Tavani i zhvillimit: Pse turizmi nuk krijon ekonomi të zhvilluar

Adri Nurellari 11 Korrik 2026, 11:24

Tavani i zhvillimit: Pse turizmi nuk krijon ekonomi të zhvilluar

Qeveria e Shqipërisë po e paraqet gjithnjë e më shumë turizmin si fatin ekonomik të vendit. Çdo hotel i ri, aeroport, marinë apo resort bregdetar shpallet si një hap drejt mirëqenies europiane.

Turizmi është një sektor i rëndësishëm. Ai krijon vende pune, sjell valutë, gjallëron ekonominë lokale dhe mund të nxjerrë zona të tëra nga varfëria.

Por ngatërrimi i një industrie të suksesshme me një strategji kombëtare zhvillimi është një nga keqkuptimet më të mëdha ekonomike të kohës sonë.

Historia ekonomike ofron shumë pak, në mos aspak, shembuj të vendeve që janë bërë ekonomi të zhvilluara vetëm falë turizmit.

Vendet që sot gëzojnë standardet më të larta të jetesës nuk u pasuruan sepse prisnin miliona turistë.

Ato u pasuruan sepse ndërtuan industri konkurruese, investuan në teknologji, rritën produktivitetin, krijuan universitete dhe qendra kërkimore të nivelit të lartë, forcuan institucionet dhe prodhuan mallra e shërbime me vlerë të shtuar të lartë.

Turizmi erdhi më pas, si rezultat i këtij zhvillimi, jo si shkaku i tij.

Ky nuk është vetëm një konstatim historik, por edhe përfundimi i teorive më të rëndësishme të ekonomisë së zhvillimit.

Dija dhe praktika ekonomike dëshmojnë se rritja afatgjatë buron nga rritja e produktivitetit, inovacioni teknologjik, dija, kapitali njerëzor dhe krijimi i institucioneve politike dhe ekonomike gjithëpërfshirëse.

Turizmi është një sektor me pak vlerë të shtuar në të gjithë këta faktorë ekonomikë, ndaj edhe as dija dhe as praktika botërore nuk e konsiderojnë asnjëherë turizmin si nxitës të rëndësishëm të zhvillimit.

Arsyeja është e thjeshtë. Turizmi nuk krijon vetë pasuri globale, por e tërheq dhe e shpërndan atë.

Turistët shpenzojnë para që i kanë fituar në ekonomi industriale, kompani teknologjike, laboratorë kërkimorë, banka investimi apo industri me produktivitet të lartë.

Prandaj, një vend mund të ndërtojë një industri turistike shumë të suksesshme pa u bërë domosdoshmërisht një ekonomi e zhvilluar.

Ka shumë vende që kanë turizëm luksoz, por mbeten larg të qenit ekonomi të zhvilluara. Për shembull, Maldivet presin turistët më të pasur në botë, por edhe pas dekadash turizmi luksoz renditen vetëm rreth vendit të 83-të në botë për të ardhura për frymë.

Zanzibari ka një nga destinacionet më të bukura ekzotike turistike në Afrikë, por të ardhurat për frymë të rajonit mbeten vetëm rreth 1 400 dollarë në vit, pra kulmi i mjerimit.

Në afërsisht të njëjtën gjendje janë edhe Republika Domenikane apo Xhamajka, që kanë ndërtuar industri turistike ndër më të mëdhatë, por janë vende të pazhvilluara dhe me mirëqenie të ulët.

Vërtet, turizmi u ka sjellë këtyre rritje ekonomike, vende pune dhe një nivel jetese shumë më të mirë sesa do të kishin pa të, por asnjëri nuk është shndërruar në një ekonomi të avancuar, një fuqi industriale apo teknologjike vetëm mbi bazën e turizmit.

Kjo sepse turizmi mund ta ndihmojë një vend të dalë nga varfëria ose të arrijë nivelin e të ardhurave të mesme, por ka një kufi përtej të cilit nuk mjafton më.

Kalimi drejt statusit të një vendi të zhvilluar kërkon industri konkurruese, inovacion, kërkim shkencor, teknologji, prodhim me vlerë të shtuar të lartë, kapital njerëzor dhe institucione të forta.

Vendet europiane që kanë varësinë më të lartë nga turizmi janë pikërisht ato që përmenden shpesh si modele për Shqipërinë: Greqia (19,4% të PBB-së), Malta (15,9%) dhe Qiproja (13,1%).

Megjithatë, asnjëri prej këtyre vendeve nuk është zhvilluar falë turizmit. Malta dhe Qiproja e kanë kombinuar atë me shërbime financiare, transport detar, teknologji dhe institucione të forta.

