
Arresti për drejtuesin e SHISH-it dhe hetimi i ish-kreut të Policisë së Shtetit janë dy episodet e fundit në një varg skandalesh që kanë përfshirë drejtuesit më të lartë të institucioneve shqiptare.
Secili prej tyre duhet të ishte ndodhi e jashtëzakonshme që duhet të ndërpriste rutinën e qeverisjes dhe të vinte në lëvizje llogaridhënien dhe nxjerrjen e përgjegjësive.
Por ne po jetojmë në një kohë kur skandalet janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë politike.
Dhe kur skandalet bëhen të shpeshta, ato fillojnë të humbasin pikërisht funksionin e tyre korrigjues.
E jashtëzakonshmja bëhet e zakonshme dhe ajo që dikur do të kishte shkaktuar një krizë politike, tani prodhon vetëm disa ditë debat, përpara se të zhduket nga vëmendja publike.
Në harkun e më pak se një viti, ne jemi përballur me hetimin për korrupsion dhe manipulim tenderësh të zëvendëskryeministres Balluku; me hetimet për pjesëmarrje në grup kriminal të drejtoreshës së AKSHI-t Karçanaj; me skandalin e Zvërnecit ku po hetohet ndërthurja e e grabitjes së pronave, me pastrimin e parave, shkatërrimin e natyrës dhe interesat e oligarkëve; me skandalin e Ron Yeffetit me planet për të shtënë në dorë pasuri publike dhe për trafik armësh; e së fundmi me hetimin për kapjen e SHISH-it dhe Policisë së Shtetit nga krimi.
Këto ngjarje kanë konkurruar vazhdimisht për vëmendjen publike, duke krijuar një situatë ku, përpara se të jetë sqaruar përgjegjësia për një skandal, një tjetër i ka zënë vendin në debatin publik.
Ende pa u sqaruar e vërteta për abuzimet dhe krimet e një drejtuesi të lartë, vëmendja zhvendoset drejt një ngjarjeje të re, e cila kërkon po aq energji, po aq zemërim dhe po aq përqendrim.
Çdo skandal i ri nuk e shton domosdoshmërisht peshën politike të skandaleve të mëparshme.
Përkundrazi, në kushtet e një vëmendjeje publike të kufizuar, skandali i ri e zbeh të vjetrin sepse e largon atë nga debati publik përpara se e vërteta të ketë dalë në dritë dhe përgjegjësit të kenë dhënë llogari.
Kështu krijohet një kontraditë: sa më shumë skandale grumbullohen, aq më pak aftësi mund të ketë shoqëria për t’u skandalizuar prej tyre.
Këtë paradoks ekonomisti Herbert Simon e shpjegon me faktin se bollëku i informacionit krijon varfëri të vëmendjes.
Vëmendja njerëzore është një burim i kufizuar dhe, kur numri i çështjeve që kërkojnë përqendrim rritet vazhdimisht, aftësia për të ndjekur secilën prej tyre zvogëlohet.
Në rastin e Shqipërisë, kjo dinamikë është problematike sepse skandalet janë çështje komplekse.
Për të kuptuar plotësisht një aferë, qytetarit i duhet të dijë jo vetëm se çfarë ka ndodhur, por edhe kush ka marrë vendimet, cilat institucione kanë pasur detyrimin për t’i kontrolluar, çfarë provash ekzistojnë dhe çfarë pasojash kanë ardhur prej tyre.
Mirëpo, përpara se ky proces të përfundojë, shfaqet një çështje tjetër që kërkon të njëjtin nivel vëmendjeje.
Dhe kështu çështjet e mëparshme mbeten të hapura, të paqarta dhe gradualisht të harruara.
Këtu qëndron dallimi thelbësor ndërmjet informimit dhe llogaridhënies. Informimi kërkon që një ngjarje të bëhet publike, ndërsa llogaridhënia kërkon që ajo të ndiqet deri në sqarimin e përgjegjësive dhe zbatimin e mekanizmave ligjorë e institucionalë.
