
“Protesta për zonat e mbrojtura nuk duhet parë si kundërshtim ndaj zhvillimit, por si shprehje e një shoqërie që ka hyrë në një epokë të re, ku qytetarët kërkojnë standarde më të larta.”
Kështu u shpreh Kryeministri Rama sot para vartësve të tij, deputetë e ministra.
Jam dakord me të. Pikërisht sepse Shqipëria ka bërë përparim në mbrojtjen e natyrës, qytetarët reagojnë kur shohin se këto standarde po vihen në diskutim.
Për këtë arsye, debati për ndryshimet që iu bënë ligjit të zonave të mbrojtura, që i hapën rrugë ndërtimeve në to, nuk është një debat i zakonshëm.
Nuk është debat për një hotel, resort apo një investim konkret.
Është debat për standardin.
Dhe standardet nuk maten vetëm nga sipërfaqja që shpallet e mbrojtur.
Standardet maten nga qëndrueshmëria e rregullave që e mbrojnë atë.
Pikërisht ky është debati i vërtetë.
Ka ligje që ndryshojnë një procedurë, por ka ligje që ndryshojnë një filozofi.
Ndryshimet që iu bënë në vitin 2024 ligjit për zonat e mbrojtura ndryshuan filozofinë e mbrojtjes së tyre.
Në thelb, ligji për zonat e mbrojtura, sikurse edhe ai për investimet strategjike, ka të bëjë me marrëdhënien që ka shteti me pasuritë që Kushtetuta dhe ligji ia besojnë për t’i administruar në interes publik.
Këtë marrëdhënie transformuan ndryshimet e ligjit.
Për shumë vite, unë kam qenë krenare për mënyrën se si Shqipëria po ndërtonte sistemin e saj të zonave të mbrojtura.
E kam thënë këtë në forume ndërkombëtare, në diskutime për financimin klimatik dhe në takime me institucione që vlerësonin seriozitetin e politikave mjedisore.
Nuk ishte propagandë. Ishte bindja ime profesionale.
Moratoriumet, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, zgjerimi i sipërfaqeve të mbrojtura dhe përpjekja për të ndërtuar një administrim të specializuar (pasaporta e secilës zonë sipas rëndësisë dhe kategorisë) ishin sinjale se Shqipëria po e trajtonte natyrën si një pasuri që duhej ruajtur, jo si një rezervë territori që pret të vihet në dispozicion të zhvillimit.
Prandaj ndryshimet e vitit 2024 ishin thellësisht zhgënjyese. Sepse ato ndryshuan qasjen dhe vetë filozofinë se si duhet të mbrohen pasuritë natyrore.
Ligji i vitit 2017 ishte ndërtuar mbi parimin thelbësor se mbrojtja e natyrës ishte rregulli statik dhe çdo ndërhyrje që përbënte përjashtim duhej të justifikohej me kritere shumë të forta.
Ndryshimet e vitit 2024 e zhvendosën këtë raport. Thelbi i tyre përmblidhet në dy terma që ligji i ndërron: “moslejimi” zëvendësohet me “kufizimin”. Nga moslejimi i ndërtimeve kalohet në kufizimin e ndërtimeve.
Me këtë frymë të re, zhvillimi brenda këtyre zonave, veçanërisht turizmi i ekselencës dhe infrastruktura mbështetëse, nuk trajtohen më si përjashtime të mundshme, por bëhen pjesë e logjikës dhe qasjes së administrimit të zonave të mbrojtura.
Ky është një ndryshim thelbësor i mënyrës se si shteti e koncepton kufirin midis interesit publik dhe interesit ekonomik.
Aktualisht, secili prej nesh e ka përqendruar debatin te pyetja nëse ligji i privatizon apo jo zonat e mbrojtura.
Por problemi nuk është se qeveria po ua shet zonat e mbrojtura privatëve. Problemi është se i gjithë ligji reflekton mendësinë që këto zona i përkasin qeverisë dhe atij që drejton qeverinë.
Ligji i njeh të drejtën qeverisë të ndryshojë rregullat e mbrojtjes sa herë që gjen një interes ekonomik që ajo e konsideron të rëndësishëm.
