
Në debatet tona politike ekziston një obsesion i vazhdueshëm: gjetja e politikanit të ri që do të shpëtojë vendin, "një Shën Gjergj që do vrasë kuçedrën" e abuzimit dhe korrupsionit që mban shoqërinë peng.
Çdo cikël zgjedhor shoqërohet me shpresën se problemi i Shqipërisë do të zgjidhet sapo të vijë një lider më i mirë që të sjellë kthesën.
E njëjta pritshmëri shprehet edhe ndaj Revolucionit të Flamingove: që të nxjerrë liderë të rinj që të prodhojnë një alternativë të re politike.
Është një mënyrë e re për të kërkuar një hero të vetëm që do të bëjë atë që nuk kemi arritur ta bëjmë si shoqëri.
Për shumë njerëz, kjo është edhe mënyra kryesore për ta gjykuar suksesin e protestës.
Nëse nuk dalin figura të reja politike, nëse nuk krijohet një organizatë formale apo një kabinet në hije, atëherë lëvizja konsiderohet e paplotë.
Por historia sjell një të vërtetë shumë më pak spektakolare: demokracitë nuk rilindin nga politikanë të rinj, por nga qytetarë të rinj.
Institucionet nuk bien nga qielli, por janë pasqyra e shoqërisë që i prodhon.
Një shoqëri që pranon korrupsionin, klientelizmin, frikën dhe indiferencën do të prodhojë institucione që i pasqyrojnë këto vese.
Një shoqëri që kultivon përgjegjësinë, pjesëmarrjen, lirinë, dinjitetin dhe llogaridhënien, sikurse po kërkon protesta, rrjedhimisht do të ndërtojë institucione që mbrojnë pikërisht këto vlera.
Pikërisht për këtë arsye, gabimi më i madh është të mendojmë se ndryshimi fillon vetëëm tek zyra e kryeministrit.
Ai fillon në shesh, në lagje, në universitet, në familje, në shoqatat qytetare dhe në mënyrën se si qytetarët vendosin të sillen me njëri-tjetrin dhe me shtetin.
Aleksis dë Tokëvill që studioi demokracinë amerikane në shekullin XIX, nuk u mahnit aq nga Kushtetuta amerikane sesa nga qytetarët.
Ai vuri re se amerikanët kishin zakon të organizoheshin për çdo problem publik.
Nuk prisnin që shteti të zgjidhte gjithçka.
Krijonin shoqata, organizonin komunitete, merrnin përgjegjësi.
Për Tokëvillin, sekreti i demokracisë nuk ishte tek elita politike, por tek zakonet qytetare.
Më vonë, studiuesit e quajtën këtë kapacitet "kapital social".
Shoqëritë funksionojnë më mirë kur qytetarët bashkëpunojnë, krijojnë besim, organizohen dhe marrin pjesë në jetën publike.
Demokracia nuk mbahet vetëm nga ligjet, por edhe nga marrëdhëniet e besimit ndërmjet njerëzve.
Në Shqipëri, për fat të keq, kemi ndërtuar një kulturë të kundërt. Kemi mësuar të presim.
Presim politikanin e mirë. Presim ambasadorin amerikan të radhës. Presim raportin nga European Union apo presim arrestimin e radhës nga SPAK-u.
Presim zgjedhjet me iluzionin e ndonjë magjie.
Me pak fjalë, presim dikë tjetër të zgjidhë problemet tona.
Kjo kulturë e pritjes ka prodhuar qytetarë spektatorë.
Por demokracia nuk është sport për spektatorë.
Është për qytetarë që duan të jenë pjesë e tryezës së vendimmarrjes.
Dhe pjesëmarrja nuk është vetëm një mënyrë për të marrë vendime më të mira; ajo është mënyra më e mirë për të edukuar qytetarë më të mirë.
Njerëzit mësojnë përgjegjësi duke marrë përgjegjësi.
Njerëzit mësojnë lirinë duke e ushtruar atë.
