
Shqipëria ka nevojë prej kohësh për një sistem penal që respekton liritë individuale, është proporcional dhe më pak represiv.
Por nisma e Kryeministrit Rama për ndryshimin e procedurës penale nuk vjen si zgjim i ndërgjegjes liberale por si reagim ndaj sistemit të drejtësisë.
E paketuar si një ndjeshmëri e vonuar për të drejtat e njeriut dhe proporcionalitetin e dënimit, kjo nismë shënon një kthesë paradoksale dhe hipokrite të tij tani që SPAK-u filloi t’u kërkojë llogari bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kryeministrit.
Liria është gjendja natyrale e njeriut dhe kufizimi i saj kërkon justifikim të jashtëzakonshëm. Prandaj, burgu përpara një vendimi përfundimtar duhet të mbetet një masë e jashtëzakonshme, e lidhur me një rrezik konkret dhe e arsyetuar individualisht. Në këtë kuptim, shqetësimi i sotëm për përdorimin e tepërt të paraburgimit është thellësisht liberal dhe meriton mbështetje.
Por që prej ardhjes në pushtet, kryeministri ka nxitur një përdorim të gjerë të privimit të lirisë, shpesh për vepra me rrezikshmëri relativisht të ulët.
Mjafton të shikosh kronikat kur mijëra qytetarë u hetuan, ndaluan apo arrestuan gjatë aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike. E njëjta gjë për lidhjet e paligjshme në rrjetin e ujit. E njëjta gjë për ndërhyrjet pa leje në banesa. E njëjta gjë për tendat e lokaleve.
Nga ana tjetër, u rënduan me ligj dënimet për vepra pa rrezik e pasoja serioze. Gjatë pandemisë u ligjëruan dënime me burg për shkeljen e masave kundër COVID-it. Legjislacioni rrugor dënon me burg edhe për parkimin dysh. E me radhë duke kriminalizuar një sërë shkeljesh nga masa administrative drejt përgjegjësisë penale.
Në 13 vjet pushtet, ashpërsimi i dënimeve, zgjerimi i veprave penale dhe spektakli i arrestimeve janë përdorur si mjete për të demonstruar autoritetin e shtetit apo si ilaç universal. Prangat janë paraqitur si dëshmi e forcës së shtetit dhe e shtetit ligjor.
Por kur hetimet, arrestet dhe paraburgimi filluan të ngjiten në katet e sipërme të pushtetit, duke prekur ministra, drejtues të lartë dhe njerëz të lidhur me qeverisjen, papritur kryeministri ka zbuluar humanizmin penal, proporcionalitetin e masës së sigurisë dhe shqetësimin për lirinë individuale.
Kjo kthesë është vazhdim i një tensioni gjithnjë e më të dukshëm mes pushtetit politik dhe institucioneve të drejtësisë kundër krimit dhe korrupsionit.
Presioni ndaj SPAK-ut nuk ka ardhur si një goditje e vetme e fortë për ta rrëzuar por përmes goditjesh më të vogla në drejtime të ndryshme me anë të pengesave, nismave ligjore, retorikës agresive dhe fërkimeve institucionale.
Por këto goditje janë sistematike dhe të menduara. Ato janë shtrirë në katër fronte të ndryshme.
Së pari, kanë qenë pengesat politike dhe parlamentare, si zvarritja e procedurave parlamentare në rastin Xhaçka dhe mbështetja politike, e shoqëruar me përplasjen institucionale për pezullimin nga detyra, në rastin Balluku.
Në të njëjtën kategori hyn edhe amnistia penale e vitit 2024, për të cilën Komisioni Europian konstatoi se fali plotësisht 40 të dënuar nga gjykatat e posaçme, uli dënimin për 65 të tjerë dhe pushoi çështjet për 12 persona nën juridiksionin e SPAK-ut, duke i kërkuar Shqipërisë të shmangë amnisti që ndikojnë negativisht në luftën kundër korrupsionit.
Së dyti, kanë qenë pengesat administrative dhe mosbashkëpunimi institucional. Kjo është forma më pak e dukshme, por potencialisht ndër më efektivet.
Kufizimi i buxheteve dhe burimeve është taktika kryesore që është ndjekur. Një SPAK me gjithnjë e më shumë dosje, por pa hetues, ekspertë, staf dhe infrastrukturë të mjaftueshme, çon në hetime më të ngadalta dhe më pak kapacitet për të hapur çështje të reja.
Nga ana tjetër, bashkëpunimi me SPAK-un është minimal. Referimet e institucioneve shtetërore drejt SPAK-ut mbeten shumë të ulëta. Sipas BE-së, në vitin 2024 pati vetëm 6 referime nga agjencitë ligjzbatuese, 5 nga Policia e Shtetit dhe vetëm 1 nga ILDKPKI.
Edhe aksesi në databazat shtetërore është ndërtuar vetëm gradualisht. Këtu hyn edhe zvarritja si metodë, sepse një institucion mund të pengohet pa i thënë kurrë hapur “jo”, thjesht duke vonuar informacionin, emërimet, stafin, përgjigjet dhe zbatimin e vendimeve.