Por në një shtet demokratik, pasuritë natyrore nuk janë pronë e qeverisë. Nuk janë as pronë e administratës.
Shteti në përgjithësi nuk është pronari i tyre, por vetëm kujdestari i tyre.
Ai i administron në emër të qytetarëve të sotëm dhe të brezave që do të vijnë.
Pikërisht ky është vetë qëllimi i konceptit juridik të zonës së mbrojtur: për të vendosur kufij ndaj vetë shtetit.
Kjo është arsyeja pse ndryshimi nga “moslejim” në “kufizim” është ndryshim thelbësor.
Në të drejtën mjedisore, fjalët përcaktojnë filozofinë e mbrojtjes.
“Moslejimi” vendos një kufi që nuk negociohet.
“Kufizimi” pranon se kufiri mund të negociohet.
Dhe në një vend si Shqipëria, ku presioni ekonomik mbi territorin është i vazhdueshëm, ky është një ndryshim me pasoja të rënda.
Është një ndryshim që prek mënyrën se si do të merren vendimet për shumë vite.
Madje edhe argumenti se do të lejohen vetëm investime elitare nuk e ndryshon thelbin e problemit. Betoni mbetet beton edhe kur është hotel me pesë yje.
Vlera ekonomike e një investimi nuk e ndryshon funksionin ekologjik të territorit ku ai ndërtohet.
Për një ekosistem nuk ka rëndësi niveli i luksit të investimit.
Ka rëndësi ndikimi që ai krijon mbi habitatin, biodiversitetin, burimet ujore dhe funksionimin e të gjithë sistemit natyror.
Përballë këtij ndryshimi rrënjësor, më lind një shqetësim tjetër përtej atij mjedisor.
Që një ligj të ndryshojë, diskutohet, draftohet dhe kalohet nëpër shumë institucione. Ndryshimet në fjalë kanë kaluar në dorën e qindra punonjësve publikë dhe dhjetëra institucioneve.
Një pjesë e tyre janë ekspertë dhe institucione të specializuara në fushën e mjedisit dhe në mbrojtjen e tij. Dakordësia e tyre është shqetësuese.
Fatkeqësisht, ekspertiza mjedisore në administratën publike ka ardhur duke u dobësuar prej vitesh.
Sot në administratë mungojnë profesionistët me formimin dhe autoritetin për të ngritur pyetjet e vështira përpara se një ligj të mbërrijë në Kuvend.
Kur dobësohet ekspertiza, dobësohet edhe aftësia e shtetit për të mbrojtur interesin afatgjatë përballë interesit të momentit.
Për këtë arsye, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura nuk janë një dukuri e izoluar.
Ato janë shprehje e një prirjeje më të gjerë, e një mendësie ku çdo pasuri publike shihet gjithnjë e më pak si një kufi që duhet respektuar dhe gjithnjë e më shumë si një burim që mund të vihet në funksion të zhvillimit sipas vullnetit të qeverisë së radhës.
Prandaj nuk besoj se debati i sotëm është vetëm një debat për zonat e mbrojtura.
Është debat për mënyrën se si po e konceptojmë pasurinë publike.
Sepse kur shteti fillon ta shohë pasurinë publike si pronën e vet, problemi nuk është më vetëm mjedisor. Është institucional.
I njëjti arsyetim që përdoret sot për zonat e mbrojtura, nesër mund të përdoret për çdo pasuri tjetër publike.
Për vite me radhë kam besuar se roli i shtetit ishte të vendoste kufijtë ku tregu, politika apo interesi ekonomik nuk duhej të shkonin.
Ky është, në fund të fundit, kuptimi i një zone të mbrojtur.
Jo të pengojë zhvillimin, por t’i kujtojë shoqërisë se ka disa pasuri që nuk ekzistojnë për t’u shfrytëzuar, por për t’u ruajtur.
Nëse ndryshojmë këtë parim, nuk kemi ndryshuar vetëm një ligj.
Kemi ndryshuar marrëdhënien e shtetit me pasurinë publike.
Kemi ndryshuar mënyrën se si e kuptojmë vetë shtetin.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ky debat meriton të zhvillohet me argumente, jo me etiketime.
