
Kur policia përdor plumba gome përballë një proteste ku marrin pjesë studentë dhe gjimnazistë, pasoja nuk bie vetëm te protestuesit që goditen.
Lajmi mbërrin edhe në shtëpi. Një prind që sheh pamjet e përplasjeve dhe dëgjon për rrezikun e plagosjes mund të vendosë të mos e lejojë më fëmijën të dalë në protestë. Kështu, frika bëhet një faktor që mund të pakësojë pjesëmarrjen, edhe pa pasur nevojë për arrestime formale.
Përdorimi i plumbave të gomës gjatë protestave në Tiranë ngre një dyshim që shkon përtej mënyrës se si policia ka ndërhyrë ndaj demonstruesve. Ai lidhet me mundësinë që këto mjete të jenë përdorur si taktikë e qëllimshme për të frikësuar familjet e studentëve dhe gjimnazistëve, duke i shtyrë prindërit t'i mbajnë fëmijët larg protestave.
Plumbat e gomës mund të mos sjellin domosdoshmërisht vdekjen, por nuk e përjashtojnë mundësinë e vdekjes.
Por sjo që është e sigurtë është se ata shkaktojnë dëme fizike. Goditjet e tyre mund të shkaktojnë humbje të shikimit, dëmtime të organeve, plagosje të përhershme dhe vdekje.
Amnesty International ka dokumentuar raste të shumta të këtyre pasojave dhe ka paralajmëruar se përdorimi i tyre si mjet frikësimi ose ndëshkimi cenon të drejtën për protestë paqësore.
Standardet e OKB-së kërkojnë që përdorimi i forcës të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional. Sipas udhëzimeve të OKB-së, plumbat e gomës nuk duhet të përdoren për të shpërndarë një tubim paqësor.
Edhe kur ka dhunë, ato mund të përdoren vetëm në rrethana të kufizuara, kundër personave konkretë që paraqesin rrezik, jo duke qëlluar pa dallim mbi turmën.
Prandaj përdorimi i plumbave të gomës nga polici të vendeve europiane nuk mjafton për të provuar ligjshmërinë e një ndërhyrjeje. E rëndësishme është si, kur, kundër kujt dhe për çfarë rreziku është përdorur.
Edhe një protestë ku disa persona ushtrojnë dhunë, nuk i heq pjesës tjetër të tubuesve mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Policia duhet të sqarojë llojin e municionit, numrin e përdorimeve, urdhrat, distancat dhe rrethanat e çdo goditjeje. Policia duhet të përcaktojë nëse përdorimi ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e jetës apo një ndërhyrje joproporcionale që, përveç plagëve, mund të ketë prodhuar frikë te familjet e protestuesve.
Rastet ndërkombëtare tregojnë se frika nga këto armë është reale.
Në Kili, gjatë protestave të vitit 2019, këto armë shkaktuan mbi 440 dëmtime të syve, sipas Institutit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut. Një nga viktimat ishte Gustavo Gatica, student 22 vjeç, i cili humbi shikimin në të dy sytë pas goditjes me plumba gome.
Në Kolumbi, studentja Leidy Cadena Torres humbi njërin sy gjatë protestave të vitit 2021, pasi u godit nga një plumb gome i qëlluar nga afër.
Në Francë, Jérôme Rodrigues pësoi dëmtime të përhershme gjatë protestave të Jelekëve të Verdhë në vitin 2019.
Këto janë raste të dokumentuara nga Amnesty International, e cila ka evidentuar se plumbat e gomës janë përdorur në vende të ndryshme edhe si mjete frikësimi dhe ndëshkimi ndaj protestuesve
Udhëzimet e OKB-së të vitit 2020 theksojnë se plumbat e gomës, si rregull, duhet të përdoren vetëm ndaj një individi të dhunshëm që paraqet rrezik të menjëhershëm për të plagosur dikë, duke synuar pjesën e poshtme të barkut ose këmbët.
Ato paralajmërojnë se goditja në kokë ose fytyrë mund të shkaktojë verbim, dëmtime të trurit dhe vdekje.
Kjo e bën të domosdoshëm hetimin e çdo përdorimi të plumbave të gomës në Tiranë, për të përcaktuar nëse policia ka reaguar ndaj një rreziku konkret apo ka përdorur forcën në mënyrë që mund të ketë frikësuar edhe protestuesit paqësorë dhe familjet e tyre.
Shpërndaje te miqtë
