Që të mos humbet mundësia për një ligj të ri për partitë politike

Neritan Sejamini 4 Mars 2026, 00:18

Partitë politike mbeten problemi themelor i demokracisë në Shqipëri. Tre dekada e gjysëm pas rënies së komunizmit, ato ngjajnë më shumë me partinë e atëhershme komuniste se me partitë perendimore. Partia tipike shqiptare sot është autokratike, e financuar ilegalisht dhe klienteliste. Edhe partitë e reja që formohen çdo vit nuk kanë ndryshime të madhe nga ky model.

Çelsi për qeverisje të mirë dhe integritet është transformimi i partive politike: ndryshimi rrënjësor i menaxhimit e transparencës financiare, përmirësimi i demokracisë se brendëshme dhe garantimi i integritetit në udhëheqjen e tyre.

Prej kohësh ekziston mes aktorëve kryesorë politikë vetëdije për këtë ndryshim, por në praktikë ata nuk kanë marrë asnjë hap në këtë drejtim. Problemi është se motivimi i tyre është të ruajnë gjendjen të pandryshuar.

Kohët e fundit rrethanat politike kanë ndryshuar duke sjellë presion të rritur mbi partitë për të formualizaur dhe regulluar organizimin dhe funksionimin e tyre. Partitë, veçanërisht ato parlamentare, janë nën presionin e detyrimeve nga negociatat me BE-në, të presionit për të plotësuar rekomandimet e OSBE-së për zgjedhjet dhe të presionit të rritur të brendshëm e të jashtëm për pastrimin e politikës nga krimi dhe korrupsioni.

Në këto kushte, partitë politike parlamentare kanë vendosur në parim që të miratojnë një ligj të ri për partitë politike dhe të përmirësojnë rregullimin e menaxhimit dhe transparencës financiar në Kodin Zgjedhor dhe ligje të tjera.

Për të shtyrë përpara këtë proces, veçanërisht për të shmangur hezitimin e zakonshëm të partive për të ndërmarrë hapa konkrete, një grup ekspertësh të pavarur, me mbështetjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, kanë hartuar një një propozim konkret për partitë politike. Ky projekt mund të shërbejë si një bazë e mirë për hartimin e ligjit të ri ga Kuvendi.

Propozimi synon të modernizojë mënyrën se si krijohen, organizohen dhe funksionojnë partitë politike. Ai përcakton parimet themelore të organizimit të tyre, të demokracisë së brendshme, të llogaridhënies dhe të rolit që ato luajnë në jetën publike.

Propozimi është është thuajse ezaurues—ai përmban thuajse çdo aspekt të organzimit dhe funksionimit të partive përfshi edhe masat për garantimin e integritetit dhe të etikës që duhet të zbatojnë partitë politike. Ai gjithashtu mbulon organizimin e organizatave partnere partiake si forumi/struktura e gruas dhe e rinisë.

Niveli i rregullimit ligjor apo i vetërregullimut të partive është cështje e rëndësishme dhe i takon Kuvendit të vendosë vijën ndarëse në këtë drejtim. Por çfarëdo ballance mes këtyre dy aspekteve të zgjedhë kuvendi, në përgatitjen e një projektligji të ri, deputetët do të gjejnë përcaktime të mjaftueshëm për çdo aspekt rregullues apo vetërregullues.

***

Disa nga aspektet kryesore të rregullimit që përfshihen në propozim përshkruhen më poshtë.

Regjistrimi i partive kalon te KQZ

Aktualisht në Shqipëri janë të regjistruara rreth 137 parti politike, por vetëm një pjesë e vogël e tyre janë aktive në zgjedhje apo në jetën politike. Shumë prej tyre ekzistojnë vetëm formalisht në regjistrin zyrtar dhe nuk zhvillojnë ndonjë aktivitet real. Prania në regjistër e partive joaktive ul transparencën dhe besueshmërinë e sistemit partiak.

Propozohet një ndryshim rrënjësor në mënyrën e regjistrimit dhe ruajtjes së statusit të partisë. Aktualisht, partitë regjistrohen në Gjykatën e Tiranës dhe propozohet që kjo kompetencë t’i kalojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

KQZ ngarkohet të mbajë një regjistër publik të partive politike, i cili do të jetë i përditësuar dhe publik. Partitë do të jenë të detyruara të përditësojnë rregullisht të dhënat e tyre më këtë regjistër.

