Strategjia e Kryeministrit: Çdo gjë duhet të ndryshojë që asgjë të mos ndryshojë.

Neritan Sejamini 2 Shtator 2026, 02:14

Strategjia e Kryeministrit: Çdo gjë duhet të ndryshojë

Kryeministri Rama duket se ka adoptuar strategjinë e Di Lampeduzës: lëvizjet që rrezikojnë pushtetin nuk duhen luftuar, por përvetësuar.

Qetëso zemërimin e kundërshtarëve me lëshime sipërfaqësore, përvetëso kauzat e tyre, përfshiji kundërshtarët brenda sistemit që duan të rrëzojnë.

Siç i këshillonte aristokratët sicilianë, të kërcënuar nga revolucioni i bashkimit të Italisë, personazhi i Lampeduzës: “Nëse duam që çdo gjë të mbetet siç është, çdo gjë duhet të ndryshojë.”

Çfarë do Kryeministri të mbetet siç është

Kryeministri Rama nuk ka asnjë dyzim për qëndrimin në pushtet: ai ka egon dhe vullnetin për të qëndruar shumë vite të tjera në pushtet.

Por, për të qëndruar, ai duhet të sigurojë vazhdimësinë e modelit politik dhe ekonomik që e mban në pushtet.

një artikull, në ditët e para të protestës, fola për strukturën e pushtetit të kryeministrit, për të përcjellë idenë se përpjekja për largimin e tij do të dështojë nëse nuk drejtohet edhe kundër shtyllave që e mbajnë atë në pushtet.

Mbrojtja dhe garantimi i këtyre shtyllave është edhe qëllimi kryesor i të gjitha përpjekjeve të tij për të menaxhuar rrezikun nga Revolucioni i Flamingove.

Kryeminsitria ka domosdoshmëri jetike të ruajë:

1. Kontrollin total politik mbi qeverinë, parlamentin, administratën dhe institucionet kushtetuese në vend. Kryeministri nuk do të lejojë as çarje, as kundërshti e as kundërshtarë në parti, qeveri, grupin parlamentar apo ndonjë institucion tjetër.

Ai do të vazhdojë të shpërblejë bindjen dhe shërbimin pa kushte dhe do të forcojë në pushtet njerëz të rastësishëm e me aftësi të pakta, që përdoren dhe kontrollohen lehtë.

2. Ekonominë kriminale. Ekonomia jonë është strukturuar drejt veprimtarive që preferohen nga kapitali kriminal apo informal. Ndërtimi, veçanërisht në bregdet dhe në zonat turistike, mundëson investimin e shumave të mëdha, me transparencë të kufizuar mbi burimin e parave dhe me fitime të nxitura nga vendimet e qeverisë për tokën dhe lejet.

Qëndrueshmëria e kësaj industrie dhe e vetë ekonomisë, si dhe mirëqenia sipërfaqësore që ajo prodhon, janë dy elemente jetike për pushtetin e Kryeministrit dhe varen nga ruajtja e rrjedhës së parasë informale.

Kryeministri do të ruajë mekanizmat dhe instrumentet që mundësojnë këtë lloj veprimtarie, në radhë të parë ndërtimin në bregdet dhe në vende turistike. Në një formë apo tjetër, ai do të ruajë dhe zbatojë programin e paketës së maleve, zhvillimin e zonave të mbrojtura, të ashtuquajturat investime strategjike, ndërtimet në bregdet dhe Tiranë, koncesionet etj.

3. Ekonominë oligarkike të kontrolluar prej tij. Kontrolli mbi burimet ekonomike është i domosdoshëm për të ruajtur jo vetëm kontrollin mbi paranë, por edhe për të shmangur pole të tjera pushteti. Kryeministri do të vazhdojë t’u japë klientëve të pushtetit të tij pasuri publike, koncesione, kontrata, financime e lehtësira tatimore dhe do t’i lejojë të ushtrojnë monopole dhe të shmangin konkurrencën.

Këto tri shtylla përforcojnë njëra-tjetrën: kontrolli politik mundëson shpërndarjen klienteliste të burimeve; kontrolli i burimeve ekonomike forcon oligarkët dhe kriminelët e varur nga qeveria; ndërsa fuqia e ekonomike e këtyre ndihmon në ruajtjen e kontrollit politik.

Për t’i ruajtur të paprekura këto marrëdhenie pushteti, Kryeministri nuk ka nevojë të përdorë dhunë kundër protestës.

Atij i duhet vetëm ta përvetësojë, ta shpërndajë dhe ta bëjë të padëmshme protestën.

Kooptim

Elementi kryesor i strategjisë lampeduziane të Kryeministrit është kooptimi. Kooptimi përfshin përvetësimin e ideve, simboleve dhe kauzave të protestës, si dhe tërheqjen e protestuesve ose përfaqësuesve të saj brenda sistemit.

Siç është shtjelluar në një artikull të mëparshëm, Kryeministri është përpjekur ta kornizojë protestën dhe pakënaqësinë ndaj tij si reagim të drejtë të një shoqërie që ka përparuar aq shumë, sa tani nuk kënaqet me pak.

Ai ka fajësuar administratën dhe burokratët që nuk i kanë dëgjuar, nuk i kanë kuptuar dhe nuk u janë përgjigjur shqetësimeve, nevojave dhe kërkesave të njerëzve, duke treguar mungesë empatie ndaj tyre. Prandaj, ka shpjeguar ai, shumë njerëz kanë humbur besimin te qeveria, edhe pse ajo ka bërë reforma dhe politika që po e çojnë Shqipërinë përpara.

