
Prej disa javësh, Kryeministri Rama po ndërton strategjinë e daljes nga kriza më e rëndë e pushtetit të tij. Synimi është të rimarrë kontrollin politik, të fitojë zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe të hyjë i fortë në zgjedhjet e vitit 2029.
Nga fjalimet dhe deklaratat e tij publike, si dhe nga një sërë vendimesh dhe veprimesh të qeverisë, duken konturet e një strategjie që mbështetet në tri shtylla:
— ndryshimin e kuptimit të krizës dhe legjitimimin e qëndrimit të tij në pushtet;
— rimobilizimin e Partisë Socialiste dhe të administratës;
— sigurimin e disa fitoreve politike që duhet ta nxjerrin përfundimisht nga kriza politike
Ndryshimi i kuptimit të krizës
Kryeministri synon të bindë se protesta vjen nga pritshmëritë e rritura, jo nga keqqeverisja. Ai po përpiqet ta shkëpusë protestën nga shkaku konkret që e prodhoi.
Teza kryesore është se njerëzit nuk protestojnë sepse qeveria ka marrë vendime të gabuara, ka favorizuar interesa të caktuara ose ka dobësuar mbrojtjen e natyrës.
Ata protestojnë sepse zhvillimi i vendit ua ka rritur pritshmëritë dhe tani kërkojnë standarde më të larta.
Kështu, protesta shndërrohet nga akuzë ndaj qeverisjes në provë të suksesit të saj.
Propaganda gjithashtu përpiqet t’i ndajë protestuesit në dy grupe: ata që protestojnë në mënyrë legjitime për mjedisin dhe natyrën, të cilët qeveria është e gatshme t’i dëgjojë dhe t’ua plotësojë kërkesat, dhe ata që janë të motivuar politikisht dhe kanë qëllime jolegjitime.
Kryesisht për publikun e huaj, propaganda thekson se protestat janë shprehje e demokracisë që ka garantuar qeveria socialiste. Protestuesit, sipas këtij versioni, mund të protestojnë të qetë në të njëjtin vend ku, jo shumë kohë më parë, katër protestues u vranë nga qeveria.
Pasi përpiqet të ndryshojë kuptimin e protestës, Rama kërkon të ndryshojë edhe kuptimin e qëndrimit të tij të gjatë në pushtet.
Kërkesës kryesore të protestës—dorëheqjes së tij—Kryeministri i përgjigjet duke pretenduar se kërkon të qëndrojë në pushtet për shkak të misionit evropian, jo për shkak të dëshirës për pushtet.
I vetëdijshëm se tashmë është një nga udhëheqësit më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë dhe një nga udhëheqësit aktualë më jetëgjatë në Evropë, ai justifikohet:
“Nëse nuk do të ishte urgjenca e përditshme e detyrave të panumërta të anëtarësimit… me shumë gjasë do të isha tërhequr me shumë mirënjohje të madhe në katundin tim të vogël… Misioni ynë do të vazhdojë deri kur të mbarojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Europës së Bashkuar. Dhe pikërisht tani, përpara derës së hapur, Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes të vijë vërdallë rreth udhëkryqit të fundit historik apo, larg qoftë, të ndryshojë drejtim në mes të rrethrrotullimit.”
Mesazhi është i qartë: Rama nuk qëndron në pushtet për veten, por sepse vetëm ai dhe Partia Socialiste mund ta përfundojnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rimobilizimi i partisë dhe administratës
Kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit për të zgjidhur hallet e tyre dhe riaktivizimi i bazës së partisë dhe i makinerisë së saj elektorale janë drejtimi tjetër ku po këmbëngul Rama.
Kryeministri po përpiqet të bindë se çelësi i qëndrimit në pushtet është ajo që ai e quan “përkujdesja” dhe “prania besnike”: kthimi i funksionarëve dhe punonjësve partiakë në dëgjues dhe zgjidhës të halleve të përditshme të njerëzve.
Ndaj ai i kërkon partisë dhe administratës të bëjnë:
“…një kthesë strategjike drejt njerëzve, për të kaluar nga kapitulli i deritanishëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore; nga partia që shkon te njerëzit kur kërkon votën e tyre, duke treguar se çfarë ka bërë për vendin, te partia që rri pranë tyre kur njerëzit kërkojnë vëmendjen e saj për t’i treguar se çfarë vendi duan në rrugën e këtij zhvillimi dhe në gjirin e kësaj shoqërie.
Partia dëgjon dhe i shërben kujtdo pa e pyetur: me kë je, me kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, çfarë kahjeje politike të pëlqen; pa e pyetur për votën, madje pa e pyetur fare për politikë. Se halli nuk ka teserë dhe dera që hapet vetëm për ‘tanët, tanët, tanët’ është derë që hapet që një ditë të mbyllet për të gjithë ne. Kur them për të gjithë ne, them për Partinë Socialiste të Shqipërisë.”
Kryeministri nuk bën asnjë dallim midis punonjësve publikë dhe atyre partiakë. Ai e kornizon gjithçka si një përpjekje të përbashkët për të dëgjuar, kuptuar dhe ndihmuar njerëzit.