Nëse procesi ndërpritet vazhdimisht nga ngjarje të reja, shoqëria mund të përfundojë duke konsumuar një sasi të jashtëzakonshme informacioni, por pa ushtruar kontroll efektiv mbi pushtetin.
Por shpërndarja e vëmendjes është vetëm njëra anë e problemit.
Një rrezik tjetër është ai që njihet si “disfunksion narkotizues” i komunikimit masiv: njerëzit mund ta ngatërrojnë informimin për problemet me veprimin për t’i zgjidhur ato.
Ata lexojnë lajmet, ndjekin debatet, shpërndajnë denoncimet dhe komentojnë me indinjatë, duke krijuar ndjesinë se kanë bërë çdo gjë që mund të bënin si qytetarë.
Ky mekanizëm shpjegon indinjatën që reduktohet në një status në rrjetet sociale. Ne e shajmë abuzimin, e përqeshim autorin, shpërndajmë një video dhe presim lajmin pasardhës.
Shfryrja sjell lehtësim të përkohshëm te ne, por nuk krijon trysni të qëndrueshme ndaj pushtetit. Pushteti mund të bashkëjetojë me një publik që e përbuz atë, për sa kohë kjo përbuzje nuk kthehet në kërkesa, veprime dhe pasoja.
Nga ana tjetër, qytetarët mësohen me realitetin e hidhur dhe dorëzohen.
Në vend që të mendojnë se “këtë herë nuk arritëm të sjellim ndryshim”, ata binden se “këtu asgjë nuk mund të ndryshojë”.
Kalimi nga zhgënjimi për një rast konkret te bindja se çdo përpjekje e ardhshme është e kotë përbën thelbin e asaj që psikologët e quajnë “pafuqi e përvetësuar”.
Njeriu mund të vazhdojë të jetë i informuar, i zemëruar dhe kritik ndaj pushtetit, por njëherazi të mos shohë më arsye për të reaguar, sepse e ka humbur besimin te ndikimi i vet.
Në këtë mënyrë, mungesa e llogaridhënies dhe rezultateve konkrete nuk dëmton vetëm besimin te institucionet, por fillon të gërryejë edhe besimin e qytetarëve te fuqia e tyre.
Pikërisht këtu qëndron rreziku i një qeverisjeje ku skandalet përsëriten më shpejt sesa jepen përgjigjet për to. Përgjegjësia e pushtetit mbetet pezull, ndërsa qytetarët mund të mësohen të presin gjithnjë e më pak prej tij.
Dhe kështu plotësohet cikli: vërshimi i skandaleve shpërndan vëmendjen, konsumimi i pandërprerë i lajmeve krijon përshtypjen se kemi bërë mjaftueshëm vetëm duke u informuar dhe komentuar, përsëritja e abuzimeve zbeh indinjatën, ndërsa mungesa e rezultateve ushqen bindjen se reagimi është i kotë.
Për ta thyer këtë cikël, duhet të kalojmë nga ndjekja e skandaleve te ndjekja e përgjegjësive: të mos e konsiderojmë një skandal të mbyllur vetëm sepse ka shpërthyer një tjetër, të kërkojmë përgjigje të qarta dhe të kërkojmë përgjegjësi konkrete, pa u përhumbur në zhurmën e debatit.
Përballë mbingarkesës duhet kujtesë dhe përqendrim. Përballë mpirjes duhet ruajtur standardi moral se abuzimi nuk bëhet i pranueshëm ngaqë përsëritet. Përballë ndjenjës së pafuqisë duhen veprime të përbashkëta me kërkesa të qarta dhe rezultate të matshme.
Asnjë skandal i ri nuk duhet të na bëjë të harrojmë të mëparshmin dhe asnjë zhgënjim nuk duhet të na bindë se përpjekja e radhës është e kotë.
Fuqia qytetare fillon të rikthehet kur indinjata nuk mbaron te lajmi, por vazhdon deri te kërkimi i përgjegjësisë.
Shpërndaje te miqtë