Së treti, kanë qenë pengesat ligjore dhe procedurale. Orvatja e parë erdhi nga Komisioni Xhafaj, i cili qe dëshmia e parë se politika po kërkon ridizenjimin e arkitekturës së drejtësisë pikërisht në momentin kur vetë pushteti politik është gjithnjë e më shumë objekt i hetimeve të saj.
Ndryshimet e kodit të procedurës penale janë realizim i kësaj ndërhyrjeje: kufizimi i paraburgimit dhe masave të sigurisë, rregullat për përgjimet, sekuestrimin e telefonave dhe përdorimin e provave elektronike mund të ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë hetimore të SPAK-ut.
Mjet tjetër që ka në dorë shumica socialiste është çështja e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut. Ligji lejon vetëm një mandat 9-vjeçar, dhe pjesa më e madhe e tyre e mbarojnë këtë mandat në 1-2 vitet e ardhshme, duke sjellë largimin e prokurorëve që kanë nisur dhe kryer hetime komplekse që nuk kanë përfunduar akoma. Largimi i tyre do të cenojë vazhdimësinë e hetimeve dhe do ta privojë SPAK-un nga ekspertiza që ata kanë krijuar deri më sot.
Zgjidhja do të ishte ruajtja e kësaj eksperience pa krijuar një sistem riemërimi, që do t’i bënte prokurorët të varur nga politika që ata apo ato duhet të hetojnë.
Fronti i katërt i ndërhyrjeve kundër drejtësisë ka qenë presioni dhe delegjitimimi publik. Shënjestra kryesore e sulmeve politike ka qenë SPAK-u: kritikat kanë qenë të personalizuara ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, kanë vënë në dyshim motivet e tyre dhe kanë vënë në dyshim legjitimimin e masave të sigurisë apo metodave hetimore për hetimet ndaj niveleve të larta të pushtetit.
Këto sulme krijojnë kosto personale, profesionale dhe publike për magjistratin që heton pushtetin.
Rastet më të dalluara kanë qenë ato pas arrestimit të Veliajt në shkurt 2025, dhe pezullimit të Ballukut në nëntor 2025; Rama sulmoi prokurorët për arrestin dhe pezullimin, madje në rastin e pezullimit e quajti ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.
Sulmet sistematike në këto katër drejtime rrisin kostot dhe vështirësitë e SPAK-ut në hetimet e niveleve më të larta të pushtetit.
Nga ana tjetër, duket se kryeministri po teston vazhdimisht kufijtë se deri ku mund të arrijë pa shkaktuar reagim nga SHBA-të, Bashkimi Europian dhe komuniteti ndërkombëtar.
Ndërkohë, Kryeministri duket se dëshiron ta zvarrisë procesin. Nga njëra anë ai pret të mbarojnë mandatet e prokurorëve që janë të parehatshëm për të, nga ana tjetër ai do që ta shtyjë përplasjen deri në një fazë tjetër të integrimit europian, kur kapitujt të jenë mbyllur dhe presioni ndërkombëtar mund të jetë më i vogël.
Nëse shqetësimi i kryeministrit për teprimin e masave shtypëse si paraburgimi dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve do të ishte i sinqertë, ai nuk do të ndërhynte tek SPAK-u, por atje ku prodhohet mbi 90 e ca për qind e volumit të hetimeve penale: tek prokuroritë dhe gjykatat e rregullta.
Shqipëria ka nevojë për një politikë serioze dekriminalizimi të veprave me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
Faktikisht një pjesë e shkeljeve të ligjit që sot harxhojnë kohën dhe energjitë e policëve, prokurorëve, gjyqtarëve si dhe ngarkojnë burgjet mund të trajtohen me gjoba, masa administrative, punë në interes publik, detyrim paraqitjeje, arrest shtëpie apo forma të tjera alternative.
Prova e vërtetë e lirisë, demokracisë, apo evropianizimit të Shqipërisë, nuk është sa i kujdesshëm tregohet shteti me lirinë e atyre që janë në pushtet, por me vendosmërinë që ata të trajtohen njësoj si qytetarët e thjeshtë.
Deri dje kur burgosej i dobëti, prangat quheshin shtet ndërsa tani që prangat kanë mbërritur te të fuqishmit po quhen shkelje e lirisë.
Ky zbulim i kryeministrit nuk është zgjim i vonuar liberal i tij por thjesht shfaqje e vonuar e frikës nga drejtësia.
Në çastin kur rregullat e lojës rishkruhen vetëm pse të pandehurit mbajnë mandate dhe pushtet, nuk po zgjerohen kufijtë e lirisë por po vuloset kapitullimi i drejtësisë përballë vetëmbrojtjes së kastës.
Sepse europianizim nuk do të thotë ta bësh ligjin më të butë kur ai mbërrin te pushteti por do të thotë ta bësh pushtetin më të barabartë kur ai mbërrin para ligjit.
Shpërndaje te miqtë
