Ramës i kthehet në bumerang strategjia për t’u shkëputur nga modeli i krimit

Vincent W.J. van Gerven Oei 16 Qershor 2026, 10:50

Ramës i kthehet në bumerang strategjia për t’u

Ndërsa protestat kundër elitës sunduese kanë hyrë në javën e tretë, pa shënë shënja zbehjeje, ne po shohim degradimin gjithnjë e më të dukshëm të kontrollit të narrativës publike nga Kryeministri Edi Rama.

Daljet e tij publike janë bërë të çrregullta, intervistat me gazetarë ndërkombëtarë shpesh të sikletshme. Njeriu i tij i propagandës, Endri Fuga, është zhdukur. Këshilltari i tij më i afërt, Engjëll Agaçi, është fshehur nga SPAK. Ushtria e boteve në rrjetet sociale që Erion Veliaj mbante në Bashkinë e Tiranës është shpërbërë.

Këto mungesa të rëndësishme po ndihen fort.

Kokteji i zakonshëm i Ramës — sharm, arrogancë dhe frikësim — nuk po funksionon më. Dhe nga reagimi i vakët ndaj “kundër-mitingjeve” të organizuara prej tij, duket qartë se edhe brenda Partisë Socialiste po rritet ndjesia se fundi i një epoke po afron.

Minjtë po largohen nga anija që po fundoset.

Por për të kuptuar se domethëine e vërtetë të këtij fundi, ia vlen të ndalemi te pyetja se si arritëm deri këtu.

Pyetja themelore me të cilën përballet një vend i vogël me pak burime natyrore është: si zhvillohet ekonomia?

Çdo politikan që sheh situatën shqiptare do të jepte natyrshëm një përgjigje: turizmi.

Edi Rama sigurisht nuk ishte i pari që e artikuloi këtë përgjigje, por ai është arkitekti i sistemit se kjo ide është zbatuar gjatë dekadës së fundit.

Mekanizmi që Rama ndërtoi — pikërisht mekanizmi që Revolucioni i Flamingove synon të shkatërrojë — mbështetet mbi arsyetimin e mëposhtëm:

Për të zhvilluar turizmin duhen investime të huaja direkte. Por për të tërhequr investime të huaja legjitime duhet infrastrukturë publike e zhvilluar, që Shqipëria nuk e ka. Prandaj, duhen gjetur investitorë që nuk kanë nevoja të tilla.

Rama i gjeti këta investitorë tek grupet kriminale. Paratë e drogës — fillimisht nga kanabisi dhe më pas nga kokaina — pastrohen përmes projekteve të pasurive të paluajtshme që ndërtojnë vendin.

Të njëjtat para kriminale financojnë zgjedhjet.

Administrata publike bëhet plotësisht e nënshtruar ndaj interesave kriminale dhe shpesh shndërrohet në zgjatim të tyre, siç e ka treguar qartë rasti i Belinda Ballukut.

Dhe Rama sundon mbi gjithë këtë sistem si arkitekti kryesor.

Basti i Ramës ishte se ai do të kishte mjaftueshëm kohë — përpara se SPAK të konsolidohej dhe procesi i integrimit europian t’ja kufizonte hapësirën — për të kaluar tek një grup më “i përparuar” investitorësh të huaj të tipit saudit apo Kushner, kapitali i të cilëve është përtej korrupsionit, dhe për të mbajtur kështu në këmbë modelin e tij të zhvillimit për Shqipërinë (nga i cili ai dhe elita sunduese përfitojnë në mënyrë të paligjshme dhe masive).

Por realiteti është gjithmonë më kokëfortë.

Duke u ëprpjekur të kalojë në nivelin e kapitalit global të tipit Kushner, Rama e ka ekspozuar veten ndaj një niveli kontrolli dhe vëmendjeje që nuk e kishte përjetuar më parë, veçanërisht nga media ndërkombëtare dhe ndikuesit e rrjeteve sociale.

Sa i përket medias ndërkombëtare, deri më tani ai është përballur kryesisht me pyetje të buta nga të ashtuquajtur kritikë arkitekture, të balancuara herë pas here me artikuj të porositur që lëvdonin “vizionin e tij global”.

Sa për ndikueist, mjaftonte papagalli, koshi i basketbollit dhe stili i tij ekstravagant për t’i impresionuar.

Jo më.

Një lloj krejt tjetër gazetari — i kalitur në luftërat kulturore amerikane të epokës Trump — ka drejtuar vëmendjen tek qendrimet e tij. Blogerë dhe ndikues të rrjeteve sociale kanë ndjekur të njëjtën rrugë, të tërhequr nga kombinimi pothuajse i parezistueshëm i zogjve tropikalë me trazirën politike.

Rama duket qartazi jashtë territorit të tij dhe po lëviz në skenë si një meme e keqe.

Por pasoja tjetër e përpjekjes së tij për të lënë pas luftën e pafundme mes grupeve mafioze, oligarkëve dhe konglomerateve media-ndërtim — një konflikt që tashmë ka përfshirë hapur vetë Partinë Socialiste — është se Rama u dha shqiptarëve një armik të përbashkët, një simbol rreth të cilit ata mund të bashkohen, duke i bërë të harrojnë, të paktën përkohësisht, historitë e tyre të fërkimeve dhe armiqësive reciproke.

Shpresa ime më e madhe është që kjo të krijojë një hapësirë për formulimin e një platforme alternative politike, të ndërtuar mbi një përgjigje krejt tjetër ndaj pyetjes së përhershme:

Si ta zhvillojmë Shqipërinë?