Duke bashkëpunuar me të tjerët ata përvetësojnë kompromisin, debatin konstruktiv dhe respektin për mendimin ndryshe.
Prandaj protesta nuk duhet parë vetëm si instrument presioni ndaj qeverisë, por edhe si një shkollë qytetarie.
Një qytetar që organizon një aktivitet, që shpërndan një ide, që bind një mik, që merr pjesë në një debat publik apo që del në një protestë paqësore nuk po ndryshon vetëm politikën.
Ai po ndryshon veten dhe rrethin e tij. Ky është mbase transformimi më i rëndësishëm.
Fakti që regjimet më shtypëse investojnë gjithmonë në prodhimin e pëlqimit tregon se asnjë pushtet nuk mund të mbijetojë gjatë pa një dozë pranimi, konformizmi apo tolerance nga të qeverisurit.
Edhe në këto regjime, momenti kur qytetarët vendosin të jetojnë në të vërtetën dhe jo në frikë është momenti kur fillon të ndryshojë raporti midis shoqërisë dhe pushtetit.
Prandaj, Shqipëria e Re nuk mund të ndërtohet nga njerëz që nuk marrin pjesë në jetën publike.
Nuk mund të ndërtohet nga qytetarë që shesin votën, që heshtin përballë padrejtësisë e abuzimit, apo që presin gjithmonë "dikë tjetër".
Një demokraci e fortë kërkon qytetarë aktivë, jo konsumatorë të politikës.
Në këtë kuptim, Revolucioni i Flamingove ka prodhuar një efekt që shumë ende nuk po e kuptojnë.
Ai nuk ka nxjerrë në pah vetëm pakënaqësinë, por edhe një brez të freskët qytetarësh të rinj që organizohen vetë; që krijojnë simbole, që prodhojnë ide.
Që përdorin humorin, artin, satirën dhe kreativitetin si forma pjesëmarrjeje.
Që nuk presin leje për të qenë qytetarë.
Kjo është shumë më e rëndësishme sesa duket.
Shqipëria ka nevojë pikërisht për këtë transformim rrënjësor.
Ka nevojë për qytetarë që nuk heshtin kur shohin një padrejtësi edhe pse ajo ndodh qindra kilometra larg në Nartë apo Tragjas.
Ka nevojë për njerëz që nuk e shohin shtetin si plaçkë për t'u grabitur, por si një pasuri të përbashkët për t'u mbrojtur.
Ka nevojë për prindër që edukojnë fëmijët me përgjegjësi qytetare.
Ka nevojë për profesorë që nuk mjaftohen me kritika në kafene, por angazhohen publikisht.
Ka nevojë për sipërmarrës që mbrojnë konkurrencën e ndershme.
Ka nevojë për gazetarë që i shërbejnë së vërtetës.
Ka nevojë për intelektualë që nuk e matin guximin me interesin personal.
Shkurt e shqip, Shqipëria ka nevojë për qytetarë.
Kjo është arsyeja pse protesta si kjo nuk maten vetëm me numrin e pjesëmarrësve apo me ditën kur bie një qeveri.
Ato maten me numrin e qytetarëve dinjitozë që dalin prej tyre më të përgjegjshëm, më të lirë dhe më të angazhuar.
Në fund të fundit, politikanët nuk bien nga Marsi.
Ata dalin nga e njëjta shoqëri ku jetojmë të gjithë. Nëse shoqëria ndryshon, edhe politika do të ndryshojë.
Nëse qytetarët bëhen më kërkues, më aktivë dhe më pak tolerantë ndaj abuzimit, edhe elitat politike do të detyrohen të përshtaten.
Prandaj pyetja sot nuk është vetëm: "Çfarë politikanësh duam?"
Pyetja më e rëndësishme është: "Çfarë qytetarësh duam të jemi?".
Shqipëria e Re fillon pikërisht në momentin kur qytetarët vendosin të mos jenë më spektatorë të historisë së tyre, por autorët e saj.
