i krijimit të Tortugës në Shqipëri.
Ky plan është i bazuar në plaçkitjen e tokave private dhe publike në bregdet dhe në pasuri të tjera natyrore nga aleanca krim-biznes licencuar nga qeveria për të ndërtuar masivisht miliarda euro të rrjedhura nga veprimtari kriminale.
Investimet e përfshira në Dosjet Shqiptare në përgjithësi nuk bëjnë sens ekonomik. Por ky plan zhvillimi i qeverisë nuk mbështetet mbi logjikën ekonomike dhe forcat e tregut: plani mbështetet mbi paranë jolegjitime.
Në fakt përgjatë dekadës së fundit qeveria e ka orientuar në mënyrë sistematike ekonominë e vendit drejt veprimtarive dhe investimeve të financuara me paratë e aktiviteteve të paligjshme.
Grabitja e pasurive publike, sidomos tokave në bregdet dhe vende të kërkuara; korrupsioni masiv përmes plaçkitjes së fondeve publike; skemat mashtruese me fondet publike (nga inceneratorët tek kontrolli i përgjithshëm shëndetësor); trafiku i drogës, platformat mashtruese financiare përmes qendrave telefonike, etj.—këto janë disa nga veprimtaritë kriminale të toleruara apo të mbështetura nga qeveria.
Ky transformim strukturor i ekonomisë largoi nga Shqipëria dy faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.
Së pari, largoi kompanitë perëndimore që vepronin më parë në Shqipëri—nga T-Mobile e Hochtieff tek Societe General e Athens Hygeia tashmë janë zëvendësuar me kompani arabe, turke, oligarkësh lokalë apo kompani të fshehura offshore.
Së dyti, largoi pjesën më produktive të vendit, të rinjtë, profesionistët, punëtorët, të talentuarit.
E kështu Shqipëria u bë gradualisht vendi që shpërblen vetëm “piratët” e drogës, plaçkitjeve, mashtrimeve financiare, korrupsionit.
“Nëse kjo do ishte qasja e vendeve anëtare të BE-së”—shkruante Carlo Alberto rreth një dekadë më parë—“do ndesheshim me një masakër: qytetarët e çdo vendi anëtar, të lirë për të kryer krime në një vend tjetër anëtar, të sigurt se mund të kthehen në vendin e tyre kurdo që të duan apo kurdo që ndjehen të rrezikuar, të shmangin çdo dënim dhe të shijojnë në paqe frutet e “punës” së tyre”.
“Kjo qasje—përfundonte Carlo Alberto—do ta kthente BE-në drejt e në mesjetë”.
Duket se këtë rrugë drejt mesjetës dhe jo drejt BE-së moderne ka zgjedhur qeveria Rama.
Një qasje që po e bën Shqipërinë një Tortugë moderne në mes të Evropës.
Fola dje në telefon me Karlo Alberto duke reflektuar me atë që ka ndodhur dhe çfarë mund të ndodhë. Karlo jetoi 27 vjet në Shqipëri, u martua me shqiptare, rriti dy vajza shqiptare, përpara se të kthehej në Itali.
Kur e pyeta si ndihet tani për Shqipërinë më tha se këtu kishte kaluar disa nga vitet më të lumtura të jetës së tij, por edhe vitet më të humbura. “Bëra para por nuk arrita të krijoja asgjë dhe nuk u përmbusha dot profesionalisht,” shtoi ai.
Të rinjtë që sot protestojnë duan që të përmbushen, duan të krijojnë, prodhojnë, jetojnë ndershëm dhe me dinjitet. Ëndrra e tyre është Europa. Jo Tortuga.
Në Tortugë mund të jetojnë të lumtur e të përmbushen lumtur vetëm “piratët”. Trafikantët, plaçkitësit, të korruptuarit.