Ndërsa Greqia, megjithëse është një nga destinacionet turistike më të mëdha në botë, vazhdon të përballet me produktivitet të ulët, dobësi industriale dhe emigrimin e kapitalit njerëzor më të kualifikuar.

Në anën tjetër qëndron përvoja e Azisë Lindore. Koreja e Jugut, Tajvani dhe Singapori nuk u bënë vende të zhvilluara sepse vizitoheshin nga turistët.

Ato investuan në arsim, industri eksportuese, teknologji, kërkim shkencor dhe inovacion. Turizmi u zhvillua pasi këto ekonomi kishin ndërtuar tashmë bazën e tyre prodhuese.

Edhe Gjermania është ekonomia më e madhe e Europës falë industrisë, inxhinierisë dhe eksporteve. Zvicra u pasurua nga farmaceutika, prodhimi preciz, financat dhe teknologjia. Italia, Franca dhe Spanja nuk mbështeten vetëm te plazhet dhe monumentet; ato janë gjithashtu prodhues të automobilëve, avionëve, barnave, makinerive, modës dhe teknologjive të avancuara.

Ekziston edhe një arsye ekonomike më e thellë pse turizmi nuk mund të jetë motori kryesor i zhvillimit dhe që ka të bëjë me faktin se ai ka një tavan natyror. Turizmi rritet kryesisht duke shtuar numrin e turistëve, shtretërve, restoranteve dhe konsumit.

Një hotel nuk mund t'i dyfishojë pafund të ardhurat pa ndërtuar dhoma të reja. Një restorant nuk mund të shërbejë pafund klientë pa zgjeruar kapacitetet. Një plazh nuk mund të zmadhohet pafundësisht. Rritja është kryesisht lineare dhe lidhet ngushtë me hapësirën fizike, territorin dhe numrin e punonjësve.

Industria dhe teknologjia funksionojnë ndryshe. Një patentë, një algoritëm, një ilaç i ri, një mikroçip apo një robot mund të shumëfishojë prodhimin dhe të ardhurat pa rritur në të njëjtën masë numrin e punonjësve apo sipërfaqen e përdorur.

Pikërisht ky është burimi i produktivitetit të lartë që karakterizon ekonomitë e zhvilluara.

Për më tepër, pas një pike të caktuar, çdo turist shtesë fillon të prodhojë përfitime gjithnjë e më të vogla dhe kosto gjithnjë e më të mëdha. Rriten çmimet e banesave, mbingarkohet infrastruktura, shtohen presionet mbi ujin, energjinë dhe mjedisin, ndërsa cilësia e përvojës turistike fillon të bjerë.

Ky është tavani strukturor i turizmit. Ai mund të jetë një sektor shumë fitimprurës në afatshkurtër, por nuk mund të zëvendësojë industrinë, teknologjinë dhe inovacionin si burime të mirëqenies afatgjatë.

Ky debat është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë. Propaganda qeveritare po krijon përshtypjen se mjafton të ndërtojmë më shumë hotele, marina dhe aeroporte për t'u bërë një vend i zhvilluar.

Në realitet, edhe vetë FMN-ja ka paralajmëruar se ekonomia shqiptare po zhvendos kapitalin dhe fuqinë punëtore drejt një sektori me produktivitet relativisht të ulët. Një ekonomi nuk bëhet më konkurruese duke zëvendësuar industrinë me shërbime turistike.

Turizmi duhet të jetë një nga shtyllat e ekonomisë shqiptare, por jo vetë ndërtesa. Shqipëria ka nevojë për industri moderne, energji, teknologji, bujqësi me vlerë të shtuar, logjistikë, ekonomi digjitale dhe prodhim për eksport.

Universitetet duhet të formojnë jo vetëm menaxherë hotelesh, por edhe inxhinierë, programues, biologë, kimistë dhe sipërmarrës teknologjikë. Po aq të rëndësishme janë gjykatat e pavarura, administrata profesionale, siguria juridike dhe mbrojtja e pronës private, sepse pa institucione të forta nuk ndërtohet asnjë ekonomi moderne.

Objektivi ynë nuk duhet të jetë thjesht të presim gjithnjë e më shumë turistë. Objektivi duhet të jetë rritja e produktivitetit të ekonomisë shqiptare. Turizmi mund të ulë varfërinë. Mund të krijojë vende pune, të rigjallërojë zonat rurale dhe të promovojë kulturën kombëtare.

Por historia ekonomike është e qartë: asnjë vend nuk është bërë fuqi e zhvilluar vetëm mbi turizmin.

Vendet që u pasuruan ndërtuan fillimisht fabrika, laboratorë, universitete, industri konkurruese dhe institucione të forta. Turistët erdhën më pas.