Prandaj, zgjidhja që ai ofron (për këtë shkak të rremë) është një qeveri që dëgjon, reflekton dhe u përgjigjet qytetarëve me empati. Kështu rifiton besimin e tyre.

Sikurse është trajtuar në një artikull të mëparshëm të Exit.al, qeveria ka filluar “të dëgjojë” me intensitet: çdo ditë në rrjete sociale shfaqen ministra, deputetë e drejtues të lartë duke u kthyer përgjigje njerëzve, duke i këshilluar, duke u shpjeguar. Ata shfaqen pranë hallexhinjve, duke ua zgjidhur hallet. Të gjithë me vështrime dhe gjeste që dëshmojnë empati e përkujdesje të thellë.

Përvetësimi i kauzave dhe ideve të protestës dhe zemërimit popullor nuk do të jetë e vetmja formë kooptimi. Me gjasa, Kryeministri do të kooptojë protestuesit, edhe ata që kanë ngritur zërin publikisht kundër qeverisë.

Siç ka bërë më parë me njerëz të opozitës, me gjasa Kryeministri do të përpiqet të përfshijë në nivele drejtuese të qeverisjes njerëz të dalluar të protestës, mundësisht nga ata që janë dalluar si zëra publikë të saj apo të kërkesave të saj.

Nuk do të ishte habi që, në javët e ardhshme, ndonjë drejtues shoqate apo veprimtar i shquar mjedisor të marrë një rol të lartë në qeveri. Edhe zëvendësministër apo ministër.

Kryeministri ka sa të duash poste të tilla dhe ka një gatishmëri të madhe për t’i ndarë me kundërshtarët.

Paqtim përmes “korruptimit”

Jo korruptimi klasik i favoreve personale në fshehtësi, por korruptimi moral. Nuk korruptohet domosdoshmërisht individi që pranon ndihmën; korruptohet qeverisja që përdor paranë publike jo për të zgjidhur problmet, por për të blerë heshtjen dhe paqen politike.

Të rinjtë e të rejat kanë qenë zemra e protestës, por edhe ata që sfiduan hapur propagandën e Kryeministrit, duke kontrolluar “algoritmin” dhe dobësuar imazhin e Kryeministrit.

Qiratë dhe çmimet e papërballueshme të banesave janë një nga shqetësimet kryesore të tyre.

Para pak ditësh, qeveria njoftoi se do të subvencionojë kreditë për banesa për çiftet e reja dhe të rinjtë në përgjithësi.

Ky subvencionim ndihmon pak (çmimet e banesave dhe jo interesat bankare janë problemi kryesor) dhe përfituesit kryesorë të kësaj politike janë bankat dhe ndërtuesit, por Kryeministri shpreson se do të joshë dhe do të blejë heshtjen e disave me këtë favor monetar.

Punësimi është një tjetër shqetësim i të rinjve — në kushtet kur ekonomia është orientuar drejt ndërtimit dhe turizmit dhe kur mungon konkurrenca e ndershme dhe meritokracia, shumë të rinj nuk shohin asnjë zgjidhje në Shqipëri.

Edhe për këtë, Kryeministri do të ofrojë zgjidhje pragmatike: drejtuesit e lartë qeveritarë dhe shtetërorë kanë marrë urdhër t’u japin prioritet dhe të punësojnë sa më shumë të rinj në muajt e ardhshëm, qoftë edhe përkohësisht. Kjo duhet për të zbutur pak presionin e të rinjve, por edhe për t’i përdorur ata për të “treguar” se në Shqipëri ka vend për punësimin e të rinjve.

Pensionistëve, në shumicë votues të PS-së, që filluan edhe ata të shprehin pakënaqësi për koston e jetesës,   (çfarë fjale banale!) vere prej 5 mijë lekësh në kulmin e protestës. Premtimet janë bërë për të tjerë.

Me gjasa, për ndikuesit e rrjeteve sociale që ia prishën qetësinë Kryeministrit do të gjenden kontrata pune te bizneset e lidhura me pushtetin.

Edhe programet e granteve qeveritare (për shoqërinë civile, për startapet apo kulturën) mund të përdoren për të joshur kritikë dhe ndikues publikë.

Ndryshim drejt… status quo-së

Të gjitha “aksionet” e mësipërme janë të përkohshme; asgjë nuk do të zgjasë.

Kthesa e madhe drejt dëgjimit dhe empatisë nuk do të zgjasë shumë — se modeli i qeverisjes është t’i shërbejë pakicës që kontrollon çdo gjë dhe mban pushtetin.

Me çmimet e banesave që rriten pa u ndalur, subvencionimi i huave nuk do t’i bëjë të rinjtë me shtëpi.

Në një ekonomi anemike të kapur nga oligarkia dhe krimi, nuk mund të ketë punë me dinjitet për të rinjtë.

“Ndryshimet” që ka planifikuar Kryeministri nuk prekin shkaqet e problemeve.

Sepse shkaqet e problemeve prekin thelbin e pushtetit.

Dhe thelbi i pushtetit nuk duhet të preket. Vetëm fasada.

Nëse duam që çdo gjë të mbetet siç është (në thelb), çdo gjë duhet të ndryshojë (në fasadë).

 

Shpërndaje te miqtë