Kjo përzierje është thelbësore për strategjinë e tij. Një operacion që paraqitet si afrim njerëzor me qytetarët mund të shërbejë njëkohësisht si rimobilizim i partisë, i administratës dhe i makinerisë elektorale për zgjedhjet e ardhshme.
Fitoret që duhet të ndryshojnë klimën politike
Kryeministri Rama ka nevojë edhe për disa fitore konkrete për të ndryshuar klimën politike dhe për të rikthyer perceptimin se ai është në kontroll. Tri prej tyre janë vazhdimi i mbylljes së kapitujve të negociatave me BE-në, organizimi i Samitit të NATO-s dhe fitorja në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Mbyllja e kapitujve të negociatave
Sipas kalendarit me të cilin po punojnë qeveria shqiptare dhe Komisioni Evropian, synohet që në tetor të mbyllen përkohësisht 3–4 kapituj negociatash dhe 2–3 kapituj të tjerë brenda vitit.
Nëse këto objektiva arrihen, ato do të përdoren për të përforcuar idenë se Kryeministri Rama po e anëtarëson vërtet vendin në Bashkimin Evropian.
Kjo mund t’i zbusë kundërshtitë edhe te një pjesë e publikut kritik, i cili mund të tolerojë problemet e qeverisjes së sotme nëse beson se ajo do ta sillte anëtarësimin brenda një apo dy vjetësh.
Samiti i NATO-s
Në Hagë, një vit më parë, u vendos që samiti i ardhshëm i NATO-s të mbahet në Shqipëri. Megjithatë, një sërë mediash ndërkombëtare kanë raportuar, duke iu referuar burimeve konfidenciale në NATO dhe në vendet anëtare, se mbajtja e samitit në Shqipëri është vënë në diskutim.
Sipas këtyre raportimeve, një nga arsyet lidhet me dyshimet mbi përmbushjen reale nga Shqipëria të objektivave të shpenzimeve për mbrojtjen dhe me klasifikimin si shpenzime ushtarake të zërave që mund të mos jenë të tillë.
Mundësia e ndryshimit nuk është e papërfillshme, veçanërisht kur administrata amerikane dhe Presidenti Trump e kanë lidhur rolin amerikan në NATO me rritjen reale të kontributit ushtarak nga aleatët evropianë.
Në këtë kontekst, Kryeministri Rama ka interes të shmangë çdo kundërshti ndaj Tiranës.
Para pak javësh, qeveria shqiptare nënshkroi me qeverinë amerikane një marrëveshje huaje prej 302 milionë dollarësh, e cila do të përdoret për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane.
Kjo shumë, e barabartë me gati 1% të prodhimit të vendit, do të rriste shpenzimet ushtarake, do të forconte marrëdhëniet me administratën Tramp dhe do të krijonte një interes të drejtpërdrejtë ekonomik për kompanitë amerikane të mbrojtjes, të cilat kanë ndikim të konsiderueshëm politik në Uashington.
Kryeministri e di se organizimi i Samitit të NATO-s në Shqipëri do të ishte një mundësi kolosale propagandistike. Ai mund ta përdorte samitin për ta paraqitur veten si një udhëheqës me peshë ndërkombëtare dhe vazhdimin e pushtetit të tij si garanci të orientimit euroatlantik të vendit.
Zgjedhjet vendore të vitit 2027
Zoti Rama e di gjithashtu se ruajtja e shumicës së bashkive dhe, mbi të gjitha, fitorja në Tiranë do të shënonin daljen përfundimtare nga kriza e pushtetit të tij.
Një fitore në Tiranë do të krijonte dëshpërim mes kundërshtarëve dhe do të risillte mitin e pathyeshmërisë së tij. Ajo do t’u jepte mesazhin aktorëve ndërkombëtarë se, pavarësisht problemeve të qeverisjes, Rama mbetet forca dominuese në vend.
Gjithashtu, do t’u tregonte të gjithë atyre që varen nga pushteti ose bashkëpunojnë me të, përfshirë elitën e biznesit dhe mediat, se Kryeministri Rama vazhdon ta kontrollojë sistemin; ndaj ata duhet të vazhdojnë ta mbështesin për të mbrojtur interesat e tyre.
Humbja e Tiranës do të krijonte perceptimin e kundërt: se pushteti i Ramës është drejt fundit dhe se zgjedhjet parlamentare të vitit 2029 do të mund të sillnin ndryshimin e pushtetit.
A do të funksionojë kjo strategji?
Kryeministri ka epërsi të madhe në burime, kontroll mbi makinerinë e partisë dhe të të gjitha pushteteve në vend, aftësi të provuar komunikimi dhe përvojë në menaxhimin e krizave.
Edhe më parë, ai ka dalë nga kriza të rënda duke ndryshuar temën, duke rimobilizuar partinë dhe duke imponuar idenë se alternativa ndaj tij është më e pasigurt se vazhdimi i pushtetit të tij.
Por kriza e tanishme është më e thellë dhe më serioze se të gjitha të mëparshmet.
Këtë herë, ai përballet edhe me vetëdijesimin e komunitetit ndërkombëtar dhe faktorëve të tjerë mbi rrezikun që mbart vazhdimësia e pushtetit të tij për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe, në përgjithësi, për stabilitetin e vendit.
Këtë problem nuk e zgjidh dot vetëm propaganda.
Shpërndaje te miqtë
