
Në pesë ditë protesta në Tiranë, për qeverinë shqiptare ka vetëm një problem.
Ai problem janë protestuesit.
Çdo ditë narrativa publike e qeverisë përqendrohet vetëm te dhuna, dëmet dhe se ata që protestojnë nuk janë studentë.
Rama e injoroi tërësisht protestën ditën e parë. Ai ndodhej në Luksemburg duke festuar mbylljen e një kapitulli të negociatave me BE-në ditën që Tirana mori flakë për herë të parë.
Në euforinë e përqafimeve me zyrtarët e Brukselit, të nesërmen në mëngjes, i sapokthyer në Tiranë, kryeministri zgjodhi të flasë nga zyra e djegur e Kolegjit Europian me 13 studentë, duke injoruar arsyet e “zjarrit” që ka djegur të ardhmen e dhjetëra mijëra të tjerëve të universiteteve publike të cilët prej ditësh i ka në rrugë.
Pas tij të gjithë ministrat nxorën secili nga një video.
Ministri i Brendshëm foli për dhunën ndaj policisë.
Ministrja e Ekonomisë për dëmet në katin e parë të godinës së kësaj ministrie, për bizneset që ishin sulmuar, për zyrat e postës së dëmtuara ku qytetarët nuk do merrnin shërbime dhe ku pensionistët nuk do të merrnin shpërblimin 5 mijë lekë.
Ministri i Turizmit për dëmin në imazh dhe frikësimin e turistëve të huaj nga protesta e dhunshme.
Ndërsa Taulant Balla nga Golemi tha se turistët nuk tremben nga protestat.

Nga mëngjesi në mëngjes, kryeministri doli dhe një herë bëri thirrje për durim se gjithçka do të kalojë, një herë foli për sa mirë e ka bërë Shqipërinë, sa e ka rritur PPB-në dhe ekonominë, turizmin dhe imazhin e vendit.
Ai përsëri nuk pa asnjë problem, injoroi çdo kërkesë dhe foli për duar të zeza të atyre që nuk i duan të mirën Shqipërisë.
Mesazhi i qeverisë është i qartë: problemi nuk ekziston, problemi i vetëm janë vetë protestuesit. Gjithçka vjen nga armiqtë e jashtëm dhe opozita e keqe.
Në manualin e autokratit, heshtja e qeverisë për arsyet e zemërimit mund të jetë strategji për të blerë kohë, por ajo s’bën asgjë tjetër veçse tenton të shtyjë zgjidhjen dhe ta bëjë problemin edhe më të madh.

Ndërkohë që ministrat filmojnë veten në rrënoja, protestat vazhdojnë e bëhen edhe më të mëdha.
Dhuna më e fortë dhe më e pakontrollueshme.
Policia, përveçse e paorganizuar, bëhet çdo ditë edhe më e lodhur duke u sjellë vërdallë nga të rinjtë nëpër rrugët e rrugicat e Tiranës.
Studentët dhe të rinjtë që kanë dalë në protestë nuk kanë dalë për të djegur për qejf çdo gjë që u del përpara.
Ata sot as nuk blihen – siç ka ndodhur më parë – me premtime se nesër do të bëhet më mirë.
Ata janë më të motivuar nga policia, kanë më shumë energji dhe kanë një zemërim të akumuluar në vitet që kryeministri harxhonte kohën duke vizatuar dhe ngjyrosur kulla në Tiranë, projektuar resorte e vila në bregdet, negociuar toka për të blerë çelësat për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.
Por një qeveri që i flet vetes dhe jo qytetarit të saj, që nuk ofron më garanci për zgjidhje të problemeve, por i injoron ato, me propagandën e saj krijon irritim më të madh se gazi që hedh policia.
Njerëzit kanë dalë në shesh me arsyet e vjetra të protestave të 2018 dhe arsyet e reja të Flamingove.
Kanë dalë për cilësinë e arsimit.
Kanë dalë për koston e jetesës.
Ata kanë dalë për korrupsionin e pafund që prodhon qeveria.

Tetë vjet më parë Edi Rama i gënjeu. Katër muaj më parë i injoroi dhe përqeshi.
Ndaj tani e vetmja kërkesë është ajo e largimit të kryeministrit. Ata nuk gënjehen më me ftesat “kur do flasim” që kthehen më pas në “hajt se flasim” për të mos folur kurrë dhe për të mos zgjidhur asgjë.
Sot shqiptarët shohin atë që qeveria nuk do: se kjo qeveri nuk ua zgjidh më problemet. Ata shohin një qeveri që prodhon mirëqenie për një pakicë dhe korrupsion me shumicë.
Ata pritën me vite dhe panë se hendeku mes shpresës dhe realitetit u thellua çdo vit e më shumë.
Prandaj sot njerëzit janë në rrugë, kurse qeveria flet për vetëm për pasojat. Jo për shkakun.
Qeveria sot sheh vetëm flakët e natës. Sheh xhamat e thyera dhe dyqanet e dëmtuara. Por nuk sheh arsyen pse u ndezën ato flakë.
Sfida më e madhe sot është për të bindur mijëra veta që të mos gjuajnë më gurë, apo për të bindur një njeri të japë dorëheqjen?!
Shpërndaje te miqtë