Pastrimi i regjistrit

Propozimi synon të zvogëlojë numrin e partive joaktive. Nëse një parti nuk përditëson të dhënat e saj, nuk merr pjesë në zgjedhje ose nuk përmbush detyrimet ligjore, KQZ mund të nisë procedurat për çregjistrimin e saj.

Kjo do të ndihmojë që regjistri i partive të përfaqësojë vetëm organizata reale politike që ushtrojnë veprimtari të vërtetë.

Rregulla më të qarta për krijimin e partive

Propozohet të vendosen rregulla më të qarta për krijimin e një partie politike, duke ruajtur numrin e të paktën 3 000 anëtarëve themelues me të drejtë vote për themelimin e një partie politike.

Me regjistrimin në KQZ, partia fiton personalitet juridik dhe mund të marrë pjesë në zgjedhje dhe në jetën politike, por ajo duhet të marrë pjesë rregullisht në zgjedhje për të ruajtur statusin e saj. Propozohet që nëse një parti nuk merr pjesë në zgjedhje për tetë vite radhazi, ajo mund të çregjistrohet. Kjo masë synon të sigurojë që partitë të mbeten aktive në jetën politike.

Demokraci më të madhe brenda partive

Propozimi ligjor vendos kërkesa të qarta për demokracinë e brendshme të partive, duke shmangur mbirregullimin në këtë pikë. Ai kërkon që statutet e partive të përcaktojnë qartë mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve dhe funksionimin e organeve vendimmarrëse.

Propozimi kërkon që partitë të organizojnë zgjedhje të rregullta për drejtuesit e tyre.

Një risi e rëndësishme është kufizimi i mandateve të kryetarëve të partive. Një kryetar nuk mund të qëndrojë më shumë se tre mandate të njëpasnjëshme

Kjo synon të nxisë rotacionin dhe të shmangë përqendrimin e pushtetit në duart e një individi të vetëm.

Që anëtarët dhe publiku të jetë itëinformuar për rregullat e brendëshmë të partive, ligji kërkon që statutet e tyre të depozitohen në KQZ dhe të publikohen.

Më shumë hapësirë për gratë dhe të rinjtë

Pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në politikë, përfshi në partitë politike, është një element i rëndësishëm për të garantuar demokracinë dhe gjithëpërfshirjen në qeverisjen e vendit.

Për këtë qëllim, propozohet që partitë të krijojnë forume/struktura të përhershme për gratë dhe të rinjtë. Këto struktura duhet të kenë rol real në jetën e partisë dhe të kenë mbështetje financiare, përfshi një pjesë të fondeve publike që partitë marrin nga buxheti i shtetit.

Qëllimi është të rritet pjesëmarrja e grave dhe e të rinjve në partitë politike dhe të lehtësohet veprimtaria e tyre brenda këtyre partive.

Më shumë transparencë

Edhe pse financimi i partive rregullohet nga një ligj tjetër, theksohet rëndësia e transparencës financiare. Partitë që përfitojnë fonde publike ose privilegje të tjera duhet të raportojnë dhe të japin llogari për aktivitetin e tyre.

***

Sikurse u theksova më lart, rregullimi i partive politike është një çështje delikate, aq më tepër që ka një kufi se çfarë mund të imponjë ligji dhe çfarë partitë duhet të imponojnë vetes.

Propozimi përpiqet të gjejë një balancë në ëktë drejtim. Nga njëra anë, ai mbron lirinë për të krijuar dhe për të organizuar parti politike. Nga ana tjetër, ai vendos disa standarde minimale për funksionimin e tyre.

Partitë janë institucione kyçe të demokracisë. Mënyra se si ato funksionojnë ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si qeveriset vendi.

Nëse propozimi i hartuar nga ekspertët e pavarur miratohet, ose në rastin minimal nëse ai shërben si bazë për një draft të hartuar nga vetë deputetët, ky do të jetë një hap i rëndësishëm drejt një sistemi politik më transparent, më të përgjegjshëm dhe më funksional në Shqipëri.

Ajo që është më e rëndësishme, është që ky moment kyç kur vendi është i detyruar dhe ka marrë përsipër të përqafojë standardet e BE-së, të mos kalojë pa ndihmuar edhe në përmirësimin e shqetësimit themelor të politikës shqiptare: organizimit dhe funksionimit të partive politike.  

Të sugjeruara

Shfaq më shumë artikuj të sugjeruar